Masakra me 8 viktima/ Psikologu Dragoti: Autori antisocial dhe i stigmatizuar, ka dashur të marrë hak…

Aug 13, 2018 | 22:34
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Psikologu i njohur Edmond Dragoti, profesor në Fakultetin e Shkencave Sociale, kërkon nga shoqëria më shumë ndjeshmëri sociale dhe komunitare që të mos prodhojë individë të izoluar dhe të papjekur për të kontrolluar emocionet dhe veprimet e tyre.

Psikologu Edmond Dragoti
Psikologu Edmond Dragoti

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, profesor Dragoti shprehet se autori i masakrës së Selenicës, i cili ekzekutoi 8 pjesëtarë të fisit të tij, rezulton të jetë një person josocial, i stigmatizuar, që e ka pasur të vështirë të orientojë emocionet e veta, dëshirat, pasionet, instinktet, agresivitetin, sepse i mungon pjesa sociale, ajo që kontrollon përgjegjësinë e çdo individi.

Çfarë përshtypjesh ju bëjnë nga ana sociale dhe psikologjike veprime të personave të stigmatizuar apo të veçuar nga shoqëria?

Në përgjithësi, është një grup i madh faktorësh që ndikojnë në këtë aspekt, nuk është vetëm një faktor. Ka faktorë potencialë, që janë të ardhurat e pamjaftueshme, papunësia etj. Por këta janë faktorë për të gjithë, por fakti që vetëm disa arrijnë të bëjnë marrëzi të kësaj natyre, do të thotë që ka dhe faktorë personalë, individualë që ndikojnë në veprime të tilla. Për rastin e masakrës së Selenicës, do të veçoja faktin që autori i masakrës është rritur në një mjedis josocial dhe ka krijuar një karakter të vetëizoluar. Ai nuk ka arritur të realizojë procesin e socializimit, i cili është i domosdoshëm në këtë moshë dhe si pasojë nuk ka ekuilibrat e mjaftueshëm socialë dhe ata emocionalë për të marrë vendimet dhe veprimet e caktuara. Ai nuk arrin dot pjekurinë e nevojshme sociale dhe emocionale dhe me këtë kam parasysh faktin që ai e ka pasur të vështirë të orientojë emocionet e veta, dëshirat, pasionet, instinktet, agresivitetin, sepse i mungon pjesa sociale, ajo që kontrollon përgjegjësinë e çdo individi. Kështu që tipa të tillë, që janë të izoluar, të vetëzilozuar, që jetojnë kryesisht me veten dhe jo me të tjerët, janë të predispozuar të kryejnë veprime antisociale. Shoqëria është një faktor shumë i rëndësishëm i stabilitetit mendor të individit. Madje, edhe personat autikë ose persona që kanë probleme të raporteve të ndryshme sociale, vuajnë pikërisht nga fakti se u mungon ndërveprimi dhe komunikimi social. Kontakti social është shumë përcaktues në formimin e karakterit të njeriut.

Mos vallë shoqëria jonë, kështu siç është orientuar, po prodhon dhe stimulon tipa të tillë të vështirë dhe asocialë?

Natyrisht, shoqëria e sotme është më kaotike se ajo e mëparshme, pavarësisht se ka më shumë liri për individin, më tepër është liruar individi sesa ka liri, pra është liruar në të gjitha sjelljet e tij, pra mungon përgjegjësia dhe integriteti në shoqëri. Dhe në këtë kaos social, politik dhe ekonomik të gjithanshëm, individi e ka shumë të vështirë të gjejë orientimin e duhur. Individi nuk e ka të qartë se kush është dhe në këtë kaos brenda tij, nuk e ka të vështirë të bëjë gjëra që nuk i parashikon dhe nuk arrin të peshojë koston dhe shpërblimin e veprimeve që bën. Ai ka dashur të marrë hak ndaj akuzave që i janë bërë, sepse edhe atëherë kur nuk ka vjedhur, ndoshta e kanë akuzuar si hajdut. Njerëzit e vetëizoluar në përgjithësi reagojnë shumë fort ndaj gjërave të vogla dhe nuk reagojnë fare ndaj gjërave të mëdha. Ky defekt në karakterin e tyre i bën ata të paparashikueshëm.

Jemi mësuar që gjithmonë pas ngjarjeve të tilla të bëhet një zhurmë publike dhe pas tri ditësh apo një jave, fenomeni kalon në heshtje. Kush duhet t’i dëgjojë këto kambana, që herë pas here bien në shoqërinë tonë?

Është e lehtë të flasësh për zhvillim në ekonomi, luftë ndaj papunësisë etj., etj. Autori i punësuar ishte, sepse ishte bari, pra nuk kishte probleme punësimi, ishte i vetëpunësuar. Shoqëria duhet të jetë më e ndjeshme, më sociale, më komunitare ndaj individëve të tillë. Shoqëria jonë ka filluar t’i humbasë këto vlera.

Edhe pse ai jetonte në fshat në një fis të madh, komunitar, pra kishte një komunitet të tij, ai përsëri është stigmatizuar dhe ka vuajtur nga kjo. Si shpjegohet?

Ai është ndjerë i veçuar sepse stigma është më e madhe në fshat. Duke njohur më mirë njëri-tjetrin, ata gjenerojnë më shumë stigmën dhe kjo gjeneron emocionet e tij negative dhe agresive.

Ajo që bie në sy, janë fushata të mëdha për autizmin, fëmijë të lindur me këtë sindromë, projekte të mëdha, donacione, ndërsa kemi lënë pas dore krijimin e një bashkëveprimi mes njëri-tjetrit për të ndihmuar që individë të tillë të socializohen. Çfarë duhet të bëjnë autoritetet dhe shoqëria?

E thashë që kërkohet një rritje e ndjeshmërisë nga ana e shoqërisë, duhet të jetë më sociale dhe të ndikohet më shumë në komunikimin social. Individualizmi që është ideologji e kohës së sotme, i shtyn njerëzit të veçohen dhe jo të bashkohen, ndërkohë që ideologjia kolektiviste që ka ekzistuar më parë, e ka pasur avantazh pjesën e socializimit, por ne nuk mund t’i referohemi asaj. Duhet ta bëjmë shoqërinë tonë më pak individualiste. Edhe strukturat shtetërore duhet të jenë më aktive në punën në komunitet. Organizatat joqeveritare duhet të investohen kryesisht me individët, me njeriun, me potencialin njerëzor. Duhet të ketë më shumë vëmendje ndaj të rinjve, të cilët edhe gjejnë edhe nuk gjejnë punë, por që veçohen nga shoqëria duke u bërë të rrezikshëm nga ana sociale. Po të shohësh një të ri që rri i mbyllur, nuk flet, nuk komunikon, me sytë poshtë, duhet ta kesh kujdes, sepse nga ai nuk parashikohet asgjë e mirë. Duhet të krijohen programe që të rinjtë të angazhohen në aktivitete komunitare, duke i stimuluar me bonuse prioritare punësimi në të ardhmen.

Si e shihni lehtësinë e përdorimit të armëve nga të rinjtë kryesisht, pa pasur asnjë përgjegjësi. Mendoni se duhen shtuar penalitetet ndaj atyre që mbajnë armë pa leje?

Duhet bërë një punë e vazhdueshme për mbledhjen e armëve dhe ndëshkime më të rrepta, sepse ai që edukon më shumë është ndëshkimi dhe jo shpërblimi. Kështu që, më mirë se të paguash dikë që dorëzon një armë, më shumë efekt në shoqëri bën ai që dënohet që kapet me armë. Nëse autori i masakrës së Selenicës nuk do të kishte pasur armë, gjithë ai agresivitet nuk do të ishte shoqëruar me aq viktima, do të ishte një numër shumë më i vogël nëse krimi nuk do kryhej me armë zjarri. Prandaj mbetet një detyrë e institucioneve që të mbledhin armët në popullatë. Prania e armës është shumë më e rrezikshme sepse të shton emocionin, të humbet arsyen dhe të detyron ta përdorësh, është ndjellëse.

Cili duhet të jetë roli i psikologut në komunitet, në shkolla, në bashki, komuna si e shikoni?

Me të gjitha këto probleme sociale sot, duhet ridimensionuar roli i tij? Psikologu është shumë i nevojshëm për të qenë i pranishëm, por problemi është se institucionet shtetërore e kanë të vështirë të financojnë dhe të mbështesin psikologun në mjedise të gjithanshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura