Masakroi dhe hodhi në pus nipin e të dashurit…por Gjykata i ul dënimin

Aug 3, 2015 | 19:29
SHPËRNDAJE

Liljana Mulliri, gruaja e burgosur për 25 vjet për masakrimin e një djali 7-vjeçar, përfiton ulje dënimi nga Gjykata e Tiranës. Pak ditë më parë, togat e zeza kanë vendosur të ulin me 45 ditë dënimin e mbetur ndaj shtetases Liljana Mulliri (Bora). Ajo tërhoqi vëmendje të madhe publike në vitin 2005, për shkak të krimit makabër që kreu ndaj nipit të të dashurit të saj.

Liljana Mulliri
Liljana Mulliri
Më 1 qershor të vitit 2006, e akuzuara është dënuar me vendim të formës së prerë me 25 vjet heqje lirie për akuzën e “vrasjes në rrethana rënduese”. Ajo është akuzuar në lidhje me masakrimin e fëmijës 7-vjeçar për shkak të konflikteve dhe mosmarrëveshjeve me xhaxhain e Alberto Xhihanit (viktima). Gjykata e Tiranës, në vendimin e uljes së dënimit për nënën vrasëse, është bazuar edhe te raporti që ka dorëzuar në seancë përfaqësuesi i burgut 325 në Tiranë ku mbahet aktualisht Liljana Mulliri.

Sipas dokumentacionit të burgut, në lidhje me dinamikën e vuajtjes së dënimit për Liljana Mullirin (Bora) deri më 22.07.2015, e dënuara ka zbatuar me korrektësi rregulloren e institucionit dhe nuk ka marrë masa disiplinore. Burgu 325 thekson se e dënuara ka krijuar marrëdhënie të mira me bashkëvuajtësit e tjerë dhe me personelin civil e policor të burgut. “Edhe me familjen ka kontakte të mira. Merr pjesë vazhdimisht në aktivitetet me karakter edukativ, kulturor dhe riintegrues që organizohen në institucion.

Është e punësuar në organikën e punës së burgut në rrobaqepësi dhe është konkluduar në këtë vlerësim sjelljeje se, gjatë periudhës që vuan dënimin, sjellja e saj ka qenë e mirë dhe institucioni është shprehur për pranimin e kërkesës së saj”, citon Gjykata dokumentacionin e burgut. Sipas dosjes së dorëzuar në Gjykatë nga Burgu, e dënuara ka vuajtur 14 vjet e 1 ditë dhe i kanë mbetur pa vuajtur 10 vjet, 11 muaj e 29 ditë burgim.

VRASJA E FËMIJËS
Më 30 nëntor 2005, Policia e Korçës bëri zbardhjen e autorësisë së krimit të vrasjes së fëmijës Alberto Xhihani. Krimi kishte ndodhur dy vjet më parë, në datën 04.09.2003, në fshatin Vidohovë, kur është konstatuar humbja e fëmijës Alberto Altin Xhihani, i lindur më 25.11.1995. Pas denoncimit të bërë nga familjarët në mbrëmjen e datës 04.09.2003, policia është vënë në kërkim të fëmijës, dhe ka kryer një sërë veprimesh, por nuk është bërë e mundur gjetja e tij.

Ky kërkim ka vazhduar për shumë kohë, por ngjarja mbeti e mbuluar me mister. Në datën 27.11.2005, rreth orës 16:00, Aishe Begolli, 36 vjeçe, ka gjetur në brendësi të pusit të saj një kufomë të dekompozuar, e cila i përkiste një fëmije të moshës nën 10 vjeç.

Eshtrat e kësaj kufome janë gjetur të ndara në dy thasë. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe me një plan të detajuar ka punuar për të rindërtuar skeletin kockor, gjë që mund të përcaktonte nëse ishin pikërisht eshtrat e Alberto Xhihanit, si dhe të përcaktonte nëse mbi të kishte veprime me mjete prerëse.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore u arrit në konkluzionin se ishte fjala për vrasje në rrethana cilësuese dhe pastaj në prerjen, copëtimin e trupit dhe paketimin në dy thasë plastmasi. Sipas hetimeve, dyshohet se Liljana Mulliri vrau Alberto Xhihanin, fëmijë 7-vjeçar dhe e hodhi në pus për shkak të lidhjes me ish-të dashurin e saj, Gentian Xhihanin, xhaxhai i fëmijës Alberto Xhihani.

Autorja e vrasjes kishte pasur mosmarrëveshje dhe xhelozi me partnerin e saj dhe në shenjë hakmarrjeje ka dëshmuar se i ka vrarë nipin. Më 29 Janar 2010, në fshatin Vidohovë të Korçës, janë vrarë Taulant, Xhiljan dhe Edi Mulliri, tre djem të Liljana Mullirit, por mendohet se ekzekutimi i tyre nuk kishte lidhje me ngjarjen për të cilin ishte dënuar nëna e viktimave.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura