Masakra në lokalin me muzikë live, autori kthehej nga Greqia. Si u zbulua

Jul 18, 2017 | 15:09
SHPËRNDAJE

Tre muaj pas ngjarjes së rëndë në Vlorë, ku në një lokal me muzikë live, në zonën e “Ujit të Ftohtë”, mbeti i vrarë 33-vjeçari Ergys Gjioveshaj dhe u plagosën tre të tjerë, është vënë në pranga një prej autorëve të ngjarjes.

viktima

 

Eljaso Çela, 23 vjeç, u prangos në pikën kufitare të Kapshticës. Sipas të dhënave, shërbimet e Policisë Kufitare në Kapshticë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim Eljaso Çela, 23 vjeç, banues në Tiranë (me precedentë të mëparshëm kriminalë).

Ai rezultonte i shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e datës 20 prill 2017, ndodhur në lagjen “Uji i Ftohtë”, në Vlorë, ku në ambientet e një lokali është vrarë me armë zjarri shtetasi Ergys Gjioveshaj si edhe janë plagosur tre shtetas të tjerë.

Pasi 23-vjeçari i është nënshtruar procedurave të verifikimit të dokumentacionit në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës nga verifikimi i gjeneraliteteve të tij në sistemin TIMS ka rezultuar se ai ishte shpallur në kërkim policor, çka ka bërë që ai të ndalohet menjëherë nga uniformat blu.

Ndaj 23-vjeçarit rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Ndërkohë që pak orë pas ngjarjes, Çela zyrtarisht nga Policia e Vlorës ishte në kërkim për akuzën “Moskallëzim krimi”.

Ndërkaq sipas Policisë pas arrestimit, i riu është dërguar për në Drejtorinë Vendore të Policisë në Vlorë, pasi do të jetë kjo e fundit, e cila do të ndjekë procedurat e mëtejshme për të arrestuarin.

Në ngjarjen e ndodhur më 20 prill në qytetin e Vlorës në një lokal në “Ujin e Ftohtë”, mbeti i vrarë Ergys Gjioveshaj, i cili kishte vetëm pak muaj që kishte dalë nga burgu. 33- vjeçari mori 6 plumba në trup, ndër të cilat 4 në bark, një në pjesën e legenit dhe 1 në dorë. Viktima Gjioveshaj në vitin 2000 ishte bashkëpunëtor në vrasjen e Laert Alushit.

Të plagosurit e tjerë ishin Florian Hila që ishte muzikant në lokal, Artan Lluka, i cili shoqëronte viktimën dhe Arsonel Llanaj, kamerier në lokalin ku ndodhi ngjarja. Vetëm një ditë pas krimit, Policia bëri të mundur arrestimin e 19-vjeçarit, Gani Tozaj.

Pas arrestimit të Eljaso Çelës, tashmë i vetmi person që mbetet në kërkim për këtë ngjarje është Aranit Kondaj. I arrestuari, Gani Tozaj ka deklaruar para Prokurorisë së Vlorës se gjithçka ka nisur pas një debati verbal dhe pasi viktima kishte qëlluar me një shpullë atë. Por, ai ka mohuar të jetë autori i të shtënave me armë.

I riu gjatë marrjes në pyetje ka treguar se sherri ka nisur për motive banale dhe më pas degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit.

DHORJELA ÇULE/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura