Mashtrimi 2.2 miliardë euro, Berisha ‘zbërthen’ skemën: Biznesmeni i pushtetit i grabiti me mbrojtje të Olsi Ramës

Dec 2, 2022 | 7:45
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zbërtheu dje skemën sesi janë vjedhur mbi 200 mijë shtetas evropianë përmes call centerave që drejtohen nga këshilltari i ministres Olta Xhaçka, Amant Josifi, e që sipas tij siguronin mbrojtje nga vëllai i Kryeministrit Rama, Olsi Rama.

Sipas Berishës, call centerat e Amant Josifit në Shqipëri kontaktojnë shtetas evropianë, të cilët kanë pasuri monetare. I ftojnë ata që të blejnë kriptomonedha (Bitcoin) me premtimin se nëse e vendosin në kuletën dixhitale, do kthehen me interes 25%. Por kriptomonedhat nuk ktheheshin asnjëherë pas, por konvertoheshin në Shqipëri me paratë e krimit të organizuar.

“Kam 2 javë që denoncoj një vjedhje të jashtëzakonshme që u bëjnë europianëve. Në një aspekt protesta jonë ndaj këtij regjimi është për të gjithë shqiptarët e ndershëm. Çfarë bëjnë këta? Me call centerat e këshilltarit të Olta Xhaçkës, të ministres strategjike, ftojnë qytetarët europianë që blini bitcoin, vendoseni në këtë aplikacion dhe ne do t’jua konsiderojmë 25% më shumë. Ka njerëz që besojnë dhe blejnë bitcoin, e vendosin në aplikacion dhe besojnë se e kanë aty, por nuk e kanë kurrë më. Të gjitha këto call centera të patronuara nga Olsi Rama. Punonjësve u thoshin mos u shqetësoni se qeveria nuk ju ngacmon. Dhe më pas bitcoin përfundonte në kuletën dixhitale të mafies që e organizon këtë. E pastaj ku?

Kthehej në para kesh me paratë e pista që sillnin nga kartelet e Ekuadorit, Meksikës dhe të gjitha bandat e kokainës dhe pjesa tjetër që nuk kthehej, përfundonte në Emiratet e Bashkuara Arabe. E shihni se në çfarë cikli këta pasuroheshin me të gjitha mënyrat. Me ato para duan të shesin apartamentet e Dubait këtyre, për qytetarët votonin amendament për amendament sikur nuk kishte fëmijë, të sëmurë, prindër, të gjithë votonin kundër. Edhe ne të votojmë në datën 6 në prani të të gjithë Europës kundër kësaj qeverie që plaçkit e vjedh popullin e vet”, u shpreh Berisha gjatë takimit me qytetarët e Njësisë numër 1 dhe 3 në kryeqytet.

ÇFARË DO BËHET ME 2.4 MILIARDË EURO?!

Në vazhdim të denoncimit të tij, kreu i opozitës u shpreh se me ato para Kryeministri Rama do të ndërtojë projektin e Portit të Durrësit.

“Morën 200 hektarë tokë truall në pjesën më të kushtueshme të Durrësit, vendosën të mbyllin portin, portin që përpunon 4.8 mln tonë mallra në vit. Portin që ka kapacitet të shkojë deri në 8 mln tonë. Portin që ka qenë porta e vërtetë e Shqipërisë drejt Perëndimit, por edhe e Perëndimit drejt Ballkanit, portin e Durrësit. Vlora është mbyllur, Saranda i njëjti fat. Tani Durrësi.

Ç’ka do të thotë se secili prej jush do paguajë çmimin e transportit nga Tivari, Igumenica dhe Selaniku. Pse? Sepse një njeri ka vendosur të lumturojë veten dhe klanin e tij duke përvetësuar me një arab pa garë pa asgjë 200 hektarë tokë, me një vlerë 3 mld euro. Të ndërtojë aty parajsën e tij me 12600 apartamente, t’i ndërtojë pa asnjë taksë. Paçka se ai që ndërton në Korçë, Ersekë apo kudo paguan. Kjo është e vërteta e Portit të Durrësit. Duke shkelur çdo ligj, duke shkelur Kushtetutën”, theksoi Berisha.

Për këto padrejtësi Berisha ftoi qytetarët që më datë 6 dhjetor të dalin në protestë në mënyrë që t’u tregojmë ndërkombëtarëve realitetin dhe jo propagandën që u servir qeveria.

“Ne duhet të dalim në 6 dhjetor, pasi jemi shndërruar në njerëz të varkave, pasi jemi njerëz të vjedhur, prandaj jemi të varfër dhe prandaj po ikin. Kjo është e vërteta, sepse tokë më të pasur se kjo tokë nuk ka. Sepse kur Kryeministri merr plaçkë portin mijëravjeçarë, këtë nuk e ka bërë asnjë kolonizator, por ky do të ndërtojë Dubain e tij”, u shpreh Berisha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura