Masakra, vritet barbarisht çifti i turistëve çekë. Banorët panë fuoristradën të rrokullisej: Dëgjuam të shtëna armësh

Jul 5, 2015 | 9:04
SHPËRNDAJE

Vriten për t’u grabitur një çift turistësh çekë. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë rreth orës 20:30 në aksin Dukagjin-Shkodër, në vendin e quajtur Prekal, teksa turistët e huaj po ktheheshin nga Thethi.

Foto nga vendi i ngjarjes, automjeti i dy turisteve ceke

Sipas të dhënave të Policisë, persona të paidentifikuar i kanë zënë pritë mjetit tip “Nissan” me targa të huaj 4P8 9798 dhe kanë vrarë drejtuesin e mjetit dhe pasagjeren e tij. Pasi u kanë grabitur sendet që kishin me vete, autorët kanë tentuar të humbasin gjurmët duke stisur aksidentin e tyre.

Dyshohet se autorët, që kanë qenë të paktën dy persona, pasi i kanë vrarë e grabitur, tentuan të hedhin mjetin bashkë me trupat e viktimave në një greminë rreth 80 metra të thellë. Por mjeti është rrokullisur dhe ka ngecur pak metra më poshtë. Kanë qenë banorët e zonës ata që njoftuan policinë për ngjarjen, pasi disa prej tyre kanë parë mjetin teksa rrokullisej. Ata kanë dyshuar që në fillim për një ngjarje të rëndë, pasi para se makina të binte poshtë, janë dëgjuar të shtëna me armë.

Policia e Shkodrës që u sinjalizua për ngjarjen mbërriti menjëherë në vend dhe nisi hetimet. Gjithsesi, mbërritja e Policisë në vend ka vonuar në kohë për shkak se zona është mjaft e thellë dhe e largët. Pasi kanë mbërritur në vendngjarje, ekspertët e Policisë Kriminale kanë konstatuar se në trupat e viktimave, veç plagëve të shkaktuara nga përplasja e mjetit, kishte edhe shenja plumbash. Burime nga grupi i hetimit thanë mbrëmë se viktimat, të cilët dyshohet të jenë burrë e grua, por që identiteti i tyre nuk dihej deri në orët e vona, kanë qenë si turistë në Theth.

Më pas ata kanë ngritur një kamping me çadër në një zonë të afërt me vendin e ngjarjes. Teksa po ktheheshin në kamping, në një kthesë janë përballur me autorët e këtij krimi të rëndë. Grabitësit i kanë qëlluar me armë automatike kallashnikov në ecje, dhe dyshohet se viktimat kanë gjetur vdekjen që në këtë moment. Pasi kanë kontrolluar mjetin dhe kanë marrë sendet që kanë gjetur në të, autorët e kanë drejtuar mjetin drejt humnerës, por që mjeti ka ngecur në një livadh që ndodhej para se të kishte greminën poshtë. Policia ka hedhur dyshime për vrasje me qëllim grabitje për faktin se në mjetin e tyre nuk është gjetur asnjë send, madje as çantat e tyre.

“Pamë makinën teksa rrokullisej, por vetëm pak momente para kësaj skene dëgjuam krisma armësh. Dyshojmë se personat që gjenden në mjet janë vrarë”. Kjo ka qenë dëshmia e banorëve për grupin e hetimit, të cilët kishin mbërritur në vend me qëllim për t’u ardhur në ndihmë viktimave. Policia e Shkodrës ka shoqëruar mbrëmë disa banorë të zonës dhe i ka marrë në pyetje, por deri në orët e vona nuk kishte asnjë të arrestuar për ngjarjen. Siç mësohet, menjëherë është vënë në dijeni për ngjarjen edhe Ambasada Çeke në Tiranë. Trupat e viktimave janë sjellë në morgun e Shkodrës në orët e para të mëngjesit dhe i janë nënshtruar ekspertizës mjekoligjore.

Fillimisht ngjarja u raportua si aksident, ku u dyshua se një pakujdesi e shoferit mund të kishte shkaktuar këtë tragjedi për dy viktimat. Por këqyrja e kufomave nga policia, e ka orientuar grupin hetimor në pistën e vrasjes. Kjo nuk është hera e parë që turistët çekë bien viktima të grabitësve në vendin tonë. Në vitin 2001, katër turistë u grabitën dhe u dhunuan keqas në Dibër, teksa ata po ngjiteshin për në malin e Korabit. Madje një femër që ishte me ta u tentua të përdhunohej. Një tjetër ngjarje me grabitje me armë e dhunim të tre turistëve çekë ndodhi në Kukës në muajin maj 2012.

Po në vitin 2012, dy turistë çekë u grabitën në Kurbin, teksa ata laheshin në liqenin e Shkopetit. Pavarësisht interesit të turistëve për të vizituar vendin tonë, nëse u referohemi këtyre ngjarjeve, del në pah problematika se ata nuk kanë asnjë siguri për jetën e tyre dhe ardhja në Shqipëri mund të konsiderohet ende si një aventurë e rrezikshme.

Mësohet se mbrëmë në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe Ardian Çipa, drejtor i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.

RIDVAN DIBRA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura