Mbaheshin në përgjim për kanabis, si i futi në kurth 2 kushërinjtë i infiltuari

Nov 13, 2019 | 13:37
SHPËRNDAJE

ALBI LALA/ Po shkëmbenin paratë e përfituara nga shitja e kanabisit, kapen në flagrancë dy kushërinjtë.

Paratë e sekuestruara
Paratë e sekuestruara

Roland dhe Nikolin Tusha, kushërinj me njëritjetrin, ndërsa një person i tretë është shpallur në kërkim. Të tre nuk rezultojnë persona me precedentë penalë. Të afërmit shprehen të habiturm, duke thënë se mund të jenë futur në kurth nga persona të tjerë.

Por në fakt, kanë qenë efektivë të Policisë që i kanë futur në kurth, duke u prezantuar si trafikantë, për të blerë lëndë kanabis. “Pazari” është finalizuar, pasi dy kushërinjtë e arrestuar dhe kunati i tyre mbaheshin në përgjim prej disa muajsh. Policia kishte informacion të sigurt se ata merreshin me kultivimin e bimëve narkotike dhe për këtë arsye një prej efektivëve ka luajtur rolin e trafikantit, duke i kërkuar kanabis.

Burime pranë drejtorisë së Policisë Dibër bëjnë me dije se tre të dyshuarit për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike janë survejuar me metoda speciale të hetimit prej gjashtë muajsh. Madje burimet shtojnë se muaj më parë, rrëzë vargmalit Skënderbe, atyre u është asgjësuar një parcelë e kultivuar më lëndë narkotike kanabis sativa. Policia njoftoi se është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “Ulëza”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve.

Burime bëjnë të ditur se Policia ka arritur t’i fusë në kurth përmes një efektivi të infiltruar, ndërsa në komunikatën zyrtare thuhet se dy kushërinjtë Tusha janë kapur ndërsa po shkëmbenin paratë që kishin fituar nga shitja e lëndës narkotike. Në përfundim të operacionit policor “Ulëza”, u bë i mundur arrestimi i Roland Tushës, 32 vjeç dhe Nikolin Tushës, 33 vjeç, ndërsa kunati i tyre, E. Ll, 29 vjeç, është shpallur në kërkim.

Gjatë ndërhyrjes së Policisë u bë sekuestrimi i një shume prej mbi 6 mijë eurosh, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike. “Si rezultat i ndjekjes së këtyre procedimeve me teknika speciale prej 6 muaj, më datë 11.11.2019, në afërsi të shkollës së mesme të Njësisë Administrative Baz, këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në momentin që po shkëmbenin një sasi lekësh me njëri-tjetrin, e cila dyshohet se është përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se janë autorë të disa rasteve të tentativës për të kultivuar bimë narkotike në zonat malore të njësive administrative Ulëz dhe Baz, të cilat janë asgjësuar më parë nga Policia gjatë kontrolleve të territorit.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 6 400 euro, 24 100 lekë, 45 gramë lëndë narkotike, 1 orë dore dhe 1 aparat celular”, bëhet e ditur nga Policia. Ndërkohë që po punohet për arrestimin e personit të tretë, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Mat, po punon intensivisht për arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura