MASAKRA TE SHKENCAT/ Ja si ndodhi vrasja e tre personave, italianin e përplasi nipi i Lufit, por e shpëtoi pema

May 29, 2015 | 11:41
SHPËRNDAJE

Një ditë pas krimit të trefishtë pranë qendrës së Tiranës, Policia duket se ka plotësuar me dëshmi e prova dosjen që mbyll në qeli 3 persona të dyshuar si autorë të ngjarjes së rëndë.

Mentor Lufi/ Gerti Goxhaj

Po kështu, Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë arritur të zbardhin edhe mekanizmin e ngjarjes së ndodhur, duke hedhur dritë mbi rolin që kanë pasur në konflikt secili nga personat e përfshirë.

“Panorama” duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor thanë dje se pas gjetjes dhe sekuestrimit të armës së tretë që ishte përdorur në ngjarje dhe mjetit që kanë përdorur atentatorët, është bërë rindërtimi i skemës së krimit, duke u zbardhur plotësisht dinamika e ngjarjes.

Ngjarja që ndodhi të mërkurën, rreth orës 19:20, në Bulevardin “Zogu i Parë”, mes maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës, duket se ishte programuar prej ditësh nga Besnik Sulku, që mbeti i vrarë dhe italiani, Salvatore Letizia, tashmë i arrestuar. Megjithatë plani nuk u ka ecur siç duhet, pasi nuk kishin llogaritur makinën e dytë, me të cilin lëviznin nipat e Mentor Lufit.

PERGATITJA E ATENTATIT
Sipas Policisë, Besnik Sulku kishte përgatitur prej kohësh atentatin ndaj Mentor Lufit (Doçit). Për t’u siguruar, kishte paguar edhe një shtetas italian, që dyshohet të jetë vrasë me pagesë, 33-vjeçarin Salvatore Letizia, i cili kishte mbërritur në Tiranë ditën e martë. Sulku i kishte dhënë italianit edhe një fotografi të Lufit, që të mos ngatërrohej objektivi.

Policia thotë se të dy kishin ndjekur lëvizjet e Mentor Lufit dhe ishin në dijeni të vendit, ku ai po pinte kafe. Sulku dhe Letizia kanë udhëtuar bashkë me një motor tip “Scooter”, të cilin e kanë fshehur në një rrugicë pranë Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, me dalje në Rrugën e Barrikadave, në mënyrë që ta kishin gati për t’u larguar.

Të dy kanë lëvizur në këmbë deri para maternitetit, duke u fshehur pas pemëve në trotuarin që ndan dy korsitë e Bulevardit “Zogu i Parë”, me pistoletat që i mbanin në brez, duke pritur që Lufi të dilte nga kafja ku ishte ulur me Goxhajn.

KAFJA PARA KRIMIT
Të mërkurën, rreth orës 19:00, Mentor Lufi ka qenë duke pirë kafe në një lokal në krah të Fakultetit të Shkencave, bashkë me shokun e tij, Gerti Goxhajn. Para lokalit kishin parkuar makinën tip “BMW”, me targë AA 001 IK, që drejtohej nga Goxhaj, ndërsa pak metra më tutje ishte e parkuar edhe makina tip “Volsvagen Tuareg”, me targë AA 097 KE.

Brenda kësaj makine ishin dy nipa e Lufit, vëllezërit Markeljan dhe Klejvi Doçi (djemtë e vëllait të Mentor Lufit), të cilët kanë qëndruar gjatë gjithë kohës në makinë, duke pritur xhaxhain e tyre që të dilte nga lokali. Rreth orës 19:20, Lufi dhe Goxhaj janë ngritur nga kafja dhe kanë hipur në makinën tip “BMW”, Goxha shofer dhe Lufi pasagjer në sediljen e parë.

Pas tyre është nisur menjëherë edhe “Tuaregu” ku ndodheshin dy vëllezërit Doçi. Makinat sapo kishin dalë nga parkimi dhe po merrnin xhirot e para, kur ka ndodhur sulmi me armë.

PERPLASJA ME ARME
Në momentin kur mjeti tip “BMW”, ku ndodheshin Goxhaj e Lufi ka filluar lëvizjen, atentatorët, Sulku e Letizia kanë hapur zjarr, duke qëlluar me pistoleta në drejtim të dy xhamave të parë të makinës. Në këtë kohë janë kundërpërgjigjur, nipi i madh i Lufit, 23-vjeçari Markeljan Doçi, që drejtonte “Tuaregun”, ka reaguar duke goditur me makinë shtetasin italian, i cili ka shpëtuar falë një peme që e ka ndaluar makinën.

Doçi ka zbritur nga makina dhe ka qëlluar në drejtim të shtetasit Besnik Sulku, duke e lënë të vrarë, ndërsa nuk kishte arritur të shihte personin tjetër që kishte përplasur me makinë. Markeljan Doçi mendonte se e kishte vrarë edhe atë me makinë, të paktën kështu i ka thënë Policisë, por në fakt, shtetasi italian, i cili ishte plagosur nga përplasja, kishte arritur të largohej me vrap nga vendi i ngjarjes.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura