Masakra në Elbasan/ Familja Mema: Mbiemri ynë u keqpërdor, s’kemi lidhje me ngjarjen

Feb 5, 2016 | 15:15
SHPËRNDAJE

Pas atentatit me armë zjarri në qendër të Elbasanit, ka reaguar familja Mema nga Italia, ku kërkon që autoritetet të punojnë për të zbardhur ngjarjen dhe mediat thonë ata t’u referohen burimeve zyrtare dhe të mos aludojnë për gjëra që nuk janë.

12659787_10153781440673260_512016868_n

“Qyteti i Elbasanit na njeh mirë se cilët jemi ne. Mbiemri ynë është keqpërdorur nga media. Jemi larg kësaj ngjarje dhe këtij konflikti. Mediat t’u referohen burimeve zyrtare”,- thuhet ndër të tjera në reagimin e familjes Mema.

Reagimi i plotë i familjes Mema lidhur me ngjarjen e ndodhur në Elbasan:

“Mbiemri ynë është keqpërdorur nga ana e medias dhe veçanërisht nga shtypi shkruar. Ne jemi larg kësaj ngjarje dhe këtij konflikti që po përflitet. Qyteti i Elbasanit na njeh se cilët jemi dhe i kërkojmë medieve që ti referohen vetëm burimeve zyrtare dhe burimeve të tjera të konfirmuara pasi aludohet për lidhje familjare që nuk ekzistojnë. Gjithashtu i kërkojmë strukturave shtetërore që të vazhdojnë punën për zbardhjen e ngjarjes”.

Hakmarrje dhe larje hesapesh për drogë, pistat e hetimit

Autorët e masakrës së Elbasanit kanë pasur si shënjestër të tyre fisin Çapja. Kjo është konfirmuar nga grupi hetimor që po merret me hetimin për sulmin me armë mbrëmjen e së mërkurës, ku mbetën të vrarë tre persona dhe u plagosën 8 të tjerë.

Në lokalin në pronësi të Agron Çapjes, vëllait të biznesmenit të vrarë në vitin 2005, ishin 4 anëtarë të familjes së tij.

Vetë pronari mbeti i vdekur, bashkë me dy miq të familjes, ndërsa vëllai dhe dy nipërit e Sokol Çapjes, u plagosën.

Grupi hetimor, i ngritur për këtë ngjarje, ngriti fillimisht pistën e hakmarrjes, si pasojë e konflikteve të vjetra mes familjes Çapja dhe Mema, por nga veprimet e tjera, rrethi është zgjeruar.

Motiv tjetër për atentatin e mirorganizuar nga autorë me uniforma të forcave speciale është dhe trafiku i drogës, si dhe larja e hesapeve për konflikte të tjera. Për Policinë, çështja është bërë e vështirë, pasi sipas tyre, armiqtë e Çapjas mund të jenë bërë bashkë, për të eliminuar fizikisht burrat e familjes.

VRASJA PËR HAKMARRJE

Historia e krimeve që nisën me eliminimin fizik të biznesmenit Sokol Çapja në Elbasan në vitin 2005, pas një sherri të rëndomtë në disko, ka bërë që policia të hetojë mbi pistën e hakmarrjes. Vrasja e Çapjes solli 5 të vrarë deri në mars të vitit 2015, kur në Itali u ekzekutua ish-shefi i Policisë së Qarkullimit në Elbasan, Fadil Mema.

Ky i fundit, siç deklaruan edhe familjarët e tij pas krimit, ishte ekzekutuar për shkak të konfliktit të nisur në Shqipëri, pasi fillimisht u plagos në këmbë në vitin 2006 e më pas, u vra në qytetin e Torinos, ku ishte shpërngulur me familjen.

Mema kishte dalë garant për të shuar sherrin mes Çapjes dhe nipit të tij, Dritan Sheme, por pavarësisht këtij fakti, Sokol Çapja u vra. Vetë Sheme u qëllua për vdekje në vitin 2011 në Tiranë e pas disa vitesh edhe daja i tij. Kur u mendua se ky cikël krimesh u mbyll, ndodhi masakra e së mërkurës.

KONFLIKT PËR DROGËN

Kjo është pista e dytë e ngritur nga Policia dhe Prokuroria e Elbasanit, në bashkëpunim me Krimet e Rënda, në lidhje me shkakun që solli eliminimin fizik të tre personave në lokalin e Çapjes.

Nga hetimet e kryera janë mbledhur të dhëna se anëtarët e familjes Çapja kanë qenë të kërcënuar për sa i përket influencës për drogën në Elbasan. Policia nuk jep emra të personave të dyshuar, por i mëshon faktit se është një motiv i fortë për të kryer masakrën e së mërkurës.

Bëhet fjalë për drogën e shtrenjtë, të llojit kokainë. Me gjithë hetimet e kryera dhe dyshimet e policisë, nuk ka asnjë të shoqëruar për këtë pistë. Çështjes së drogës i mëshohet edhe për faktin se një prej viktimave, pikërisht Eno Bedalli, mik i familjes Çapja, ishte arrestuar për trafik kokaine në Itali dy vite më parë. Ai u arrestua në qershor të vitit 2013, si pjesë e një grupi që kishte trafikuar 31 kg kokainë.

LARJE HESAPESH

Në këtë pistë, policia po verifikon konflikte të tjera që familja Çapja mund të ketë pasur me persona të tjerë. Kjo, jo vetëm në Elbasan, por edhe më gjerë.

Për shkak se bëhet fjalë për disa persona, që nga xhaxhallarë, daja e nipër të të njëjtit fis, po kryhen hetime dhe për ngjarje apo veprimtari të tjera ku mund të jenë implikuar ata. Pas masakrës u konfirmua se njëri prej viktimave ishte nip i familjes Çapja, ashtu si dhe disa të plagosur të tjerë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura