M’at anë të gardhit asgja e re

Oct 30, 2020 | 9:59
SHPËRNDAJE

2017-08-06-08_47_14-Luciano-Boci-Windows-Photo-Viewer-e1557227672882LUÇIANO BOÇI

Nji vransinë si plumbi pushonte mbi qytet gjithë ditën. Jeta zhvillohej e ngathët, disi xvarrisej. Gjethët e para të vjeshtës këputeshin nga dega, zig-zag e bajshin udhën nëpër ajër e sa përkitshin tokën si me thanë: qé, këtu asht vendi ynë”, shkruante Migjeni i qytetit të veriut.

Ky, pra, asht edhe vendi ynë.

Një vend ku pjellshmëria e partive asht e lartë dhe ajo e njerzve në ramje e sipër e ikja prej këtij vendi e papërmbajtshme.

Bamja e nji partie kërkon mund e punë, por në vendin tonë partia asht’ ma e lehtë se nji lutje hipokrite pas mëkatit.

Asht si t’thuesh nji formulë magjike. Mjafton me fut mbrenë fjalën “ndryshim” dhe ja ku u ba.

E mbas kësaj të duhet nji pod a nji ekran, ku fillon e shet mendime pa t’i ble kush e rreshton fjalë pa fund.

U flet njerëzve çka të vijnë n’krye.

Deliron në hapsina e kohna të përtejme, me bindjen se po çudit botën e po trand filozofinë e politikën.

Së brendshmi e din që s’ke thanë asgja të re.

Majë plehut vetja të duket si Sokrat i vuejtun dhe si prej “hekuri”, me demek “Zotni i hekurt”.

Po nuk je tjetër përpos nji politikan/e i vetëkënaqun, i përbam prej bakri t’përkulshëm deri në tokë, të shitshëm kollaj dhe të shkrijshëm lehtë.

U trumbeton t’habitunve prej teje, shpresa, andrra t’dikurshme, por bjen nder ta, zhelet e nji fjalori pa ngjyra, pa forcë e të rrethuem me nji bosh që të ndjell pranë zbrazëtinë.

Dikush nga larg edhe mezi të ka prit me t’pa. Mos ia përdor çiltërsinë e sinqeritetin!

Me t’pa, jo aty ku i mëson se ç’asht demokracia e nga duhet me linde e me ardhë ajo, por aty në atë ku ka vite që nuk të sheh, në përballjen e së keqes që prej vitesh e ke bishtnue.

E pra, – mendon ai, – kjo nuk ngjan me parti. Kjo asht diçka e rrejshme, e ujshme që fundin e ka te mullini i hasmit. E në kët shumë zhurmë nuk ka asgja të re.

E të tjerë përpara kanë ba të tilla grumbujsh e s’kanë qit gja n’dritë për njerëzit.

Sepse aty nuk i ka çue uja me kenë shërbëtor të t’dobtëve e as dashnia për demokraci. I ka çue marria e inatit dhe frika e suksesit “të tjetrit”.

Nji film i pamë e i ndigjuem me qindra herë ndër ne.

Shumë e shohin me dhimbë përsëritjen e mërzitshme, ndërsa hienat e së keqes që e nxitën me fjalë të rrejshme, duke i përkëdhel kënaqen me qeshje t’pandalshme, duke pa spektaklin fals që filmi prodhon.

“E m’at anë të gardhit asgja të ré. Vetëm që një rreze dielli, e cila kish depërtue retë dhe si shifet, tue mos gjetë vend ma të mirë në botë, kish ra në pleh. Një gjel, të cilin e kish zanë gjumi mbi pleh, u zgjue dhe ia tha kikirikuuun gjatë e tingllueshëm”

Por kanga e tij nuk tërheq vëmendjen e askujt. Ajo u shua nën dritën e agut që po vjen…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura