Masakroi të dashurën biznesmene në Kotorr, si u kap në Tiranë malazezi

Jun 18, 2018 | 16:11
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/Policia e Tiranës ka arrestuar një shtetas malazez, që prej një muaji ishte shpallur në kërkim për vrasje nga autoritetet e vendit të tij. Arseni Stanoviç, 22 vjeç, u kap dhe u depërtua menjëherë drejt Malit të Zi, atje ku më 11 maj kishte kryer një krim pasioni.

730 (1)

Sipas mediave malazeze, i riu kishte masakruar me thikë e më pas i kishte shtypur kokën të dashurës së tij ukrainase, Anastasia Lashmanova, pronare e disa bizneseve në Budva. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, 22-vjeçari malazez kishte hyrë ilegalisht në Shqipëri, ndërsa pas arrestimit është bërë deportimi i tij i menjëhershëm. Mediat malazeze për disa ditë me radhë kanë publikuar detaje të ngjarjes së rëndë, ku i riu kishte vrarë në mënyrë makabre të dashurën e tij.

Një ekspert kriminalist, i cili kishte dhënë një intervistë për mediat vendëse, kishte shpjeguar edhe motivet e krimit, duke u shprehur se krime të tilla pasioni kryhen pasi xhelozia kthehet në një obsesion dhe patologji te persona të ndryshëm. Për ngjarjen e rëndë, sipas ligjeve të Malit të Zi, 22-vjeçari rrezikon të dënohet deri në 40 vite burgim.
NGJARJA
Mediat malazeze raportojnë se Arseni Stanoviç ka vrarë të dashurën e tij ukrainase, Anastasia Lashmanova, duke e qëlluar disa herë me thikë në trup dhe duke i shtypur kokën. Sipas tyre, i riu ishte prej kohësh në një marrëdhënie me vajzën ukrainase, ndërsa faktet e mbledhura nga Policia dhe ADN-ja e gjetur kanë ngritur dyshime që Stanoviç ishte autori i krimit të rëndë, të cilin e cilësojnë si një krim pasioni.
Autori i vrasjes ishte djali i komandantit të Policisë Kufitare në Aeroportin e Tivatit, i cili u shkarkua dy ditë pas ngjarjes. Nga hetimet e Policisë, rezultoi se i ati kishte ndihmuar në fshehjen e provave. Lashmanova u ther me thikë në apartamentin e saj, ndërsa ka qenë një mik i saj që ka njoftuar Policinë. Pasi i kishte telefonuar disa herë dhe ajo nuk i ishte përgjigjur, miku i viktimës kishte shkuar në shtëpinë e saj, por dera nuk hapej. Për këtë arsye ai kishte lajmëruar Policinë. Kur kanë mbërritur te banesa e saj, policia dhe zjarrfikësit kanë thyer derën e blinduar dhe janë përballur me një skenë makabre krimi, ku i gjithë vendi ishte i mbuluar me gjak.
VIKTIMA
Viktima e krimit të pasionit që ndodhi më 11 maj të këtij viti në Kotorr, Anastasia Lashmanova, kishte shkuar në Mal të Zi pak vite më parë ku fillimisht kishte punuar si kameriere. Ajo arriti të vinte një pasuri në dhjetëra milionë euro brenda një afati të shkurtër. Ajo ishte bërë pronare e një kompanie të quajtur “SEA Trade” dhe e një hoteli në Budva. Tre vjet më parë ajo kishte blerë në Tivat hotelin me emër “Mimoza” dhe në këtë vend ishte ndërtuar kompleksi hotel me emrin “Perla”.
Lashmanova ishte po ashtu pronare e një salloni bukurie “Femme fatale”, që ndodhet në hotelin “Tre kane”, në Budva. Mediat malazeze raportojnë se sipas informacioneve jozyrtare, prapa kompanisë “Mimoza Group” është biznesmeni rus Valeriy Zadorin. Ai është pronar i një prej kompanive më të mëdha për shitjen e produkteve luksoze në Rusi, “Aroma”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura