Matura Shtetërore, del Formulari A2

Jul 9, 2011 | 10:32
SHPËRNDAJE

Publikohet udhëzimi për plotësimin e formularit A2. Maturantët do ta plotësojnë vetëm pas datës 22 korrik, pasi të kenë dalë të gjitha rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore. Ashtu siç bën me dije Ministria e Arsimit, të gjithë maturantët duhet ta lexojnë me kujdes.Nëse gabojnë gjatë plotësimit, s’kualifikohen dhe nuk mund të konkurrojnë për në shkollat e larta, sado nxënës të mirë të jenë. Përcaktimi i fituesve ndërmjet maturantëve kandidatë për studime në institucionet e Arsimit të Lartë, sipas parimit meritë-preferencë, bëhet i shprehur si më poshtë: Parimi i meritës përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore dhe për programe studimi të caktuara, si edhe në bazë të plotësimit të kritereve të veçanta të vendosura nga institucionet e Arsimit të Lartë dhe të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Parimi i preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatëve i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre. Për të fituar të drejtën e pranimit në universitetet e Shqipërisë, çdo maturant duhet të plotësojë formularin A2 origjinal. Formulari A2 është i personalizuar për secilin maturant, sipas të dhënave që ai ka plotësuar për formularin A1. Për të marrë formularin A2, maturanti duhet të ketë kryer pagesën prej 2 000 lekësh në një bankë ose në postën shqiptare dhe të paraqesë faturën. Para se formulari A2 t’i jepet maturantit, nga mësuesi kujdestar do të plotësohet me përgjegjësi dhe pa korrigjime nota mesatare. Formulari A2 në pjesën e pasme përmban disa udhëzime të shkurtra. Në fund janë vendet ku do të firmoset nga nxënësi, mësuesi kujdestar dhe drejtori i shkollës. Mësuesi kujdestar dhe drejtori i shkollës mbajnë përgjegjësi për formularët e shpërndarë, pasi janë unikë dhe nuk riprodhohen. Për marrjen nga maturanti të formularit dhe dorëzimin te mësuesi, do të shërbejë një tabelë që shoqëron formularin A2. Ky formular mund dhe duhet të fotokopjohet nga nxënësit për t’u ushtruar në plotësimin e saktë të tij, por do të dorëzohet origjinali i plotësuar pasi fotokopja është e pavlefshme. Leximi i formularit do të bëhet në mënyrë elektronike. “Kujdes në plotësimin e saktë të formularit A2. Studioheni, konsultohuni dhe vetëm pasi të jeni bindur, plotësoni origjinalin. Ju do të shpalleni fitues vetëm në një program studimi dhe programin e studimit tuaj të preferuar e përcaktoni me plotësimin e saktë të formularit A2. Lexoni me kujdes udhëzimet.”,sqarojnë specialistët e MASH.
Personalizimi i formularit
Formulari A2 është prodhuar i personalizuar për secilin nxënës të republikës që ka plotësuar formularin A1 dhe figuron në bazën e të dhënave. Të dhënat për nxënësin janë marrë nga plotësimi i formularit A1. Në krye të formularit A2 është sigla e Pranimeve 2011 në Arsimin e Lartë, përmes parimit meritë-preferencë, emri i shkollës, rrethi, qyteti ose fshati dhe në të djathtë ID e maturantit. Në pjesën e majtë është vendosur emri, atësia dhe mbiemri i nxënësit dhe datëlindja e tij. Ky konceptim tregon se askush nuk mund të marrë një formular A2 që nuk i përket atij.
Kujdesuni të mbani mend saktë ID-në tuaj personale, sepse është pasaporta juaj e konkurrimit në Maturën Shtetërore 2011. Plotësoni personalisht formularin A2 në mënyrë që t’i kontrolloni vetë degët e vendosura. Mos e lini në dorë të personave të tjerë, sepse mësuesit, prindërit apo të njohurit kanë të drejtë vetëm t’ju këshillojnë. Përpara se të plotësoni formularin, shihni në Ëeb Site-n e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) koefiçientët e shkollës dhe të lëndëve me zgjedhje për programet e studimit që do të preferoni si dhe konsultohuni me pikët e fituesit të fundit për çdo program studimi në maturat e mëparshme. Maturantët kandidatë që kanë mbaruar një shkollë të mesme në profilin shoqëror, kanë më pak shanse të shpallen fitues në programet e studimit me profil natyror. Nuk sugjerohet plotësimi i më pak se 10 preferencave në formularin A2, sepse zvogëloni shanset tuaja për të fituar një të drejtë studimi. “Kujdes! Këshillojmë që të plotësohen të 10-ta preferencat, në mënyrë që të rrisni shanset tuaja të suksesit”, theksojnë specialistët e MASH. Nuk është e detyrueshme dhe është njëlloj e “dëmshme” nëse listën e preferencave e shtojmë artificialisht me programe studimi për të cilët nuk arrini pikët e mjaftueshme apo nuk keni mundësi (financiare) t’i ndiqni, sepse janë në universitete larg qendrës suaj të banimit (shembull, Shkodrani fitues në Gjirokastër). Kur të plotësoni formularin A2 nuk ka nevojë të përsëritet disa herë e njëjta preferencë, sepse nuk jep asnjë ndikim pozitiv në qenien fitues apo jo në këtë program studimi. Kjo do të thotë që preferenca juaj merret vetëm njëherë në konsideratë nga sistemi informatik.

 

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura