Maya Aliçkaj: Nuk e lë asnjëherë këngën për aktrimin, është shumë i varfër

Nov 20, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Ajo qe terhoqi vemendjen më shumë nga gjithë të tjerët në trupën e shfaqjes “Spiuni i Ballkanit”, ishte këngëtarja e këngës popullore, Maya Aliçkaj. Së pari, sepse pak e dinin që Maya paskësh studiuar për aktrim dhe së dyti, sepse edhe ata që e dinin, u çuditën njësoj për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar, që kur Maya është diplomuar në Akademinë e Arteve.

maya
Në konferencën për shtyp zhvilluar ditën e premte në Teatrin Kombëtar, regjisori i shfaqjes, Spiro Duni, tha se praktikisht Maya ishte aktorja e parë që kishte zgjedhur, që kur kishte vendosur të vinte këtë vepër të autorit serb Dushan Kovaçeviç, tri vite më parë. “Prej të njohurve të përbashkët, di që Maya ka qenë një studente e shkëlqyer, për më tepër që muzika është pjesë e kësaj shfaqjeje dhe asaj i rri shumë mirë”.

Nuk dimë se sa prej jush mendojnë që të kesh qenë studente e shkëlqyer përpara më shumë se 20 vitesh vlen për t’u ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar, megjithatë do të keni mundësinë vetë për të parë e gjykuar të gjithë trupën, përfshirë edhe Mayan, me një rol të rëndësishëm. Nëse ajo vetë e ka pasur apo jo të thjeshtë për ta marrë këtë vendim, e kemi pyetur vetë gjatë intervistës…

Ishte i papritur për të gjithë fakti që ju ishit pjesë e trupës së shfaqjes “Spiuni i Ballkanit”. Ata që nuk e dinin, menduan së pari se bëhej fjalë për një rol këngëtareje, por në fakt kënga zinte vetëm një pjesë të interpretimit…Si u bëre pjesë e kësaj shfaqjeje?
Roli i Danicës më është propozuar tri vite më parë, që kur regjisori Spiro Duni kishte nisur të mendonte për të vënë në skenë pjesën “Spiuni i Ballkanit”. Me Spiron nuk kisha pasur njohje të drejtpërdrejtë deri atëherë, e njihnim njëri-tjetrin vetëm përmes rrethit të njohur të përbashkët. Sigurisht që ai e dinte që kisha studiuar për aktrim, por vetëm kaq. Sidoqoftë, ky propozim i parë thuajse ishte harruar deri në kohën që bisedat për shfaqjen nisën të bëheshin konkrete. Më tha sërish, sikundër tri vite më parë, se donte që Danica, personazhi im në vepër, të isha unë.

Ju si e pritët, nuk nguruat fare për ta pranuar? Pyes për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar qysh kur keni përfunduar studimet për aktrim. Më shumë se 20 vjet…
Nuk mund të them që e pranova menjëherë. Në fillim ngurova, por jo për shkak të pasigurisë që mund të kisha në aspektin interpretativ. Kur më erdhi propozimi, isha në një fazë të jetës në të cilën doja t’u kushtoja rëndësi gjërave të mia private; t’i kushtohesha kësaj shfaqjeje, do të më largonte sërish nga dëshirat për të ngjizur një fëmijë megjithatë, është një gjë që do të vijë, edhe nëse e shtyja pak, kështu që pranova.

Ndriçim Xhepa dhe Maya Aliçkaj, gjatë shfaqjes “Spiuni i Ballkanit”
Ndriçim Xhepa dhe Maya
Aliçkaj, gjatë shfaqjes
“Spiuni i Ballkanit”

Asnjë lloj hezitimi nga pikëpamja profesionale? Ju nuk e keni ushtruar asnjëherë degën për të cilën keni studiuar, apo jo?
Jo, në Shqipëri jo. Kam pasur dy role të vogla në Gjermani, por që atëherë kanë kaluar më shumë se 13 vite, kështu që thuajse nuk jam marrë fare. Megjithatë, kur e marr përsipër një punë, dua që ta bëj mirë, ndryshe nuk them po.

Pse e latë aktrimin për t’u marrë me muzikë?
Të tilla ishin rrethanat. Kur unë kam mbaruar studimet, në Shqipëri nuk ndodhte asgjë. Ishin vite të vështira, gjatë të cilave nuk mund të bëheshe as aktore, as këngëtare. Unë u largova për Gjermani dhe ishte atje që nisa të këndoja për komunitetin shqiptar për të bërë më pas, vite më vonë, edhe këngë të miat.

Këngë tuajat të Shqipërisë së Jugut. Përveçse ju jeni vetë andej dhe sigurisht që mund të jetë zgjedhje e natyrshme, a siguronin këto këngë, në kohët që ju nisët t’i këndonit, më shumë të ardhura?
Po mundet, po nuk ishte vetëm kjo. Në përgjithësi këngët e Jugut ishin trend i kohës, flas për vitin 2007, kur kënga ime e parë e kompozuar nga Adrian Hila ishte sukses i menjëhershëm.

Megjithëse këngët tuaja mund të jenë të pëlqyera nga masa, duhet thënë se teatri është më elitar. Të paktën duhet të ishte… Në këtë sens, a ke ndier gjatë kësaj kohe njëfarë paragjykimi nga kolegët e tu aktorë?
Absolutisht jo, ka qenë një pritje shumë e mirë dhe një trupë aktorësh që më ka bërë të ndihem vërtet mirë.

Në vijim të logjikës së mësipërme, duhet thënë gjithashtu se një nga një koncert fitoni më shumë para se sa…nuk e di se sa shfaqje bashkë…Në këtë rast jeni ju që mund t’i shihni me keqardhje kolegët…
Kjo po, duhet thënë, është për të ardhur keq. Financiarisht nuk ka të krahasuar aktrimi me këngën. Jo vetëm që nuk më vlen përfshirja në shfaqe në këtë aspekt, por, përkundrazi, më ka prishur punë sepse më është dashur të heq dorë nga disa koncerte.

Shfaqjet janë në fundjavë, atëherë kur janë edhe koncertet…
Po, këtë kohë nuk do t’i kushtohem shumë këngës, megjithatë nuk e lë asnjëherë.

Nuk është që ka rrezik të të pëlqejë aktrimi aktiv? Apo, edhe nëse ka, është profesion i varfër…
Do të pranoja ndonjë projekt, nëse më propozohet, se vetë nuk e kërkoj, e shumta, një herë në dy vjet. Kënga për mua është primare.

Ani Jaupaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura