Matja e emocioneve, raporti: Shqipëria vendi më pozitiv në Ballkan

Feb 9, 2016 | 9:36
SHPËRNDAJE

Ndonëse jetojnë në një ndër shtetet më të varfëra dhe më pak të zhvilluara të Europës, shqiptarët dinë të shijojnë jetën dhe nuk u mungojnë emocionet e mira për veten, si të ndihen të çlodhur, të trajtuar me respekt, të qëzuar, të qeshur, apo të bëjnë ndonjë gjë interesante.

foto ilustruese e nje dite nga jeta e shqiptareve
foto ilustruese e nje dite nga jeta e shqiptareve

Shqipëria konsiderohet ndër vendet pozitive në botë dhe më pozitivja në Ballkan, me 51% të personave që përjetojnë më shumë ndjesi pozitive se negative, sipas raportit të bërë publik nga Gallup për vitin 2015.

Vendi ynë renditet në vendin e 50 në listën e më pozitivëve në botë, nga 148 ekonomi të studiuara, dhe vetëm 8 % na ndan nga vendi më pozitiv që është Bolivia. Ndërsa i fundit në listë gjendet Banglandeshi.

Studimi i ndërmarrë nga Gallup bazohet në pyetjet që iu janë bërë njerëzve kudo në botë rreth respektit për të tjerët dhe vetes, çfarë mësojnë dhe a u intereson ajo, a qeshin shpesh, a shijojnë ditët e jetës së tyre çdo ditë etj. Ndërsa për të kapur ndjesitë negative pyetjet bazoheshin në dhimbjet e përjetuara, shqetësimet, stresi etj.

Shqipëria është më pozitivja në rajon. Kryeson me 51% të shfaqjes së pozitivitetit në jetën e përditshme, ndiqet nga Maqedonia me 47 %, Mali i Zi 46 %, Serbia me 42 %, Bosnja dhe Hercegovina me 41 % dhe Kosova me 41%, e listuar në fund.

Gallup mat emocionet e përditshme në 148 vende duke i pyetur njerëzit nëse ata kanë përjetuar pesë emocione pozitive dhe pesë emocione negative një ditë më parë. Pesë përvojat negative përfshijnë zemërim, stres, trishtim, dhimbje fizike dhe merak. Pesë përvojat pozitive përfshijnë të ndihesh i çlodhur, i trajtuar me respekt, i qëzuar, i qeshur, duke mësuar ose duke bërë diçka interesante. Vendet me më pak dhe më shumë emocione janë të bazuara në renditjen e mesatareve të përgjigjeve “po” për të gjitha pyetjet.

Në mënyrë të veçantë, pyetjet në lidhje me emocione pozitive dhe negative formojnë përkatësisht indekset pozitive dhe negative të Gallup. Të dy indekset bsynojnë të masin se si njerëzit jetojnë jetën e tyre – në krahasim me mënyrën se si njerëzit shohin jetën e tyre.
Në raport, 10 vendet më positive që kryesojnë janë ato latine, ndërsa të fundit në listë janë vendet që kanë probleme me konflikte dhe ekonomi të dobëta.
Për Shqipërinë kampioni ishte 1000 persona, me intervista ballë për ballë, të realizuara në verë 2015.

Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura