Mazurkat historike të Polonisë

May 3, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

bujar-leskaj-1024x740BUJAR LESKAJ

3 Maji është Dita Kombëtare e Polonisë. Më 3 maj të vitit 1791, Sejmi i Madh (Parlamenti i Komunuelthit polako-lituanez) miratoi Kushtetutën e Komunuelthit të Polonisë me Lituaninë, duke synuar ndreqjen e defekteve politike të këtij shteti nga më të mëdhenjtë e asaj kohe në  kontinentin europian.

Edhe pse Kushtetuta nuk zgjati më shumë se një vit e gjysmë, nga aneksimi i Polonisë prej Rusisë cariste në janar të vitit 1793, ky akt mëvetësimi dhe demokratizimi shoqëror frymëzoi gjenerata të tëra polakësh, por edhe kombesh të tjera të Europës që luftonin për liri. Kushtetuta polake konsiderohet Kushtetuta e dytë më e vjetër në botë, pas asaj amerikane të vitit 1787 dhe pasardhëse e denjë e Magna Carta-s.

Të rralla janë himnet kombëtare të vendeve të botës, ku shpirti kombëtar shprehet aq mirë sa te Himni kombëtar i Polonisë, i cili quhet “Mazurek Dabrowskiego” (Mazurka e Dabrowskit). Mazurka është një valle e njohur popullore polake, që shpesh luhet duke u kënduar. Mazurka e Dabrowskit është krijuar si valle e kënduar dy vjet pas ndarjes së tretë të Polonisë mes fuqive të mëdha fqinje me të, ndarje që ndodhi në vitit 1795 dhe e zhduku Poloninë përkohësisht nga harta.

Mazurka e Dabrowskit u kompozua si himn për legjion polak, i cili luftonte për Republikën Franceze në Itali. Revolucioni Francez kishte marrë përsipër çlirimin e popujve të shtypur të Europës. Luftëtarët polakë të mbetur pa shtet i ishin bashkuar ushtrisë franceze me shpresën që duke ndihmuar popujt e tjerë të Europës të çliroheshin, këta së bashku do ta ndihmonin popullin polak që të çlirohej dhe të rindërtonte shtetin e tij.

“Polonia nuk është zhdukur/Polonia nuk ka humbur”. Këndohet në himnin e legjionit polak të Italisë, që, përpara se të bëhej Himni Kombëtar Polak, në shekullin XX, u përhap në trojet e banuara nga polakët, duke kaluar gojë më gojë. Miqtë e mi të Grupit lab “Çipini” në këngën e veçantë kushtuar Polonisë dhe kombit fisnik polak, këndojnë “E gdhendën hymnin hyjnor/polakët me shpatë në dorë”.

Polonia si shtet dhe si komb do të ndahej katër herë, duke u zhdukur nga harta, por do të ringrihej pesë herë për të luajtur pesë mazurka me rëndësi historike për fatin e Europës dhe të botës. Në 1683, polakët luajtën një rol vendimtar për shpëtimin e Vjenës nga rrethimi turk dhe me këtë edhe për shpëtimin e të gjithë Europës. Në ushtrinë e Napoleonit, e cila i përhapi idetë përparimtare të Revolucionit Francez në të gjithë Europën, do të kishte më shumë polakë se nga çdo komb tjetër i Europës.

Në 1920, polakët e shpëtuan Europën nga invazioni i Rusisë bolshevike, duke e ndalur Ushtrinë e Kuqe në hyrje të Varshavës. Në qoftë se nuk do të kishte qenë qëndresa polake dhe Ushtria e Kuqe do të hynte në Gjermani, ku lëvizja komuniste ishte shumë e fortë, e gjithë Europa do të ishte bërë bolshevike, duke përfshirë edhe Francën.

Historia e Europës dhe botës do të kishte qenë shumë më e ndryshme nga ç’është sot. Në vitin 1939, Polonia, si shtet dhe si komb, luajti ndoshta mazurkën më heroike të saj, kur pranoi më mirë një ndarje të katërt të saj nga fuqitë e mëdha fqinje, se të pranonte ftesën e Hitlerit për një aleancë, në të cilën Polonia joshej me perspektivën e zgjerimit në lindje, në territorin e Bashkimit Sovjetik. Polonia preferoi që t’i qëndronte besnike aleancës së saj historike me Perëndimin, edhe pse u sakrifikua për këtë.

Sakrifica supreme ishte kryengritja e Varshavës e 1 gusht-2 tetor 1944, e njohur botërisht me termin “Warsaw Uprising”, ku fëmijë, gra, të rritur e të moshuar luftuan me çfarë kishin në dorë për të çliruar qytetin e tyre nga pushtuesit nazistë, por ku, të tradhtuar nga Ushtria e Kuqe e Stalinit u masakruan me qindra mijëra veta. Ndërsa me qindra ishin aviatorët e guximshëm polakë, që të inkuadruar në ushtrinë britanike, fluturuan në qiejt e Europës së pushtuar nga nazizmi dhe me misionet e tyre kontribuan në suksesin e Aleancës Botërore Antifashiste.

Bota shkencore e globit do të ishte më e varfër sot pa personalitetin dhe veprën e fizikanes polake laureate e Çmimit Nobel, Maria Slodovska, e njohur si Mari Kyri. Ndërsa, edhe sot e kësaj dite, gjeologët shqiptarë dhe specialistët e naftës punojnë me hartat e përgatitura në vitet 1930-40 të shekullit të kaluar nga gjeologu i njohur polak Stanislav Zuber, i vrarë në vitin 1945 në burg nga diktatura komuniste në Shqipëri.

Në kohën e Luftës së Ftohtë, kur Polonia dukej e nënshtruar, ajo luajti mazurkën e katërt madhështore me rëndësi për fatin e Europës dhe të botës, me Papa Gjon Palin II (ose ndryshe polaku erudit, filozof dhe poet Karol Vojtila) si lider shpirtëror, i cili përgatiti revolucionet në Europën Lindore që përmbysën “Perden e Hekurt” komuniste, si dhe me qëndresën antikomuniste të Solidarnostit, të drejtuar nga Les Valesa.

Asnjë vend tjetër ish-komunist nuk ka ecur më mirë se Polonia, në të gjitha fushat, atë të ndërtimit të institucioneve demokratike, të shtetit ligjor, të modernizimit të ushtrisë, të shoqërisë civile, të ekonomisë. Polonia, në pak më shumë se 25 vjet ka shënuar arritje të jashtëzakonshme. Ky vend ka sot një ekonomi në rritje dhe një monedhë të fortë, sa polakët mendohen dy herë para se të kërkojnë të anëtarësohen në Eurozonë, duke pasur parasysh problemet e saj me stanjacionin në vitet e fundit.

Sot Polonia është faktikisht një fuqi e madhe europiane, vendi i pestë në Europë për potencialin ekonomik, si dhe një shtyllë e rëndësishme e NATO-s në Europën Lindore. Kjo është mazurka e pestë historike e Polonisë, nga e cila në shekullin XXI Europa dhe bota me siguri që kanë akoma shumë për të parë. Mazurka e pestë historike e Polonisë mund të jetë më madhështorja nga të katër të tjerat, si një triumf paqësor i një populli të madh që e rigjen veten në atë shkallë të lartë të zhvillimit ekonomik, kulturor, shpirtëror, institucional që i takon të ketë.

Pa harruar mbrojtjen, për të cilën polakët janë shumë të kujdesshëm për shkak të mësimeve të historisë së tyre, si një vend potent i NATO-s, në të cilën u anëtarësua në vitin 1999. Polonia është një vend mik i Shqipërisë dhe këtë e ka treguar me prova. Për të gjitha marrëveshjet për integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike, të cilat kanë pasur nevojë për ratifikim nga parlamentet e vendeve anëtare, Polonia ka qenë gjithmonë në grupin e parë të vendeve që i ka ratifikuar.

Sa për kujdesin dhe angazhimin e Polonisë për të asistuar Shqipërinë në rrugën e saj të konsolidimit të institucioneve, për këtë gjë mund të flas edhe vetë, në cilësinë e titullarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Gjatë këtyre viteve 2012-2015 në këtë detyrë, një nga bashkëpunimet më të ngushta dhe më konstruktive e kam pasur pikërisht me institucionin homolog të Polonisë, Zyrën Supreme të Auditimit të Polonisë (e njohur në të gjithë botën me emrin NIK-u polak) dhe me drejtuesit e saj gjatë kësaj kohe, ish-Presidentin z. Jacek Jezierski, një figurë botërore e auditimit suprem publik, me zv.presidentin Vojciech Kutyla dhe me presidentin aktual të NIK, z.Krzystof Kwiatkowski, një personalitet i shquar i jetës politike në vend.

Dua të theksoj këtu kontributin konstruktiv të ambasadorit polak në vendin tonë, z. Marek Jeziorski, i njohur nga shumë shqiptarë jo vetëm si diplomat, por edhe si dashamirës dhe njohës i mirë i Shqipërisë. Katër vjet më parë, më 23 maj 2012, në Varshavë si KLSH nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi me NIK-un polak, një ndër institucionet supreme të auditimit ndër më të mëdhatë në Europë (me mbi 1700 auditues) dhe me shumë tradita.

Kjo marrëveshje nuk ishte një nënshkrim i thjeshtë letrash. Ajo u përgatit në bazë të parimeve të përbashkë- ta të respektit, besimit dhe bashkëpunimit dypalësh të Organizatave ndërkombëtare INTOSAI dhe EUROSAI, si dhe të motos së INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus Prodest (Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë)”. SAI polak është dhe mbetet një nga SAI-t më aktivë në arenën ndërkombëtare, duke zgjeruar njohuritë e tij të standardeve të auditimit dhe praktikat e mira, si dhe duke ndarë përvojën dhe arritjet e tij me SAI të shumtë partnerë, ndër të cilët është dhe KLSH.

NIK bashkëpunon intensivisht në kuadër të EUROSAI-t. Audituesit e NIK kanë ndihmuar audituesit e Gjykatës Europiane të Audituesve në misionet e tyre të auditimit të kryera në Poloni dhe kudo në vendet e Bashkimit Europian. Që nga viti 2010, NIK ka qenë SAI kryesues i Nënkomitetit të INTOSAI-t për Standardet e Auditimit të Brendshëm.

Në vitin 2012, NIK u emërua auditues i jashtëm i Organizatës Europiane për Kërkime Bërthamore (CERN). Gjatë katër viteve të fundit, bashkëpunimi mes dy institucioneve supreme të auditimit, KLSH dhe NIK, ka arritur në nivele të larta dhe është forcuar së tepërmi, në funksion të procesit të modernizimit, rritjes së standardeve dhe ngritjes së nivelit profesional të audituesve tanë.

NIK ka ofruar ekspertët dhe audituesit e tij më të mirë dhe më me përvojë për të ndihmuar audituesit shqiptarë në ngritjen e kapaciteteve të tyre për auditime të performancës, auditime financiare, të përputhshmërisë dhe rregullshmërisë, auditime të teknologjisë së informacionit, auditime të prokurimeve publike etj. SAI polak është më i votuari nga qytetarët ndër institucionet publike të Polonisë.

Arsyet e këtij imazhi tejet pozitiv qëndrojnë në një strategji dhe plan veprimi të shkëlqyer për komunikimin e brendshëm dhe të jashtëm. Eksperienca e vyer polake në këtë fushë do t’i shërbejë shumë KLSH drejt fitimit nga ky i fundit të besimit të plotë të publikut dhe vlerësimit të duhur të Parlamentit. Me Presidentin aktual të NIK, z. Krzysztof Kwiatovski, në mars të këtij viti në Varshavë nënshkruam një deklaratë të përbashkët, ku të dyja institucionet angazhohen për arritjen e objektivave të projektit të binjakëzimit IPA 2013, në përputhje me praktikat më të mira të BE-së dhe standardet e aplikuara nga Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI).

U zotuam për të punuar ngushtësisht së bashku për arritjen e rezultateve të pritshme të aktiviteteve të projektit. Ky projekt ka një rëndësi të madhe për Kontrollin e Lartë të Shtetit, pasi institucioni dhe audituesit do të kenë mundësinë të njihen me praktikat më të mira në fushën e auditimit dhe trajnimet, që do të kryhen gjatë implementimit të projektit do t’i shërbejnë ngritjes së tyre profesionale dhe modernizimit të auditimit të jashtëm publik në Shqipëri.

Në fund më lejoni të citoj nga parathënia e botimit “100 Simbolet Polake”: “Që nga anëtarësimi në Bashkimin Europian, Polonia ka qenë një partner i denjë dhe i qenësishëm. Vendi i përmbahet motos së Bashkimit Europian: “In varietate concordia” (unitet në diversitet, ose bashkim në shumëllojshmëri) dhe ndërkohë arrin të ruajë karakteristikat e tij të veçanta, sharmin e tij të shkëlqyer, ndoshta shumë të vështirë për t’u gjetur në ditët e sotme te kombe të tjera të kontinentit të vjetër… Cila është gjëja e parë që të vjen ndër mend sot kur mendon Poloninë? Përgjigjja varet nga ai që pyetet.

Shumica do të mendonin menjëherë Papa Gjon Palin e Dytë, e ndjekur nga Lëvizja Solidarnos (solidariteti). Të huajt përmendin gjithashtu Leh Valesën, Shopenin ose Nikolla Kopernikun (nëse e dinë që ata janë polakë), ata që shkojnë në filma përmendin Wajdan dhe Polanskin, ndërsa sportdashësit brohorasin për Boniekun e djeshëm dhe Levandovskin sot….

Për vetë popullin polak, simbolet e kombit janë Kështjella Wawel, kafshët si lejleku dhe bizoni, qelibari, ose siç quhet ndryshe ari i Balltikut dhe lumi Vistula, lumi i fundit i këtyre përmasave që ka mbetur i paprekur. Pa përmendur këtu himnin, emblemën me Shqiponjën e Bardhë dhe flamurin dyngjyrësh kuqebardhë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura