Maxhoranca e nis Kuvendin me rrëzimin e dy dekreteve të Nishanit

Sep 2, 2015 | 8:00
SHPËRNDAJE

Akti normativ i qeverisë për rishikimin e buxhetit të vitit 2015 dhe dy dekretet e kthyera të Presidentit Nishani do të jenë përballjet e para mes maxhorancës e opozitës në Kuvend për këtë sesion parlamentar.

Konferenca e Kryetarëve
Konferenca e Kryetarëve
Konferenca e Kryetarëve që do të mblidhet këtë të premte në orën 12:00, pritet të miratojë edhe kalendarin përfundimtar të punimeve për trejavorin e parë të punimeve të sesionit të pestë në legjislaturën e tetë të Kuvendit.

Sipas projekt-kalendarit të propozuar paraprakisht për kryetarët e grupeve parlamentare dhe krerët e komisioneve në Kuvend është përcaktuar që, duke filluar që në seancën e dytë plenare, të diskutohen rishikimet që do t’i bëhen buxhetit të shtetit.

Seanca e parë, që do të zhvillohet të hënën e 7 shtatorit, deputetëve të Kuvendit do t’u shërbejë vetëm për t’u përshëndetur mes tyre pasi në të do miratohet vetëm kalendari trejavor i punimeve dhe do të përcaktohen synimet që ligjvënësit do të kenë për këtë sesion parlamentar.

Rifillimi i punës në komisione do të përballë maxhorancën edhe me oponencën e parë të fortë të demokratëve. Pas udhëzimeve të marra dje në mbledhjen e kryesisë nga kryetari Basha, deputetët e opozitës do të kundërshtojnë me forcë ndryshimet në buxhet që paraqet qeveria, duke nënvizuar edhe vjedhjen e 160 milionë dollarëve në Tatime e Dogana.

Ndërsa në javën e dytë të komisioneve, deputetët e maxhorancës do të votojnë edhe një herë dy dekretet e kthyera të Presidentit Nishani për ligjin e arsimit të lartë dhe atë për turizmin.

Realizimi i reformës në Drejtësi ka bërë që, krahas punës që do të zhvillojë Komisioni i posaçëm i Reformës në Drejtësi, qeveria të propozojë për miratim projektligjin “Për sistemin e vlerësimit të veprimtarisë së gjyqtarëve”.

JUXHIN MUSTAFARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura