Mashtronte klientët dhe u merrte lekët, dënohet me 10 vite burg përmbaruesi

Mar 7, 2017 | 15:52
SHPËRNDAJE

Gjykata e Tiranës shpalli fajtor për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda përmbaruesin privat, Fatos Alimadhi, duke e dënuar me 10 vite burgim.

alimadhi-620x330

Po kaq ishte edhe kërkesa e Prokurorisë, e cila gjatë hetimit dhe shqyrtimit gjyqësor vërtetoi të paktën tre raste të mashtrimit. I pandehuri Alimadhi duke shfrytëzuar detyrën e tij si përmbarues privat, ka përvetësuar në mënyrë të jashtëligjshme shuma të konsiderueshme parash, të cilat përllogariten në rreth 4,5 milionë lekë të reja.

Më konkretisht Alimadhi pasi ekzekutonte vendimet e gjykatave që i jepnin të drejtën e dëmshpërblimit nga kompanitë siguruese të personave të aksidentuar, vlerën e caktuar nuk e kalonte në llogarinë e klientit, por e mbante për vete.

Ka mjaftuar denoncimi i një prej klientëve të dëmtuar, që skema mashtruese e përmbaruesit Alimadhi, të zbardhej. Përveç dëshmive të personave të dëmtuar, një provë mjaft e fortë gjatë procesit gjyqësor ndaj Alimadhit ishin edhe dokumentet e shoqërive sigurisë, që vërtetonin kalimin e fondeve për llogari të klientëve, por që ishin përvetësuar nga Alimadhi.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura