Masakra ndaj 22 intelektualëve për “Bombën”, si u hartua lista nga Enveri dhe Mehmet Shehu. Dëshmia e gjykatësit të lartë: Më thanë firmos e mbyll gojën

Feb 26, 2020 | 15:18
SHPËRNDAJE

URAN BUTKA/ 

Uran-Butka-ok

Sot mbushen 69 vjet nga masakra e 26 shkurtit 1951. Kjo është ngjarja më tipike e krimeve të komunizmit e njëherësh më kundërligjore dhe më me pa precedent në historinë e legjislacionit shqiptar e të huaj.

Vendimi për të realizuar këtë masakër u mor jo në sallën e gjyqit, por në Byronë Politike të PPSH, saktësisht në mbledhjen e datës 20.02.1951, me pretekstin e hedhjes së një sasie të vogël dinamiti në oborrin e Ambasadës Sovjetike, që theu vetëm disa xhama në mbrëmjen e datës 19.02.1951, ora 19:15.

Urgjentisht u mblodh kupola e partisë-shtet dhe me propozim të ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehu, u vendos të merreshin masa të jashtëzakonshme represive “pa marrë parasysh ligjet në fuqi”.(Të gjithë anëtarët e Byrosë, përfshirë edhe E. Hoxhën: Jemi dakord me këto masa.) Shfaqet lakuriq një pushtet kriminal terrorist, që nuk respektonte as Kushtetutën dhe legjislacionin që kishte hartuar e miratuar vetë. Ministri i Brendshëm kërkoi nga Byroja Politike që arrestimet të bëheshin qysh atë natë.

Mehmet-Shehu-905x395

“Një masë të tillë e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, d.m.th kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Listat i kemi gati. Po të jeni dakord ju, veprojmë që sonte”. Ai kërkoi që të arrestoheshin menjëherë 100 ose 150 vetë, nga të cilët 10 ose 15 më të rëndësishmit të pushkatoheshin pa gjyq. Pra, ishte vetë Partia, vetë pushteti politik, me Enver Hoxhën në krye, që shkelnin ligjet dhe urdhëronin një krim shtetëror, një terrorizëm shtetëror, një gjenocid shtetëror me përmasa të mëdha, për motive politike e pushtetore. Në vendimin e Byrosë politike, përveç pushkatimeve e burgimeve pa gjyq, u vendos që të bëhej një operacion masiv spastrimi, të persekutoheshin e të internoheshin persona e familje “reaksionare” në tërë hapësirën shqiptare.

Shqipëria komuniste ishte në një kapërcyell kohësh, po kalonte nga dominanca jugosllave në atë sovjetike, ndaj duheshin kurbane të tjera për të mbajtur pushtetin, si edhe kurbane të reja në themelet e miqësisë me BS dhe në vijën staliniste të PPSH. “Duhen vrarë njerëz të tjerë për të mbajtur pushtetin”, thoshte Mehmet Shehu. Arrestimet që u bënë menjëherë sipas vendimit të Byrosë Politike në datën 20-23 shkurt 1951 ishin të paligjshme, sepse u kryen pa ndonjë urdhërarresti të prokurorit dhe pa ndonjë vendim gjykate. (Vetëm më vonë u plotësuan urdhërrreshtimet dhe procesverbalet e “gjykimit”). Arrestimet u bënë mbi listat e vdekjes, të parapërgatitura nga Sigurimi i Shtetit në Ministrinë e Brendshme.

Sabiha Kasimati
Sabiha Kasimati

Lista e parë, e përgatitur nga Sektori i Parë i Drejtorisë së Sigurimit, me kryetar Pilo Shanton, mban titullin tronditës: Personat e arrestuar që propozohen për t’u ….(pika…pika). Mbi pikat titullarët mund të shkruanin ç’të dëshironin: për t’u pushkatuar, për t’u burgosur etj.

Nga kjo listë e gjatë, krerët e Ministrisë së Brendshme zgjodhën dhe kryqëzuan emrat e Tefik Shehut, Hekuran Trokës, Lluka Rashkoviç, Haki Kodrës, Thoma Katundit, Mehmet Ali Shkupit, Gjon Temalit, Fadil Dizdarit dhe Pandeli Novës.

Lista e dytë, e përgatitur në Sektorin e Dytë të Sigurimit nga drejtori, kapiteni i parë Rasim Dedja, përmbante tetë propozime, nga të cilat u përzgjodhën për t’u pushkatuar, duke u shënjuar me nga një kryq përbri emrit: Ali Qoraliu, Zyhdi Herri, Gafurr Jegeni, Petro Konomi, Jonuz Kaceli dhe Sabiha Kasimati.

Lista e tretë e parapërgatitur në Sektorin III të Sigurimit nga major Edip Çuçi, ka titullin vrasës: Lista e elementit që propozohet për t’u dënuar me vdekje. Kryetari i Sektorit III të Sigurimit mund të arrestonte dhe t’i propozonte Prokurorisë e Gjykatës t’i gjykonte e dënonte sipas fajeve që duhet të provoheshin, por jo ta vendoste vetë dënimin me vdekje!

Sigurimi i Shtetit ishte vendosur mbi organet e drejtësisë, të cilat kishin mbetur formale dhe zbatonin verbërisht urdhrat e vendimet e Ministrisë së Brendshme. Një shtet policor, më kriminali në gjithë vendet komuniste të Lindjes.ambasada sovjetike, bomba

Nga lista e tretë, e hartuar më 22.2. 1951, u përzgjodhën për t’u pushkatuar: Pjerin Guraziu, Qemal Kasaruho, Anton Delhysa, Niko Lezo, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia. Emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Qemal Kasoruhos dhe Manush Peshkëpisë u shënjuan nga vetë Enver Hoxha, që i njihte dhe e njihnin personalisht, se ishin nga treva e Gjirokastrës, kështu lante hesapet me ta. Është për t’u theksuar se përzgjedhjet u bënë nga të gjitha trevat shqiptare: intelektualë e qytetarë nga Prizreni, Gjakova, Shkupi, Shkodra, Dibra, Tirana e deri në Delvinë, Gjirokastër e Korçë, në mënyrë që terrori të godiste e të nënshtronte gjithë Shqipërinë.

Akuza e prokurorit ushtarak, Siri Çarçani, mban datën 25.2.1951 dhe përmban absurditete: “Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste; janë bërë anëtarë të një organizate terroriste. Kanë propaganduar rrëzimin me dhunë të Pushtetit Popullor dhe kanë hedhur parulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve amerikano-anglezë e satelitëve të tyre”. Është një akuzë kolektive për terrorizëm, e pambështetur në asnjë provë. Të akuzuarit nuk kishin asnjë lidhje apo bashkëpunim me njëri-tjetrin; nuk ishin pjesëtarë të ndonjë organizate politike apo terroriste të cilësuar, asnjërit nuk i përmendet në akuzë pjesëmarrja në hedhjen e bombës në Ambasadën Sovjetike – për shkak të së cilës ata u arrestuan!Bomba-ne-ambasaden-sovjetike-foto

Siç dihet botërisht, ata persona që hodhën dinamitin, si Qazim Laçi, Hysen Lulla etj., anëtarë të organizatës “Bashkimi Kombëtar”, u arrestuan po ato ditë, u mbajtën fshehtas në Hetuesi për tetë muaj dhe u dënuan për hedhjen e dinamitit në Ambasadën Sovjetike me vdekje dhe burgime të rënda.

Pra, ishin të tjerë ata që e hodhën dinamitin si një akt antisovjetik, antistalinist. Siri Çarçani dëshmon: “Unë, kur kam nënshkruar aktakuzën, nuk kam pasur dosje hetimi të dërguar nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Personat që kanë emrat në aktakuzë, unë nuk i kam njohur fare dhe si prokuror nuk kam marrë pjesë në hetimet që zhvillonte Sigurimi i Shtetit. Unë nuk i kam lexuar dhe as i kam parë procesverbalet e marrjes në pyetje të të pandehurve dhe as ndonjë material tjetër të dosjes hetimore.

Pasi nënshkrova aktakuzën, më duket se ia kam dhënë Sotirit dhe se ku ka përfunduar ajo, nuk e di. Për dijeninë time, Gjykata e Lartë Ushtarake nuk ka zhvilluar gjyq ndaj këtyre të pandehurve”. Sipas aktakuzës së datës 25.02.1951 të Prokurorit të Përgjithshëm, të gjithë të arrestuarit “janë dërguar për gjykim në Gjykatën e Lartë Ushtarake ‘për faje kundër popullit e shtetit'”.

Siç rezulton nga aktet e dosjes hetimore, asnjërit prej të pandehurve nuk u është komunikuar ndonjë akuzë; nuk është bërë ndonjë proces hetimor ndaj tyre, nuk ka një dosje hetimore, përveç një hetimi të pjesshëm të Gjon Temalit, nuk janë thirrur dëshmitarë, nuk është bërë asnjë gjykim, nuk është bërë apelim etj. Pra, të gjitha veprimet e procedurës penale janë të kundërligjshme dhe kjo është katërçipërisht e provuar.

Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Rasim Dedja, dëshmon: “Për pushkatimin e këtyre personave nuk është bërë gjyq dhe këtë e them, sepse nga zyrat e Ministrisë së Brendshme ata janë çuar direkt në vendin e pushkatimit”. Meqenëse ekzekutimi pa gjyq bëri bujë brenda dhe jashtë Shqipërisë, atëherë Gjykata e Lartë Ushtarake në bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit, pasi ishin pushkatuar 22 të arrestuarit, nisën procedurat e përpilimit të procesverbaleve të rreme, fiktive, sikur gjyqi ishte zhvilluar. Ekzistojnë dy procesverbale gjyqësore të falsifikuara të Gjykatës së Lartë.

Njëri mban datën 26.2.1951: “Gjykata Ushtarake, me kryetar nënkolonel Shuaip Panariti, anëtar kapiteni i parë Vangjel Kocani dhe kapiten i parë Nonda Papuli, e sekretar Hidaji Bejo e ka filluar shqyrtimin e çështjes më 26.02.1951 dhe është shprehur për dënimin e të gjithë të akuzuarve me vdekje – me pushkatim, duke u bazuar në ligjin 372 datë 12.2.1946. Ky vendim gjykate është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm menjëherë”. Në fund ka firmosur kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti, dhe anëtari Vangjel Kocani; nuk është firmosur nga anëtari tjetër Nonda Papuli dhe sekretari Hidaji Bejo.

Kopertina e librit të Uran Butkës, kushtuar masakrës së 26 shkurtit 51
Kopertina e librit të Uran Butkës,
kushtuar masakrës së 26 shkurtit 51

Anëtari i trupit gjykues të Gjykatës së Lartë Ushtarake dhe nënkryetair i saj, Vangjel Kocani, dëshmon: “E kujtoj mirë se në vitin 1951 ka ndodhur një ngjarje në Tiranë dhe konkretisht u fol se ishte hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike…

Pas ca ditësh të kësaj ngjarjeje, apo me kalimin e një jave, unë jam thirrur nga kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti, dhe më tha se ‘ti e di që është hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike, Sigurimi ka arrestuar dhe një pjesë nga të arrestuarit, 22 veta janë pushkatuar pa u bërë gjyq, prandaj duhet që të firmosim një vendim gjyqësor penal formal, pasi gjyq nuk mund të bëjmë, se Sigurimi i ka pushkatuar pa gjyq personat…

Shuaipi më tha se vendimi i gjykatës është formal, nuk ka asnjë pasojë dhe duhet ta bëjmë këtë pasi është urdhër i udhëheqjes së shtetit dhe në atë kohë Kryeministër ishte Enver Hoxha. Shuaipi më tha: ‘Ti, Vangjel mos u shqetëso, derisa vendimi është formal dhe ne në fakt nuk gjykojmë njeri”.

Më porositi që për këtë vendim penal fiktiv, ‘duhet të mbyllësh gojën e të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror’. Pas kësaj kemi shkuar me Shuaipin në zyrat e Ministrisë së Brendshme. Shuaipi më paraqiti vendimin gjyqësor të daktilografuar dhe unë e kam firmosur. Kur ma dha vendimin për ta firmosur, Shuaipi nuk më ka treguar ndonjë dosje hetimore, nuk kam parë asnjë lloj materiali hetimor”.

Edhe përpilimi i procesverbaleve, edhe firmosja e tyre pas pushkatimit të 22 viktimave ishte bërë me urdhër të udhëheqjes shtetërore dhe përbënte një sekret shtetëror. Vetëm më vonë u zbulua e vërteta.

Sekretari i Gjykatës së Lartë, Hidaji Bejo, dëshmon: “Nuk e firmosa kur ma sollën vendimin sepse nuk mora vesh, u bë apo nuk u bë gjyq. S’mund të hidhja firmë pa qenë në gjykim. Po ashtu, refuzoi të firmoste edhe Nonda Papuli. S’kishim si të bënim ndryshe”. Por nuk mungojnë vetëm firmat e anëtarëve të trupit gjykues, mungojnë edhe të dhënat e tjera që shënohen zakonisht në procesverbale, gjithashtu datat janë ngatërruar, pra, gjithçka është kundërthënëse, hartuar në nxitim e sipër. Njëri procesverbal i falsifikuar mban datën 27.2.1951, kur të akuzuarit nuk ekzistonin më, ata ishin vrarë në mesnatën e datës 26.2.1951 dhe ishin varrosur.

Të gjitha këto manovrime e shkelje juridike nuk e mbuluan dhe nuk e fshehën dot masakrën e kryer pa gjyq dhe pa asnjë fajësi të provuar. Atëherë mafia politike dhe juridike, mbështetur edhe në përvojën sovjetike të dhunës e terrorit shtetëror stalinist, hartoi një dekret, që përligjte dhe justifikonte këtë praktikë kriminale dhe antiligjore. Ishte një dekret i formuluar nga Ministria e Brendshme dhe i firmosur nga Presidenti i Republikës, Omer Nishani, dhe sekretari Sami Baholli.

Ky dekret i datës 26 shkurt 1951 u hartua për të justifikuar vrasjet e paligjshme të 22 viktimave. I paprecedent në legjislacionin shqiptar dhe të huaj, që siguronte e përligjte arrestimet, vrasjet dhe burgimet masive nga ana e organeve të diktaturës, që shmangte etapat e procedurës penale e civile, përbënte një mohim të plotë të principeve të drejtësisë, një shkelje të përbindshme të të drejtave dhe lirive të njeriut, një përdhosje të Kushtetutës e të ligjeve të asaj kohe si edhe kartën e OKB-së të firmosur nga qeveria shqiptare. Mbi bazën e këtij dekreti u hartua edhe një procesverbal tjetër i falsifikuar, që mban datën 27.2.51, pa numër vendimi e pa numër protokolli, nuk ka as firmat e trupit gjykues në fund të procesverbalit.

Ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu, deklaroi në atë kohë me mburrje: “Dekreti i Kuvendit Popullor i datës 26 shkurt 1951 është një armë shumë e fortë në duart e pushtetit tonë, për të goditur pa mëshirë armiqtë e brendshëm”. Pra, ky dekret i zi u përdor jo vetëm për masakrën e 26 shkurtit 1951, por edhe për të justifikuar të gjitha krimet e masakrat e paligjshme të pushtetit komunist në vitet e mëpastajmë “për të goditur pa mëshirë armiqtë e brendshëm”.

Viktimat e pafajshme u pushkatuan natën e 26-27 shkurtit në breg të lumit Erzen, pranë fshatit Mënik dhe u hodhën në një gropë të madhe të përbashkët 4.30x3x1.50 m, të lidhur me njëri-tjetrin me tela me gjemba. 21 të gjallë dhe një i vdekur: Jonuz Kaceli, të cilin e kishin vrarë në zyrat e Sigurimit të Shtetit. Në mesnatë, fshatarët e Mënikut dëgjuan krisma të pandërprera pushkësh, ndërsa në të gdhirë panë një skenë të llahtarshme: diku dilte një dorë, diku një këmbë, diku flokë të përgjakur. Xha Kadri Hysa, që e kishte shtëpinë në kodër, fare pranë vendngjarjes, shkoi në të gdhirë atje dhe pa kufomat e përgjakura të mbuluara shkel e shko me dhe e shkurre dhe i mbuloi, që të mos i hanin qentë.

Fakti që viktimat ishin të pafajshme, u vërtetua edhe ligjërisht muaj më vonë, kur u dënuan ata që kishin hedhur në të vërtetë dinamitin në oborrin e Ambasadës Sovjetike. Dinamitin apo “bombën” e hodhën në oborrin e pasmë të Ambasadës Sovjetike Hysen Llulla dhe Qazim Laçi, anëtarë të organizatës së fshehtë “Bashkimi Kombëtar”, si një akt antisovjetik, pikërisht në ditën kur zhvillohej Plenumi i KQ të PPSH, që i kushtohej forcimit të miqësisë me BS dhe Stalinin e Madh, pra vijës staliniste të PPSH. Viti 1951 mund të quhet viti i bombës mbi intelektualët opozitarë, kundërshtarë të regjimit kriminal të Enver Hoxhës. Bomba ra edhe mbi rrethin familjar dhe familjet e tyre, që i internuan dhe i persekutuan për 50 vjet nëpër kampet e internimit e të përqendrimit.

Në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PPSH të 20 shkurtit 1951, ministri i Brendshëm, M. Shehu, propozoi: “Kjo masë do të procedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji”. (Të gjithë anëtarët e Byrosë: Jemi dakord me këto masa). Kemi të bëjmë me një gjenocid për motive politike, në përmasa të mëdha mbi qindra njerëz dhe familje të pafajshme. I ngarkuan dhunshëm nëpër kamionë të mbyllur dhe i degdisën nga Tirana familjet Kaceli, Shehu, Kodra, Peshkëpia, Herri, Selfo, Lezo, Kasoruho, Jegeni, Delhysa, Konomi, Temali, Shkupi, Nova dhe mjaft familje të tjera qytetare. Kalvari i vuajtjeve të tyre është i papërfytyrueshëm dhe i pafund.

Mjafton të përmendim vendimin e Kryeministrisë, datë 2.03.1951, për internimin nëpër kampe pune skllavëruese në kampet e Tepelenës, Lushnjës, Fierit, Vlorës, Beratit, Skraparit, Kavajës etj. “T’u gjendet ndonjë punë sa për të siguruar bukën e gojës”, thuhet në vendimin e Kryeministrisë. Në kampe pune dhe përqendrimi ata provuan poshtërimin, punët më të rënda sa për të nxjerrë bukën e gojës, gjallimin nëpër baranga dërrase disa familje bashkë në një kthinë, zakonisht nëpër depo e magazina, izolimin e plotë të tyre, moslejimin e shkollimit të fëmijëve, të lëvizjes së lirë, punët më të vështira dhe dënimet më të rënda për një gjest apo fjalë goje. Përveç këtyre, viktimave dhe familjeve të tyre iu sekuestruan shtëpitë, pronat, pasuritë e luajtshme, madje edhe librat.

Zonja e Tefik Shehut nga Gjakova, që kishte kryer studimet për skulpturë dhe ishte shtatzënë, nuk e lejuan të lindte në maternitet, po lindi në shkallët e maternitetit të Vlorës, Hysenin, një viktimë e gjallë e atij sistemi kriminal. Mereme Kacelit i ra barra e mbajtjes gjallë të 7 fëmijëve jetimë në kampin çnjerëzor të internimit në Tepelenë, po ashtu edhe nënave të tjera.

Sabiha Kasimatit, përveçse i morën jetën në lulen e rinisë, i sekuestruan edhe librin në dorëshkrim “Peshqit në Shqipëri” dhe e botuan me emrin e një rusi, Anatoli Koljakov. Ndërsa bibliotekat e pasura të të gjithë këtyre intelektualëve i morën pushtetmbajtësit, duke filluar nga prokurori Siri Çarçani, që mori gjithë bibliotekën e pasur të Manush Peshkëpisë. Asnjë dënim për kriminelët deri më sot.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura