Maturantët në Tiranë protestë pas provimit të Matematikës/ Boçi: E njëjta skemë si me “Turin” e letërsisë vjet, tani i futur me varkën e tij brenda matematikës

Jun 12, 2021 | 15:49
SHPËRNDAJE

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, i cili u shpall fitues në zgjedhjet e 25 Prillit, Luciano Boçi të shtunën ka kritikuar Ministrinë e Arsimit në lidhje me reagimin që ata patën për testin e matematikës, menjëherë pas protestës së maturantëve.

luciano boci

Përmes një shënimi në rrjetin social Facebook, Boçi theksoi se oër të shuar zemërin e tyre të arsyeshëm dhe për të kontrolluar frikën e vet, ministria i premtoi maturantëve rishikim të shpërndarjes së pikëve nga ekspertët.

Sipas tij, kjo gjë është e njëjta skemë si me “Turin” e letërsisë vjet, tani i futur me varkën e tij brenda matematikës.

A thua se testi është formuluar në Ministrinë e bujqësisë dhe ekspertët e Kushit tani po e shohin testin?! Apo, ata që e hartuan janë ekspertë që i kanë inat maturantët, ndërsa këto të dytët (të Kushit) që do t’i shqyrtojnë, ekspertë që i dashurojnë?”, shkruan ai.

Shënimi i plotë:

EKSPERTËT E “DASHURISË” DHE TURI I MATEMATIKËS

Me “dashuri” të pamatë Ministrja e Arsimit i është drejtuar maturantëve protestuesë.

Për të shuar zemërimin e tyre të arsyeshëm dhe për të kontrolluar frikën e vet, i premtoi rishikim të shpërndarjes së pikëve nga ekspertët.

Është e njëjta skemë si me “Turin” e letërsisë vjet, tani i futur me varkën e tij brenda matematikës.

Është po e njëjta fabul e pushtimit të dijes nga injoranca e paaftësia!

Po nga cilët ekspertë?!

A thua se testi është formuluar në Ministrinë e bujqësisë dhe ekspertët e Kushit tani po e shohin testin?!

Apo, ata që e hartuan janë ekspertë që i kanë inat maturantët, ndërsa këto të dytët (të Kushit) që do t’i shqyrtojnë, ekspertë që i dashurojnë?!!!

Po kjo duket sheshit që nuk është histori ekspertësh.

Mbetet një histori e përsëritur Turi, Bese e Kushi me kapiten Ramën që me varkën e tyre me rrema, rrejnë njerëzit e shijojnë pushtetin duke pluskuar në detin e paaftësisë e duke grabitur të ardhmen e brezave të tërë.

Kushi më mirë të mos kishte folur duke i dhënë rremave për të zmadhuar rrenat e arsimit në Shqipëri.

Por meqenëse foli, së paku t’i kishte kërkuar falje maturantëve për daljen e testeve në rrjete sociale, sikur të ishin fatura lokalesh.

E mira do ishte që për të mirën e maturantëve të largohej fare nga varka turiste e Ramës!

Protesta studenteve

Kujtojmë se Maturantët në kryeqytet protestuan përpara Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, për vështirësinë në provimin e matematikës, që e zhvilluan dje, 11 qershor.

Të rinjtë maturantë kërkuan ripërsëritje të testit të matematikës ose të rishikohet pikëzimi.

Rreth 34 mijë maturantë iu nënshtruan dje provimit të tretë të maturës shtetërore, atij të lëndës së Matematikës. Testi në total kishte 60 pikë dhe pragu i kalueshmërisë është 25 % (15 pikë).

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/