Mateo i vogël që nuk është më dhe ne të gjallët që flasim post mortum!…

Nov 17, 2021 | 13:17
SHPËRNDAJE

Luan rama

NGA LUAN RAMA

Sot Mateo do të duhej që, pasi të zgjohej nga gjumi në mëngjes, të bëhej gati pothuaj nxitimthi e si çdo ditë, të merrte çantën e librave dhe të shkonte në shkollë.

Bashkë me nxënësit e tjerë të klasës, do të mësonte diçka më shumë nga dje.
Por, edhe do të ndjehej një ditë më i rritur se dje.

Pa edhe do të luante, do të rendëte, do të qeshte e qante si të gjithë fëmijët e kësaj bote duke qenë gëzimi i prindërve, i familjes, e do t’i jepej rrjedhës së ditës së vet në fshatin e tij, për të vijuar nësër, pasnesër dhe ditëpasdite…

Mirëpo, për Mateon nuk do të ketë më as nesër, as pasnesër dhe as ditëpasdite në shkollë me libra apo jashtëshkolle duke rendur për në shtëpi.
Ai nuk do të mund të luajë dot më, nuk do të qeshë, nuk do të qajë, nuk do të ndjejë dot më as puthje e përkëdheli të mamit e babit!

Mateon do të jetë vetëm dhimbje!Dhimbje që do t’i zhuritë prindërit e tij, zemrat e të cilëve nuk mund t’i ngushëllojë më asgjë!

Ndërsa ne të tjerët, ne të gjallët që sot thërrasim e bërtasim që krimineli që vrau engjëllin e vogël me emrin Mateo të dënohet maksimalisht dhe që gjykatat të japin dënimin më të rëndë, do ta harrojmë Mateon.

Po, po, do ta harrojmë!

Sepse, këtë kemi bërë edhe më parë se Mateo të bëhej i njohur për ne prej krimit që i mori jetën, për të tjerë si ai që janë vrarë, që i kanë grabitur e që janë dhunuar.

Kemi shkruar ndonjë status apo kemi bërë ndonjë koment me fjalë dhimbjeje e ngushëllimi, siç bëmë edhe për Mateon të gjithë ne të gjallët; Presidenti, Kryeministri, ministra, deputetë dhe të tjerë si ata, por vetëm kaq!
Vetëm kaq e asgjë më tëper, sepse ne harrojmë!

Dhe harresa jonë, indiferenca jonë i dha një dorë vrasësit që vrau Mateon!

Këtë nuk e themi!

Dhe duke mos e thënë, ne nuk do të dimë ta parandalojmë vrasësin e rradhës.

Sepse, nëse ne të gjithë si shoqëri do të ishim ngritur në këmbë e ta tundnim qeverinë e kuvendin dhe ministrat e deputetët t’i vlerësonim e gjykonim nga puna që bëjnë e jo nga llafet dhe sherret që shesin nga foltorja e Kuvendit, që t’u kërkonim atyre se përse mungojnë në sistemin e institucioneve të administrimit ligjor të njerëzve kriminelë hallkat e rregjistrimit, mbikqyrjes dhe trajtimit të tyre, Mateo sot do të ishte në jetë, do të shkonte në shkollë e do të ishte me prindërit e tij.

Sot fjalët nuk kanë më asnjë vlerë, fjalët nuk ngushëllojnë askënd. Madje më shumë lëndojnë.
Sepse dëshmojnë mosveprimin tonë, dëshmojnë hipokrizinë tonë.

“E trupi i vocrrakut, i lokes së nanës, ishte bamë një shtatore e ngurët. Shtatore e ngurët e zhgulun nga gjini i nanës,” – na thotë Migjeni.�-Merrnie dhe çonie në qytet këtë shtatore. Vendosnie në një shesh! Dhe si përmendore kushtonia ndokujt!
Kushtonia atij që ka më shumë merita për këtë vend!
Po, ndoj ministrit o deputetit, o ndokujt tjetër…
E në rast se nuk gjeni ndonjë njeri që ka merita të mjaftueshme, atëherë kushtonia atij që ka merita ma pak; perëndis klasike”.

Mateo i vogël, sot është kumti i madh i alarmit për ne të gjallët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura