Maturantët me mesatare nën 6 s’hyjnë në universitet. Si llogaritet

Jun 2, 2016 | 8:07
SHPËRNDAJE

Këshilli i Ministrave miraton propozimin e Ministrisë së Arsimit për të mos futur në universitet maturantët që në vitet e gjimnazit nuk kanë së paku mesataren gjashtë. Kjo është bërë publike prej muajsh, ndonëse ka marrë miratim vetëm një ditë më parë nga qeveria.

Universitet
Universitet

Vendimi pritet të shkojë në Parlament nga ku do të diskutohet në komisione me grupet e interesit. Mesatarja dysheme si kusht për të aplikuar në universitete është pjesë e ligjit për arsimin e lartë, i cili ua lë në dorë institucioneve të arsimit të kryejnë përzgjedhjen e studentëve. E vetmja ndërhyrje e qeverisë në ligj është nota mesatare dysheme.

LLOGARITJA E MESATARES

Të gjithë maturantët e rinj e të vjetër që dëshirojnë të ndjekin studimet në një nga universitetet private të vendit duhet të kenë notën mesatare të gjimnazit më të lartë se gjashtë, si kusht për të aplikuar.

Sipas vendimit të qeverisë, kjo mesatare dysheme mbetet në fuqi jo vetëm për maturantët, por edhe ata që përfundojnë studimet bachelor e dëshirojnë të ndjekin studimet master.

“Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë kandidatët që kanë përfunduar me sukses nivelin e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare”.

Vendimi u jep fund paqartësive mbi përllogaritjen e notës mesatare. Kështu, bëhet fjalë për notën mesatare të thjeshtë përgjatë gjithë viteve të gjimnazit për lëndët specifike që kërkon çdo program studimi dhe mesataren e provimeve të maturës shtetërore.

“Nota mesatare për pranim në institucionet e arsimit të lartë, përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm: a)mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit; b)mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës shtetërore”, përcaktohet në vendimin e qeverisë.

Përjashtohen nga kushti i notës mesatare dysheme ata që nuk arrijnë këtë nivel, por kanë dëshirë të ndjekin programet e studimit një apo dyvjeçare. Kështu, gjatë kohës së aplikimit me “Formularin e aplikimit në IAL”, i cili do të bëhet publik në fundin e muajit korrik, aplikantëve me mesatare nën 6 në portalin e maturës do t’u shfaqen të gjitha degët e studimit dhe mund të aplikojnë në të gjitha (përveç atyre ku universiteti ka vendosur mesatare të dytë).

Ndërsa për maturantët “pesanjozë”, nga moria e degëve të studimit, do të jenë aktive vetëm shkollat e larta profesionale. Gjithë këtë procedurë do ta kryejë Agjencia Kombëtare e Provimeve, që në ligjin e arsimit të lartë ka emrin Qendra e Shërbimeve Arsimore.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura