Mazhoranca miraton me 83 vota pro ngritjen e Komisionit Hetimor mbi akuzat e Dick Marty-t

Nov 26, 2020 | 13:57
SHPËRNDAJE

Me 83 vota të mazhorancës u miratua sot në Kuvend ngritja e Komisionit të Posaçëm Hetimor lidhur me akuzat e Dick Marty-t për krimet e pretenduara të luftës.

kuvendi

Ndërkaq kundër votuan 10 deputetë, ndërsa 10 të tjera abstenuan. Kujtojmë që Komisioni u propozua nga kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla.

Nëntë deputetë pritet të jenë pjesë e Komisionit të ri Hetimor. Sjellim në vëmendje që sipas kërkesës së Ballës, objektivi i Komisionit do të jetë formulimi brenda tre muajve i një raporti të detajuar mbi gjetjet e të gjithë institucioneve shqiptare mbi këtë çështje delikate.

Në projektvendim lidhur me kërkesën thuhet:  “Për ngritjen e komisionit të posaçëm të Kuvendit Për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues mbi gjetjet dhe konkluzionet që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri mbi çështjet e raportit të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Dick Marty mbi bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur, përfaqësues politikë shqiptarë ose institucione publike shqiptare, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve, në ndihmë të së ashtëquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Propozimi mbi ngritjen e Komisionit erdhi pas akuzave të kryeministrit Rama për kryedemokratin Basha lidhur me rolin e tij si përkthyes, ndërsa nuk nguroi ta cilësojë kreun e opozitës si  “kujdestar i dosjes së Shtëpisë së Verdhë”.

mir

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura