Masakrimi i 11-vjeçarit për varësen e floririt, vëllezërit kërkojnë pafajësi

Feb 6, 2014 | 13:45
SHPËRNDAJE

Dedë Kodra dje me të shoqen në Gjykatë
SHKODER- Babai i dy të dënuarve, njëri me 25 vjet dhe tjetri 11 vjet burg, hedh akuza se ata po mbahen në burg padrejtësisht prej 4 vitesh. Dedë Kodra, babai i vëllezërve Besnik dhe Edmond Kodra, bën apel për drejtësi. Dy djemtë e tij u akuzuan për vrasjen e 11-vjeçarit Agim Lera, ngjarje kjo e ndodhur në shtatorin e 2010-s në komunën Shalë në Shkodër. Ai ishte dje në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër, pasi kishin kërkuar nga organet e drejtësisë një rivlerësim të një prove, e cila sipas të pandehurve mund të provonte pafajësinë. Por gjykata e ka rrëzuar këtë kërkesë të tyre, duke argumentuar se nuk kishte të dhëna të mjaftueshme për të bërë një rivlerësim të tillë. Vëllezërit Kodra i sollën në Gjykatë në masa të rrepta sigurie, veçmas njëri-tjetrit, për të dhënë dëshmitë e tyre në lidhje me vrasjen e vitit 2010. “Fëmijët e mi nuk janë vrasësit e Agimit, por ata po mbahen padrejtësisht në burg. Në këto katër vite, ndaj tyre është ushtruar dhunë fizike gjatë marrjes në pyetje, për t’i detyruar që të pranojnë vrasjen e Agimit, në një kohë që vrasësi i vërtetë shëtit i lirë nëpër rrugët e Shkodrës”, u shpreh Deda. Me vendim të Gjykatës së Apelit, Besnik Kodra është dënuar me 25 vite burg, ndërsa i vëllai, Edmondi, me 11 vite. I akuzuari tjetër, Sokol Mjaca, u dënua me 4 vite burg, pasi ka qenë dëshmia e tij mbi të cilën u provua autorësia e vrasjes së fëmijës. Por vëllezërit vijojnë të mos pranojnë krimin. Në shtator të 2010-s mbeti i masakruar me mjete të forta 11-vjeçari Agim Lera. Qëllimi i autorëve ka qenë vjedhja e një varëseje floriri, që viktima kishte në qafë.                    r.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura