Masat kundër koronavirusit/ Shkodra “merr pamjen” e periudhës së regjimit komunist! Në spital vetëm të sëmurë kronikë

Mar 13, 2020 | 20:13
SHPËRNDAJE

Senad Nikshiqi / Shkodra është zgjuar larg zhurmës së zakonshme. Shkodranët, pjesa më e madhe e tyre janë ndërgjegjësuar duke qëndruar në shtëpi. Qyteti sot të ngjante si në vitet e regjimit monist kur lëvizja ishte tejet e pakët.

122

Restorantet dhe lokalet kanë respektuar gjithashtu këshillat duke qëndruar të mbyllur për të shmangur rrezikun e përhapjes së koronavirusit. E gjithë zhurma e ditëve të zakonshme që në orët e mëngjesit dhe përgjatë gjithë ditës nuk ndjehej aspak.

Edhe numri i këmbësorëve, atyre me biçikleta dhe motorçikleta kanë qenë më të ulët. Qytetarët të sensibilizuar për këtë situatë ku kujdesi është kërkuar maksimal si nga Organizata Botërore e Shëndetësisë por edhe nga institucionet në Shqipëri kanë qëndruar të mbyllur.

Ky qëndrim në banesë ka bërë që të kalojnë më shumë kohë me familjarët dhe të jenë më të qetë se në ditët kur duhet të vrapojnë për të çuar fëmijët në shkollë e më pas për të kapur orarin e punës.

Fakti që në Shqipëri tashmë janë mbi 30 raste me koronavirus natyrshëm që ka ngjallur një lloj paniku tek shumë qytetarë të cilët kanë preferuar që të shmangin daljet e kota edhe në Shkodër. Megjithatë një numër i vogël nuk i kanë respektuar këshillat duke vendosur që të dalin në rrugët e qytetit për të shëtitur për qejf.

Po ashtu janë disa mjete të cilat bashkë me shoferët janë shoqëruar në policinë vendore të Shkodrës për shkak se kanë thyer urdhërin e qeverisë duke lëvizur me makinat e tyre. Forcat e policisë bashkë me ushtrinë do vijojnë të jenë kudo në rrugët e qytetit deri të dielën në darkë ndërsa kushdo që lëviz me makinë pa autorizimin përkatës do të bllokohet nga efektivët.

Shkodranët nuk harrojnë dashurinë e vjetër, biçikletën

Ndalimi i lëvizjeve me mjete personale apo transport publik ka nxjerrë në pah një nga dashuritë e vjetra të qytetarëve shkodran, biçikletën. Dyrrotëshi ka qenë kryefjala e ditës së sotme, pas situatës së krijuar nga koronavirusi në vend. Shkodranët treguan se këto ditë do t’i shfrytëzojnë për të kaluar më shumë kohë më dyrrotëshin e dashur për ta.

Ato u shprehën se kanë marrë edhe masat mbrojtëse pasi kanë dalë nga shtëpia. Edhe në një situatë të tillë, ku shqetësimi sa vjen e rritet për përhapjen e koronavirusit në vendin tonë, qytetarët shkodranë duket sa kanë zgjedhur ta përballojnë me qetësi, larg stresit të përditshëm duke lëvizur me biçikletë.

Spitali në gatishmëri. Mjeku: Vizita vetëm të sëmurët kronik

 

Spitali Rajonal i Shkodrës është në gatishmëri të plotë për të pritur të gjithë qytetarët që mund të kenë shqetësime për koronavirusin. Mjeku i urgjencës Ramazan Hasaj bashkë me stafin e tij të infermierëve janë në krye të detyrës në këto ditë aspak të zakonshme qoftë për të gjithë qytetarët por edhe personelin mjekësor. Mjeku Hasaj u shpreh se situata ka qenë e qetë gjatë ditës së sotme. Një rast i dyshuar për koronavirus është dërguar në repartin infektiv të spitalit të Shkodrës por dyshimet janë minimale thotë mjeku Hasaj. Mjeku Hasaj thotë se edhe në urgjencë ka një numër tejet të ulët vizitash të qytetarëve dhe të vetmit që kanë shkuar janë të sëmurët kronikë. Disa këshilla se si duhet vepruar në këto ditë nuk janë asnjëherë të tepërta thotë mjeku Hajsa duke rikujtuar faktin për të shmangur lëvizjet e kota, higjenën personale dhe të kontaktojnë 127 në rast se kanë ndonjë problem shëndetësor. Mjeku Hasaj thotë se i gjithë personali mjekësor janë në gatishmëri për të qenë sa më pranë qytetarëve në çdo shqetësim që mund të kenë. Mjediset e spitalit të Shkodrës jashtë dhe brenda ashtu si të gjitha institucionet e tjera janë dezinfektuar si masë parandaluese ndaj koronavirusit.

Qytetarët që dolën në rrugë: Kemi për të kryer disa punë

Pjesa më e madhe e qytetarëve të Shkodrës kanë qëndruar në shtëpi por ka nga ata të cilët shihen duke ecur në rrugët e qytetit. Një pjesë nuk kanë marrë masa mbrojtëse duke dalë pa maska dhe doreza. Disa janë për shëtitje për të shfrytëzuar diellin dhe ngrohtësinë e kësaj dite e ndërsa një pjesë tjetër shprehen kanë qenë të detyruar të dalin nga shtëpitë për të kryer punë të nevojshme për familjet e tyre. Ndalimi i qarkullimit dhe qëndrimi në shtëpi ndihmon për të parandaluar përhapjen e koronavirusit  dhe  kalimin sa më shpejtë të kësaj situate të vështirë që po kalojnë shumë shtete mes të cilave edhe Shqipëri me mbi 30 të prekur me COVID 19.

Universiteti i Shkodrës nis dezinfektimin

Universiteti i Shkodrës si shumë instuticione të tjera ka nisur dezinfektimin e të gjitha mjediseve duke shfrytëzuar këto ditë të pushimit edhe në arsim si masë parandaluese ndaj koronavirusit. Rektori i universitetit të Shkodrës Adem Bekteshi tregon për masat që janë marrë. “Masa e parë është shtyrja e procesit mësimor dhe e dyta është kjo e dezinfektimit të të gjitha godinave të universitetit të Shkodrës”, shprehet rektori Bekteshi. Procesi mësimor që për momentin është i pezulluar do të diskutohet në mbledhjet e mëvonshme të senatit dhe me dekanët e fakulteteve se si do të zëvendësohet ashtu siç u bë me ditët e zëvëndësuara të mësimit pas tërmetit. Kurdo që të vendoset të rinisë procesi mësimor, rektori Bekteshi thotë se universiteti i Shkodrës është gati për të ofruar kushtet maksimale të sigurisë qoftë për studentët por edhe pedagogët. Të gjitha godinat e universitetit do të dezinfektohen ndërsa këto ndërtesa janë në gjendje optimale dhe nuk ka ndonjë problematikë.

Kisha në Shkodër meshë të dielën

Me datë 15 mars në orën 10:00 në Kishën Katedrale të Shkodrës do  kremtohet nga Arqipeshkvi i Shkodrës Angelo Massafra, Mesha e Shenjtë, pa praninë e besimtarëve “LUTJE PËR KOMBIN NË KËTO DITË TË VËSHTIRA“. Kjo meshë do të kremtohet në Kapelën e Arqipeshkëvit Massafra dhe do të jetë live në facebook dhe youtubepër të gjithë ata që duan të dëgjojnë mesazhet e arqipeshkëvit. Nisur nga situata e ditëve të fundit e krijuar nga Covid -19 në Shqipëri, duke pasur parasysh urdhëresën nr.132, dt 08.03.2020 të Ministrisë së Shëndetësisë po ashtu Letrën e Konferencës Ipeshkvnore të datës 29 shkurt 2020, duke vlerësuar përvojën e kishave simotra në vendet e tjera, Mesha e Shenjtë  do mbahet pa praninë e besimtarëve, bën të ditur kisha katolike në Shkodër.

Kjo meshë kaq e rëndësishme do vijë pranë  besimtareve nëpërmjet transmetimit live në rrjetet sociale. Myftiu i Shkodrës Muhamed Sytari shpërndau një mesazh përmes rrjeteve sociale dhe kanalit në youtube. Myftiu Sytari iu drejtua besimtarëve në pamundësi për të përcjellë mesazhin e tij nga falja e të premtes duke folur për higjenën personale por jo vetëm. Myftiu Sytari në mesazhin e tij prej 24 minutash tregon se sa e rëndësishme është patërtia duke thënë se pastërtia është gjysma e besimit dhe duke i bërë thirrje të gjithëve që ta respektojnë në maksimum.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura