Masakra në Elbasan/ Dëshmia e të plagosurit: Si iu bllokua arma autorit që hyri në lokal për të na vrarë

Feb 7, 2016 | 7:49
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Masakra e Elbasanit mund ta kishte më të thellë bilancin e viktimave nëse arma e njërit prej autorëve nuk do të ishte bllokuar.

Disa nga të mbijetuarit kanë dhënë dëshmitë e para për atë çfarë ndodhi, teksa ata ishin mbledhur në lokalin ku ndodhi krimi i rëndë.

Burime të Policisë, e cila po punon paralelisht me Prokurorinë e Krimeve të Rënda për këtë ngjarje, bënë të ditur se njëri prej të mbijetuarve, emri i të cilit për efekt sigurie të hetimi nuk bëhet i ditur, ka deponuar gjithçka ndodhi natën e ngjarjes.

Lokali ku ndodhi masakra
Lokali ku ndodhi masakra

DESHMIA

Sipas dëshmisë së tij, personat qëlluan pa mëshirë drejt tyre duke zbrazur karikatorin e armëve të rënda.

Madje, njëri prej tyre para se të largohej tentoi të qëllonte edhe mbi trupat e të shtrirëve, me sa duket për t’u bindur se ata kishin ndërruar jetë, por fatmirësisht arma ishte bllokuar dhe ai ishte nisur menjëherë pas bashkëpunëtorëve të tij për të hipur në mjetin që i priste në rrugë.

I mbijetuari nuk ka dhënë shumë detaje rreth përshkrimit fizik të autorëve, pasi, veç kamuflimit të veshjeve, ata janë gjendur edhe në befasi.

“Duket sikur ata kanë dashur të na vrisnin të gjithëve. Arma ngeci dhe ne shpëtuam, ndryshe do të kishim vdekur të gjithë.

Autorët e tjerë menduan se ne kishim vdekur, pasi kishim marrë plumba dhe ne u shtirëm si të vdekur”, ka rrëfyer për hetimorët i mbijetuari i masakrës që ndodhi mbrëmjen e 3 shkurtit.

Pritet që të merret edhe dëshmia e disa prej të plagosurve, të cilët janë në gjendje më të rëndë, pasi deri tani ka qenë e pamundur për t’i marrë në pyetje.

Tashmë, për hetimorët çdo detaj i thënë nga vetë të plagosurit mund të çojë drejt zbardhjes së identitetit të autorëve.

Paraprakisht janë duke u hetuar disa emra konkretë për krimin. Por për efekt të sekretit hetimor dhe të çështjes mjaft delikate mes dy fiseve në Elbasan, policia është mjaft hermetike në dhënien e informacionit.

Deri më tani nuk ka asnjë reagim nga familja Çapja. Në ngjarje të mëparshme ata kanë reaguar me njoftime për mediat, duke u distancuar nga autorësia. Por në lidhje me këtë krim që dyshohet se shënjestër ka qenë kjo familje, nuk ka asnjë reagim nga ana e tyre.

KRIMI

Mbrëmjen e së mërkurës, sipas Policisë, një mjet ngjyrë gri me katër persona brenda kanë ndaluar në lokalin “Rrapi i Gonit” dhe kanë dalë me armë në duar të veshur me uniformë policie.

Ata, sapo kanë dalë nga mjeti, janë drejtuar në lokal, dera e të cilit ishte e hapur dhe kanë thirrur së largu “Policia!”.

Në këtë moment, personat kanë tentuar të çohen në këmbë, por është hapur zjarr armë tip “kallashnikov” në drejtim të tyre. Për pasojë mbetën të vdekur në vend Agron Çapja, 50 vjeç, nipi i tij, Ardit Sinakoli, 27 vjeç, si edhe miku e tyre, Eno Bedalli, 38 vjeç.

Nga të shtënat me armë zjarri mbetën të plagosur Fejzulla Çapja, 58 vjeç, Ferit Muça, 42 vjeç, Luan Muça, 47 vjeç, Bujar Rreshka, 40 vjeç, Florenc Çapja, 35 vjeç, Erdis Sulku, 33 vjeç dhe Arnold Çapja, 23 vjeç, të cilët u dërguan në spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa ndodhet në spitalin kirurgjik të Elbasanit Ardian Zharri, 45 vjeç, i cili fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Njëri nga të plagosurit mësohet se ka thënë përpara grupit hetimor se nuk ka mundur dot të identifikojë autorët, pasi ngjarja ndodhi shumë shpejt dhe se në momentin që dëgjoi të shtënat tentoi të shtrihej barkas me qëllim që të mos përshkohej nga breshëritë e plumbave, të cilat nuk kishin të mbaruara.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura