Maxhoranca s’gjen 84 vota për Kodin, por Kuvendi kalon ligje me 108 vota. PS i zgjeron ‘numrat’ në Kuvend

Jul 3, 2020 | 11:20
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/Kryeministri Rama, në fjalën e tij dje në Kuvend, i mëshoi idesë se Reforma Zgjedhore duhet të miratohet me konsensus.kuvendi

Sipas tij, janë tri palë të interesuara për këtë proces: maxhoranca socialiste, opozita e bashkuar dhe opozita e re parlamentare. Duke qenë se të trija palët kanë kërkesat dhe qëndrimet për këtë çështje, Rama tha se do të dëgjohen edhe deputetët e opozitës në Kuvend, pasi PS-ja nuk i ka 84 votat e nevojshme për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që u dakordësua dhe punua nga ekspertët në Këshillin Politik për Reformën.

Por pas fjalës së Kryeministrit, në sallën e Kuvendit filloi edhe procesi i votimit për 10 çështje që ishin në rendin e ditës. Në kushtet e pandemisë së COVID-19, votimi në Kuvend u bë me letër dhe rezultatet e lexuara nga Kryeparlamentari Gramoz Ruçi në fund të seancës ishin pak a shumë të njëjta me ato të seancave të këtyre 14 muajve të fundit.

Të gjithë ligjet, aktet dhe dekretet e Presidentit Meta morën mbi 84 vota. Madje ishin 4 akte që u kaluan në Kuvend, të cilat morën një mbështetje gati unanime në Kuvend, duke i kaluar 100 votat. Më shumë vota “jeshile” në kuti ishin hedhur për dekretin e Presidentit Meta për të emëruar në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit Arben Shehun, i cili u mbështet nga 108 deputetë për të marrë këtë detyrë shumë të rëndësishme.

Por edhe shumë ligje të tjera morën votat “pro” nga ata deputetë që kanë firmosur në dokumentin me 28 firma, ku kërkohet ndryshimi i Kushtetutës për të hapur sistemin. Janë pikërisht disa nga këta deputetë, që kanë paralajmëruar se nuk do të japin votën e tyre “pro”, nëse nuk u merret parasysh kërkesa për të ndryshuar sistemin.

Votimi tregoi edhe një herë se në Kuvend maxhoranca është shumë më e gjerë se grupi parlamentar socialist dhe disa nga deputetët opozitarë janë shprehur pro nismave ose ligjeve që qeveria çon në Kuvend.

LIGJET E MIRATUARA DJE NË KUVEND

Projektrezoluta për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave u miratua me 91 vota pro, 12 kundër dhe 10 abstenim.

Projektrezoluta për BSH-në u miratua me 97 vota pro, 9 kundër dhe 8 abstenim.

Raporti vjetor i AMA-s për vitin 2019 u miratua me 84 vota pro, 14 kundër dhe 16 abstenim.

Projektrezoluta për RTSH u miratua me 85 vota pro, 16 kundër dhe 14 abstenim.

Projektligji “Për ratifikimin e ndryshimit të Protokollit II të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë të ratifikuar u miratua me 104 vota pro, 7 kundër dhe 5 abstenim.

Projektligji “Për aderimin e Shqipërisë në konventën e ndryshuar të (EUTELSAT)” u miratua me 107 vota pro, 5 kundër.

Projektligji “Për pranimin e vendimit II/1 të palëve, që ndryshon “Konventën e Aarhusit” u miratua me 96 vota pro, 9 kundra dhe 6 abstenim.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10192, datë 3.12.2009, `Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë`, të ndryshuar”, u miratua me 91 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenim.

Dekreti i Presidentit për zonat (BID) u rrëzua me 84 vota kundër, 21 vota pro dhe 8 abstenim.

Dekreti i Presidentit për kreun e KLSH-së: 108 vota pro, 5 kundër dhe 4 abstenim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura