Matematika, publikohet çelësi me përgjigjet e sakta

Jun 10, 2015 | 13:58
SHPËRNDAJE

Me testin e Matematikës, maturantët mbyllën dje ciklin e provimeve me detyrim të Maturës Shtetërore. Pak orë pas përfundimit të testit, Agjencia Kombëtare e Provimeve publikoi testet dhe skemën e vlerësimit.

Maturantë në provim

Në bazë të çelësit me përgjigjet e sakta, maturantët me laps në dorë mund të përllogarisin përafërsisht rezultatin e tyre, pasi ai real do të publikohet pas korrigjimit nga specialistë të AKP-së, jo më larg se dy javë nga data e provimit.

Për 2 orë e gjysmë 46 mijë e 70 maturantë të të tria profileve: gjimnaz i përgjithshëm, gjuhësor dhe profesionale iu dhanë përgjigje 25 pyetjeve, 13 nga të cilat më alternativa dhe 12 me zhvillim.

Peshën më të madhe në test e kishin pyetje nga gjeometria dhe njehsimi diferencial e integralet. Nëse përllogarisin pikët, vetë maturantët mund të bëjnë edhe konvertimin e tyre në nota nëpërmjet një skeme tashmë të publikuar.

Falë skemës së vlerësimit, e cila përmban përgjigjet e sakta, maturantët e dinë tashmë nëse kanë kaluar apo jo testin. Sigurimi i të paktën 20% të 50 pikëve të testit, i bën ata të konsiderohen kalues.

Marrja e provimeve të detyruara bën që maturantët të kenë siguruar diplomën e shkollës së mesme, duke pasur të hapur rrugën për të fituar një nga degët e shkollës së lartë.

Ndonëse rregullat e administrimit kanë qenë shumë të forta, edhe këtë vit nuk është pamundësuar që teza e provimit të dalë përpara përfundimit të testimit.

Këtë e kanë dëshmuar vetë maturantët apo edhe rrjetet sociale të tejmbushura me foto që tregojnë persona duke ndihmuar të afërmit e tyre brenda ambienteve ku zhvillohej testi.

 Jo më larg se vitin e kaluar, plot 10 mijë maturantë mbetën në këtë provim, duke iu shtuar listës së kandidatëve të sivjetmë në garën për të fituar një vend për në universitet.

Sfida e radhës për maturantët e këtij viti mbeten dy provimet me zgjedhje që vetë maturantët kanë përcaktuar në formularin A1. Testimet janë parashikuar të zhvillohen brenda një dite, më 19 qershor, në një kohëzgjatje prej tri orësh.

 BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura