“Mashtrimi me produktet Bio”, eksperti: Ka abuzime, autoritetet duhet të ushtrojnë kontrolle

Dec 4, 2019 | 21:02
SHPËRNDAJE

 

Eksperti i certifikimeve Bio, Stefan Dano ka folur për produktet që tregtohen në tregjet tona dhe se kur një produkt plotëson kriteret e të cilësuarit si Bio.

dano

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Dano tha se një produkt Bio ka sistem të tërë certifikimi dhe se në vendin tonë ka dhe raste abuzimesh, për të cilat ligji parashikon penalitete.

“Procesi i etiketimit të produkteve Bio është vënë në zbatim nga Bashkimi Europian për të mbrojtur të gjithë konsumatorët nga mashtrimet e mundshme. Etiketimi për një produkt biologjik që ka marrë certifikatën nga ana e një inspektori është një dokument i rëndësishëm njohjeje si për ushqimin, por edhe një garanci për konsumatorin, që në mënyrë të përshtatshme mund të ndjekë të gjithë zinxhirin e prodhimit. Institucionet duhet të ushtrojnë kontrolle në subjekte pasi ka edhe abuzime. Kemi komunitetin shtetëror të kontrollit organik që nuk funksionon, por me VKM duhet të mblidhen çdo muaj, për të krijuar lidhje e njohje mes prodhuesve dhe fermave të certifikuara bio dhe konsumatorëve”-tha Stefan Dano.

Në rastet kur një fermer kërkon të marrë certifikatë që prodhimet e tij të cilësohen Bio, Dano tha se duhet të ndjekë disa hapa. Shumë produkte vendase shqiptare janë prodhime të mira, mundet që nëse testohen, të plotësojnë disa parametra organike, por për t’u quajtur vërtet bio apo organike, duhet që të kalojnë nëpër teste.

“Nëse fermeri është i bindur se ka disa pika të forta që ferma e tij është e pastër, njeh ligjin, atëherë duhet të kontaktojë trupat e certifikimit. Pasi i plotëson të dhënat e fermës, përcakton ditët e inspektimit. Në rastin e bizneseve të mëdha, ato kërkojnë inspektorë nga jashtë për certifikimin, edhe pse në Shqipëri ka inspektorë shumë të mirë. Pas kryerjes së inspektimit, trupi certifikues me personel me vete merr vendimin për certifikimin e kompanisë dhe publikon të dhënat në faqen zyrtare”-u shpreh Dano.

Përsa i përket kohëzgjatjes së certifikatës, Dano tha se kryesisht është 1 vjeçare e që kontrollohen vazhdimisht, ndërsa për koston e  prodhimeve Bio u shpreh se është më e lartë pasi edhe kujdesi ndaj këtyre produkteve është më i madh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura