Maxhoranca nis ndryshimin e Kodit Zgjedhor pa opozitën. Zbardhet debati Ruçi-Halimi në konferencën e kryetarëve

Feb 27, 2015 | 23:17
SHPËRNDAJE

Maxhoranca ka vendosur nisjen e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor pa konsensusin e opozitës. Deputetët e opozitës kanë votuar dje në seancën parlamentare kundër programit të punës së Kuvendit, pikërisht sepse në rendin e punimeve ishte vendosur nisja e diskutimeve për projektligjin e paraqitur prej deputetëve të maxhorancës mbi amendimin e disa neneve të Kodit Zgjedhor.

Eduard Halimi/ Gramoz Ruci

Debati për këtë pikë ka nisur në mbledhjen e konferencës së Kryetarëve. Mësohet se kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së ka kërkuar nisjen e diskutimeve mbi këtë projektligj me procedurë të përshpejtuar. Kjo për shkak të afrimit të zgjedhjeve, si dhe duke iu referuar dy shkresave të dërguara prej KQZ-së, e cila kërkon rishikimin e disa neneve të Kodit Zgjedhor, pasi në formën aktuale sjellin probleme në administrimin e votimeve të 21 qershorit.

Propozimi i Ruçit është kundërshtuar prej deputetit të PD-së Eduard Halimi, i cili mësohet të jetë shprehur se kjo pikë nuk mund të kalojë për diskutim pa arritur në një draft të përbashkët mes maxhorancës dhe opozitës. Ndaj ka kërkuar ngritjen e komisionit të përbashkët parlamentar për të arritur në një draft që do të ketë pëlqimin e të dy palëve. Duke kundërshtuar Halimin, kreu i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, ka argumentuar se propozimet e paraqitura janë thjesht çështje teknike.

Madje mësohet se ai është shprehur se nismëtarët janë mbështetur në amendamentet e propozuara prej vetë KQZ-së. Ndërkohë, Ruçi ka marrë angazhimin se në seancën parlamentare ku do të votohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, nuk do të miratohet asnjë nen pa pasur më parë dhe pëlqimin e opozitës. Ndaj dhe është nënvizuar se diskutimet do të kalojnë në diskutime në komisionet parlamentare.

Por, dhe ky argumentim nuk i ka bindur përfaqësuesit e opozitës, të cilët kanë nënvizuar se është i papranueshëm fakti se bëhet një nismë e njëanshme dhe kërkohet të kalohet për votim, pa u konsultuar më parë dhe me opozitën. Pavarësisht debatit, maxhoranca ka vendosur me shumicë votash nisjen e diskutimeve për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

NDRYSHIMET
Deputetët e maxhorancës kanë paraqitur në Kuvend nismën për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ku saktësohet se zgjedhjet do të administrohen nga 90 komisione zonale të administrimit të zgjedhjeve. KZAZ-të do të organizohen në bazë të hartës së re territoriale, ku Tiranës do t’i shtohen dhe dy ZAZ, si dhe do të ketë një ZAZ më vete për zonën e Konispolit. Po ashtu, deputetët kanë kërkuar rishikimin e administrimit të listave zgjedhore prej 11 minibashkive të Tiranës. Në propozim kërkohet që të hiqet cilësimi minibashki dhe vendosja e termit njësi administrative.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura