Masakra në Don Bosko/ Kush është Nikollë Sherrniku, njëri nga të arrestuarit për ngjarjen! Sulmi me armë mbi familjen e Fatjon Muratit, dyshohet se u krye nga…

Jun 8, 2023 | 8:14
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Policia e Shtetit dje njoftoi se kishte arrestuar njërin nga personat që akuzohet për një nga ngjarjet më të trishta të ndodhura këtë vit në vendin tonë.

c4f73588-bc5c-4f1c-b57f-74ba7a25d7ee

Bëhet fjalë për një të ri që dyshohet se ka ndihmuar në atentatin që iu bë familjes së Fatjon Muratit mbrëmjen e 12 marsit, ku fatkeqësisht humbi jetën gruaja që punonte në lokalin e familjes Murati.

Edhe pse atentatorët u larguan me makina duke përshkruar një nga rrugët më të frekuentuara të vendit, policia mundi të fiksonte vetëm targën e njërës prej makinave e për pasojë nisi edhe kërkimet për të bërë të mundur zbulimin se kujt i përkiste. Por, më pas doli që në fakt targa nuk ishte shqiptare po gjermane, madje edhe atje e vjedhur sipas policisë. Atentati në fakt kishte në shënjestër vetë Fatjon Muratin, i cili për fat, arriti t’i shpëtonte, ndërkohë që iu plagos xhaxhai dhe disa persona të tjerë, miq dhe familjarë që po shihnin një ndeshje futbolli.

Mirëpo, personi që në fakt është vënë nën akuzë është që në gushtin e vitit të kaluar në burg, ndërkohë që policia bën me dije se atij iu ka komunikuar edhe një tjetër masë sigurimi arrest me burg. Emri i tij nuk është i panjohur pasi doli si i dyshuar për ekzekutimin e 5 dhjetorit të vitit 2020, kur në zonën e Pllanës u vra efektivi i FNSH-së, Xhulio Prela. Policia pretendon se targa e mjetit të autorëve të vrasjes së Mimoza Pajës është siguruar nga Nikollë Sherrniku, që sërish sipas policisë dyshohet se ua ka dhënë autorëve të krimit, ndonëse Sherrniku është në qeli.

HETIMET

Tre muaj pas atentatit ku mbeti e vrarë Mimoza Paja dhe 6 të tjerë u plagosen në lokalin e Fatjon Muratit në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, policia ka arritur të identifikoj njërin prej bashkëpunëtorëve që ka siguruar kushtet dhe mjetet për kryerjen e kësaj vrasje. Nikoll Sherrniku, 28 vjeç, nga Fushë Kuqja e Kurbinit, i arrestuar që në 18 gusht të vitit 2022, ditën e djeshme iu komunikua masa e ‘arrestit me burg’ brenda qelive të paraburgimit ku ndodhet për një tjetër vepër penale, për të cilën vijon të jetë në hetim. Nga hetimet intensive të nisura menjëherë pas ngjarjes, është vërtetuar se Sherrniku ka sjellë targa të huaja nga Gjermania, të cilat u janë vënë në dispozicion autorëve të ngjarjes, të cilat i kanë ruajtur dhe më pas përdorur të njëjtat targa në një automjet tip “BMW X5” në ditën e ngjarjes. Burime nga policia thanë se hetuesit janë duke verifikuar edhe për emra konkret të personave që dyshohet se kanë pasur rolin e qitësit në atentatin e 12 marsit në “Don Bosko”, por për shkak të sekretit hetimor identiteti i tyre nuk bëhet me dije. Sigurimin e materialeve për atentat Nikoll Sherrniku e ka kryer para se të arrestohej bashkë me një grua në gushtin e vitit të shkuar teksa ishte në lëvizje me një makinë të blinduar, brenda së cilës iu gjet një kallashnikov me dhjetëra fishekë. Në atë kohë 28-vjeçari nga Fushë Kuqja ishte në masën “Arrest shtëpie” pasi ishte arrestuar më herët si person i dyshuar për eliminimin fizik të ish-efektivit të FNSH-së, Xhulio Prela, më 5 dhjetor 2021. Periudha e lirimit Sherrnikut i ka shërbyer të sjell nga jashtë materialet që më vonë u përdorën për vrasje.

Objektiv i atentatit të 12 marsit dyshohet se ka qenë Fatjon Murati, i cili ishte nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për një arsenal armësh të gjetur në vjeshtë të 2022- shit në Tiranë. Atë mbrëmje Murati theu masën e sigurisë dhe u arratis drejt Prishtinës, me destinacion final Stambollin, duke i shpëtuar atentatit. Fatjon Murati ishte shoqëruar për t’u pyetur për vrasjen e trefishtë në korrik 2022 të kushëririt të Ervis Martinajt, Brilant Martinajt, dhe dy personave të tjerë te mbikalimi i Fushë Krujës, por ishte lënë i lirë. Konflikti dyshohet se është mes këtyre dy grupeve, por hetuesit akoma nuk e kanë zgjidhur akoma me prova konkrete.

POLICIA

“Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur me datë 12.3.2023, ku mbeti e vrarë një shtetase. Në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur me datë 12.3.2023, në rrugën “Anastas Shundi”, e cila bën fjalë për vrasjen e shtetases Mimoza Paja dhe dëmtimin/plagosjen e disa shtetasve të tjerë në ambientet e një lokali në pronësi të vëllezërve Murati, ju informojmë si më poshtë:

Sot më datë 7.0.2023, u bë ekzekutimi i vendimit nr. 1220 datë 07.06.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë e cila ka vendosur caktimin e masës të sigurimit personal atë të “Arrest në burg” ndaj personit nën hetim N. Sh., 28 vjeç, lindur dhe banues në Fushë – Kuqe, Laç, (aktualisht nën hetim me masën e sigurisë “Arrest në burg” edhe për vepra të tjera penale) si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera në funksion të procedimit penal nr. 1700 të vitit 2023 ka rezultuar se personi nën hetim, shtetasi N. Sh., me veprime aktive ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale që kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale. Këto veprime konsistojnë në marrjen e targave të huaja ne shtetin gjerman, sjelljen e tyre në Shqipëri, dhe vënien në dispozinon të këtyre targave personave të tretë (autorëve), të cilët më pas i kanë ruajtur dhe përdorur këto targa në një automjet tip “BMW” seria 5, ditën e ngjarjes. Automjeti tip “BMW”, së bashku me targat gjermane, është gjetur i djegur në fshatin Likmetaj, Manëz, Durrës. Në funksion të këtij procedimi janë kryer veprime të shumta hetimore dhe ekzekutuar letër-porositë në Gjermani dhe në Kosovë. Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për dokumentimin e plotë ligjor, me prova të autorëve të kësaj ngjarje kriminale.

VRASJA NË DON BOSKO

Masakra ndodhi më 12 Mars në Don Bosko. Dy persona qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit duke lënë të vdekur banakeren Mimoza Paja, 58 vjeçe dhe gjashtë të tjerë të plagosur, mes tyre dhe një vajzë 10- vjeçare që u dëmtua nga xhamat e thyer. Të plagosurit e tjerë janë Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Mema, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Murati vetë ndodhej jashtë Shqipërisë në momentin që u krye atentati. Ai është i njohur në botën e krimit dhe si miku i ngushtë i Endrit Dokles, madje është marrë në pyetje për masakrën e Fushë-Krujës, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj me dy miqtë e tij. Murati tashmë është shpallur në kërkim për thyerje të masës së sigurimit, por është shpallur i pafajshëm nga gjykata për akuzën që e kishte lënë atë në arrest shtëpie.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura