Maxhoranca ndryshon ligjin, prokurorët dhe gjyqtarët në dorë të kreut të ILD-së. Si parashikohet pezullimi i tyre brenda tri ditësh

Feb 7, 2020 | 9:17
SHPËRNDAJE

ligjet manja komision

MARIGLEN KUME/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të pezullojë një gjyqtar apo prokuror, ndaj të cilit ka nisur një procedim disiplinor brenda tri ditëve.

Komisioni i Ligjeve miratoi dje ndryshimet në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku ndër të tjera i jep kompetenca kreut të ILD-së që të hetojë prokurorin ose gjyqtarin, ndaj të cilit ka një procedim disiplinor dhe pasi krijon bindjen ua kërkon këshillave përkatës, Këshillit të Lartë të Prokurorisë në rastin e prokurorëve ose Këshillit të Lartë Gjyqësor në rastet e gjyqtarëve.

Dy deputetët iniciatorë të Komisionit të Ligjit, Adnor Shameti dhe ALket Hyseni, u shprehën se këto ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve lindën gjatë rrugës së ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë.

“Gjykuam që ky institucion (Inspektori i Lartë i Drejtësisë) nuk mund të presë një radhë pune normale. Kur ndodhin fenomene të caktuara që sjellin sensibilitet të lartë në opinionin publik, menduam që ky institucion duhet të ndërhyjë menjëherë me masa provizore të ngrirjes së veprimtarisë së magjistratëve të caktuar, për të vazhduar më tej me një procedim normal”, tha deputeti Hyseni.

Ndërsa sipas Adnor Shametit, nisma e tyre ligjore kërkon të rrisë besimin e qytetarëve tek institucionet e reja të drejtësisë.

“Thelbi i nismës sonë është cenimi i besimit të publikut në organet e drejtësisë. E gjej me vend që të sjell para komisionit domosdoshmërinë e kësaj nisme. Sot është operativ figura e ILD, që kompleton organet e reja të drejtësisë. Ka pasur një vendim të Gjykatës Kushtetuese në 2017, që ka shfuqizuar dispozitën e parashikuar origjinalisht në ligjin që ne kërkojmë të ndryshojmë, lidhur me masën e pezullimit të magjistratëve. Kjo nuk na ka penguar në paraqitjen e kësaj nisme, pasi kemi marrë praktikat më të mira të vendeve europiane. Një gjë e tillë është e domosdoshme, sidomos kur një magjistrat konsumon një vepër penale”, tha deputeti Shameti.

KUNDËRSHTITË

Ndonëse ndryshimet në ligj nuk morën asnjë votë kundër, hartuesi i Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, dhe deputeti Bashkim Fino shprehën rezerva nëse ndërhyrjet e shpeshta në Reformën në Drejtësi janë të nevojshme apo jo. Sipas Xhafajt, ndryshimet ligjore shpeshherë bëhen si rrugë më e shkurtër edhe kur ka paaftësi në zbatimin e ligjeve dhe se duke dashur të përmirësohet një ligj, mund të cenohet reforma.

“Për t’i dhënë zgjidhje mënyrës se si zbatojmë ligjin, gjëja më e thjeshtë që bëjmë, hajt të ndryshojmë ligjin. Mendoj se kjo është një qasje e gabuar. Ka nevojë për një analizë të thelluar, për të kuptuar se çfarë është pjesë e gabimeve tona dhe çfarë është pjesë për t’u mbështetur me reflektime përkatëse. Mund të synojmë t’u vendosim vetulla institucioneve të caktuara, por mund t’ia prishim sytë Reformës në Drejtësi”, tha Xhafaj.

Edhe Fino tha se ndryshimet në ligje duhet të bëhen pasi të ketë një analizë për ecurinë e Reformës në Drejtësi. “Ajo që më intereson mua është që të mos bëjmë arnime. Ne kemi bërë një Reformë në Drejtësi të re që ka pak vite dhe që do të thotë që jetëgjatësia të jetë dhe t’i rezistojë kohës. Ajo që më shqetëson mua si parlamentar i vjetër është që të mos fusim duart sa herë të shohim që s’ecën gjithçka. Kur do të bëhet analiza, kjo është pyetja retorike”, tha Fino./Panorama.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura