Matura Shtetërore, formularët që duhen plotësuar për 2015

Feb 26, 2015 | 13:00
SHPËRNDAJE

Ministria e Arsimit ka publikuar dje formularin A1 për maturantët dhe formularin A1Z, i cili u vjen në ndihmë kandidatëve që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2015.


Plotësimi i tyre edhe këtë vit do të bëhet online. Bashkë me formularët, janë bërë publike edhe udhëzimet që detajojnë mënyrën e aplikimit. Referuar rregullores së Maturës Shtetërore për këtë vit, aplikimi do të realizohet në dy faza.

Fillimisht maturanti aplikon në portalin qeveritar, e-albania në periudhën 1-15 mars 2015 dhe më pas në portalin e maturës në periudhën 10-31 mars 2015, sipas një plani kalendarik që do të shpallet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve.

Edhe për kandidatët që kanë përfunduar maturën para vitit 2015, plotësimi i formularit A1Z do të fillojë në portalin qeveritar për të vijuar në një shkollë që e përcakton drejtoria apo zyra arsimore.

FORMULARI A1
Të gjithë maturantët kanë mundësi që online të bëjnë plotësimin e formularit, ku përveçse shënojnë të dhënat e tyre, përzgjedhin edhe lëndët për të cilat do të testohen në fund të vitit.

Gazeta boton sot formularin, tabelën e lëndëve, bashkë me kreditet për të gjitha shkollat, përfshirë edhe ato profesionale, si edhe udhëzimin përkatës për mënyrën e plotësimit. Formulari është i ndarë në tri pjesë, duke filluar me të dhënat personale, të cilat plotësohen nga maturanti.

Vlen të theksohet se numri i telefonit dhe adresa e email-it që shënohen në këtë rubrikë nuk duhet të ndryshohen deri në përfundimin e shkollës, pasi maturanti do të njoftohet në vijimësi për ecurinë e procesit.

Sakaq, të dhënat shkollore plotësohen në bashkëpunim me mbikëqyrësin e sallës, ndërsa ato lëndore plotësohen nga vetë maturanti. Aty bëhet zgjedhja e lëndëve që do të jepen si provim me zgjedhje. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, duhet që shuma e krediteve të lëndëve të mos jetë më e vogël se tetë.

FORMULARI A1Z
Bashkë me formularin A1 është publikuar edhe formulari A1Z, i cili u vjen në ndihmë të gjithë atyre që e kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit 2015.

Të drejtën për plotësimin e tij e kanë, veç atyre që kanë mbaruar shkollën para vitit 2015, edhe kandidatët që nuk janë shpallur fitues në asnjë program studimi në maturat e më- parshme, ata që janë shpallur fitues në një program studimi në maturat e mëparshme, por nuk janë regjistruar ose janë çregjistruar gjatë vitit të parë akademik.

Ndërkohë, kur studenti vazhdon studimet në vitin e dytë e më tej, për të plotësuar formularin A1Z duhet të marrë miratim në MAS.

PROVIMET
Maturantët këtë vit do të duhet të japin tri provime me detyrim, duke përfshirë edhe gjuhën e huaj, që ndryshe nga vjet, nuk do të jetë më në nivel elementar, por mesatar.

Udhëzimi përcakton që testi të jetë në nivelin mestar, sikundër cilësohet ai B1 dhe jo në nivelin elementar, apo thënë ndryshe A2, që u praktikua në maturën e vitit 2014.

LLOGARITJA E PIKËVE


Ministria e Arsimit ka vendosur të lërë të pandryshuar formulën për përllogaritjen e pikëve që do të përfitojnë maturantët. Edhe këtë vit skema që do të aplikohet do të jetë e njëjtë. S={(26 x M + 20 x(D1 + D2)x K +17x (Z1 x F1 x Z2 x F2)} x 5. 

Nga ku nota mesatare (M) do të vlerësohet me 26%, provimet e detyruara (D1 dhe D2) me 20%, lëndët me zgjedhje (Z1 dhe Z2) 17%, koeficienti i shkollës (K) me 1.4, ndërsa F1 dhe F2 janë koeficientet e lëndëve me zgjedhje. Totali i pikëve që do të përfitojnë maturantët në përfundim të provimeve do të kushtëzojë edhe garën e mëtejshme për në universitet.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura