Masat për ndotësit, Veliaj: Gjatë 24 orëve, 100 gjoba

Aug 29, 2015 | 8:32
SHPËRNDAJE

Vetëm në 24 orë janë vendosur 100 gjoba në kryeqytet ndaj atyre që kanë guxuar duke shkelur rregullat e vendosura. Ndotja e ambientit, dëmtimi i pemëve, pusetave, zënia e hapësirave publike, si edhe ndërtimet pa leje nuk do t’u shpëtojnë më penaliteteve, që kanë një kosto financiare.

AKSIONI
Nga Baldushku, ku prezantoi administratorin e ri, Ilir Bermeta, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, u ndal në aksionin e ndërmarrë për çlirimin e hapësirave publike dhe për t’i ndërgjegjësuar qytetarët që të respektojnë jetën në komunitet.

Veliaj dje në Baldushk
Veliaj dje në Baldushk
“Në Tiranë kemi grumbulluar mbi 100 gjoba vetëm në 24 orët e para. Ndaj nuk mund të urinosh në ambiente publike, nuk mund të thyesh pemë, nuk mund të vandalizosh qytetin, nuk mund të ndërtosh pa leje, nuk mund të zësh hapësirën aty ku kalojnë fëmijët për të shkuar në shkollë”, tha Veliaj, i cili theksoi po ashtu se këto masa do të aplikohen në të gjitha njësitë administrative të kryeqytetit.

Të martën u prezantua paketa e gjobave për secilën prej shkeljeve. Nga 5 mijë deri në 500 mijë lekë variojnë gjobat që do të aplikohen për qytetarët që ndotin ambientin, që zënë hapësirat publike, që ndërtojnë pa leje etj. Ndërkohë, pas një jave, do të mbahet edhe aksioni gjithëpërfshirës për pastrimin e kryeqytetit.

Veliaj tha dje se pjesë e tij do të bëhen edhe forcat e ushtrisë. “Në aksion do të kemi edhe ushtrinë, për të na ndihmuar me inertet e rënda”, tha kryebashkiaku.

KRIJIMI I TREGJEVE
Mungesa e tregjeve në kryeqytet jo pak herë është vënë në qendër të vëmendjes, kjo për shkak se tregtarët u drejtohen rrugëve dhe trotuareve për të shitur. Veliaj ripërsëriti edhe një herë se do të ndërhyhet për t’i dhënë fund kaosit me tregtarët që shesin të pakontrolluar në çdo cep të qytetit.

“Propozojmë që fundjavave të kemi tregje të dedikuara për zona të caktuara, pra, të dimë se në një shesh apo rrugë të caktuar po shiten produkte nga Baldushku, nga Farka, Peza, e kështu me radhë”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj. Sipas tij, kjo është një risi, e cila do të sjellë përfitime edhe për fermerët, edhe për ata që banojnë në zonat urbane.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura