Mat, 60 persona në ditë ikin në Gjermani

Jul 7, 2015 | 13:17
SHPËRNDAJE

MAT – Të paktën 60 matjanë largohen çdo ditë nga vendlindja. Lajmi konfirmohet nga burime pranë Komisariatit të Policisë Mat, sipas të cilave banorët kanë udhëtuar kryesisht drejt Gjermanisë. Emigrimi ka nisur që në fillim të pranverës së këtij viti. Mirëpo, gjatë muajit qershor ka pasur një fluks në rritje të kërkesave për azil në Gjermani. Në zyrat e gjendjes civile Mat aplikojnë më shumë se 60 persona në ditë për pasaporta biometrike. Ka, madje, prej tyre, që aplikojnë në Dibër a Tiranë, duke e siguruar këtë dokument për tri ditë. Largimi masiv i banorëve, edhe nxënësve të shkollave, pritet të sjellë mbylljen e disa shkollave të ciklit të ulët dhe 9- vjeçar, sidomos në zonat rurale të Lisit, Komsisë e Bazit. Në bisedë me banorët e Matit që presin në radhë nga ora 07:00 deri në 16:00 mëson se rrjeti i atyre që merren me dërgimin e matjanëve jashtë vendit, është i ndryshëm.

“Para dy javësh, të afërmit e mi udhëtuan drejt Strugës dhe pastaj drejt Gjermanisë. Kanë paguar afro 250 euro për person. Tani janë sistemuar në një kamp. Nuk dihet fati i tyre. Unë po përgatis dokumente për 4 pjesëtarët e familjes dhe ndoshta nisem pas 7 korrikut, kur Merkeli të thotë diçka gjatë vizitës së saj në Tiranë”, u shpreh një banor i Karicës, që priste radhën për të aplikuar për pasaportë. Një burrë i moshuar që shoqëron nusen e djalit, thotë se disa ditë më parë ka funksionuar një linjë tjetër e dërgimit të matjanëve drejt Gjermanisë. “Personat që kërkonin të udhëtonin drejt Gjermanisë, fillimisht vajtën në Tiranë dhe prej këtu udhëtuan drejt Prishtinës. Prej andej kanë udhëtuar me avion, me afro 60 euro për person dhe janë vendosur në Gjermani. Kjo linjë ishte më pak e kushtueshme”, shtoi ai. Ndërkohë, linja tjetër e trafikut ka funksionuar Burrel- Shkodër-Kroaci-Gjermani. Çdo person ka paguar 300 euro. Dhjetëra gra me fëmijë të vegjël në prehër dhe të tjera shtatzëna presin radhën kur specialistet e “Aleat” do t’u lexojnë emrat për të kryer procedurat e aplikimit për pasaportë.

Temperatura e lartë, dendësia e njerëzve në 10-12 metra katrorë vend, zhurmat, kaosi, jo vetëm janë shqetësuese, por lehtë kupton se diçka e pazakontë po ndodh me banorët e Matit. Zyrtarë që shohin çdo ditë eksodin marramendës, thonë nën zë: “Me siguri shteti është në dijeni të kësaj lëvizje. Në qoftë se shteti ynë nuk e ndal dot këtë eksod, përse nuk ndërhyn Gjermania kur shqiptarët zbarkojnë në tokën e tyre”. Vargu i atyre që lënë vendlindjen shtohet çdo ditë. Vetëm për muajt maj-qershor 2015 janë kryer tre mijë aplikime për pasaporta biometrike, shumica e të cilave janë përdorur për azil në Gjermani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura