Matura, grafik konsultimesh dhe këshillim karriere për gjimnazistët

Apr 11, 2015 | 17:00
SHPËRNDAJE

Matura e sivjetme sjell risi. Duke nisur nga java që vjen, çdo shkollë duhet të ketë afishuar në këndin e maturantit datat dhe orët e konsultimeve për secilën nga lëndët që do të jepen provim. Ky është urdhri i fundit i Ministrisë së Arsimit në mbledhjen e një dite më parë të Komitetit të Maturës Shtetërore.

Maturantet ne provime

Kështu, drejtoria e shkollës duhet të afishojë në këndin e Maturës Shtetërore, grafikun e konsultimeve për secilën nga lëndët e detyruara dhe me zgjedhje së bashku me emrat e mësuesve që i zhvillojnë. Provimet me detyrim zhvillohen në bazë klase, ndërsa lëndët me zgjedhje mbi bazën e një grupi të formuar nga drejtoria e shkollës, duke marrë për bazë të dhënat e plotësuara në Formularin A1.

Ky grafik ka vlerë deri në përfundimin e shkollës, duke u zëvendë- suar më pas me grafikun e ri të konsultimeve të ditëve para provimeve. Ky proces do të monitorohet nga DAR/ ZA dhe përfaqësues nga Ministria.

Një tjetër risi e këtij viti është këshillimi i karrierës. Krahas grafikut të konsultimeve, në muajt prillmaj do të bëhet dhe një tjetër grafik, ai që do t’i orientojë maturantët në zgjedhjen e duhur për të ardhmen e tyre. Sipas Ministrisë së Arsimit, i njëjti mekanizëm do të funksionojë edhe për klasat e IX-a, të cilat duhet të zgjedhin mes një shkolle të mesme apo profesionale.

Përgjegjës për këtë do të jenë drejtuesit e shkollave në bashkëpunim me përfaqësues të ministrisë, ku do të ngrenë një komision të posaçëm që do të kryejë orë këshillimi për të rinjtë.

RASTE

Praktika e përdorimit të një sërë tekstesh të pacertifikuara që praktikoheshin në orët e konsultimeve nga mësuesit këtë vit do të marrë fund. Përdorur gjerësisht në vitet e kaluara, Ministria e Arsimit ka vendosur ta luftojë këtë fenomen që ka bërë që nxënësit të mësojnë disa tekste “të sajuara” nga mësues apo drejtues shkolle. Rregullat janë të qarta. Shkollat nuk do të jenë më qendra ku shiten tekste të pa miratuara nga Ministria.

Këtë vit, nëse do të zbulohet qoftë edhe një rast ku mësues apo drejtues shkollash detyrojnë maturantët të blejnë tekste, Ministria do të marrë masën e largimit nga puna. Por jo vetëm kaq.

Asnjë tekst konsultues që nuk ka vulën e Ministrisë nuk mund të bëhet tekst i detyruar gjatë orëve të konsultimeve. Ministria bën me dije se këtë vit nuk do të jenë disa, por vetëm një tekst i standardizuar, ndërsa konsultimi do të bëhet mbi bazën e një programi të hartuar nga ekspertë të Ministrisë.

Kjo, sipas tyre do të bëjë që maturantët të orientohen drejt një teksti, që rrjedhimisht do të sjellë edhe rezultatet e duhura. Vlerësimi i Maturës Shtetërore do të jetë një vlerësim edhe për mësuesin dhe drejtuesit e shkollës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura