Masakra e Thumanës, babai i autorëve ndryshon dëshminë: Krimin e kryen dy nga djemtë, jo unë

Jun 10, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

Gurali Kora ka rënë në prangat e Policisë dhe fillimisht ka deklaruar para hetuesve të çështjes se kishte qenë ai autori i krimit të trefishtë të ndodhur në fshatin Thumanë të Krujës, duke përjashtuar tre djemtë e tij të kishin të bënin me ngjarjen.

Tre djemtë Kora, të shpallur në kërkim

56-vjeçari, i cili u arrestua rreth orës 01:30 të së hënës, në lagjen numër katër të qytetit të Laçit, ka pohuar gjithashtu se tre djemtë e tij nuk ndodheshin fare në vendin e krimit të ndodhur në orët e vona të së premtes së shkuar.  

DËSHMIA E PARË  

Kryefamiljari ka qenë kontradiktor në deklaratat e tij para grupit hetimor, ku fillimisht pranoi autorësinë, por kur u ballafaqua me provat e ekspertëve të kriminalistikës ka treguar versionin e drejtë të ngjarjes. “Krimin e kam kryer unë, pa ndihmën e asnjë prej djemve. Ata nuk kanë qenë farë në vendin e ngjarjes.

Unë dëgjova se djemtë kishin bërë sherr në Arbenin në lokalin e fshatit rreth një orë më parë dhe mora armët e më pas u zura pritë, teksa Arbeni me nipin dhe prindërit e tij po ktheheshin në shtëpi.

Sapo u afruan, qëllova Arbenin të parin dhe më pas edhe të tjerët”, kanë qenë fjalët e para të kryefamiljarit 56-vjeçar para hetuesve, duke tentuar ta marrë vetë përsipër autorësinë e krimit dhe për t’i nxjerrë të pafajshëm tre djemtë e tij, Besnik, Daniel e Pëllumb Kora, të cilët vijojnë të jenë në kërkim.

Mirëpo provat e mbledhura në vendin e ngjarjes nga ekspertët e kriminalistikës dhe fakti që në krim janë përdorur dy armë të ndryshme, tregojnë se ngjarja nuk është zhvilluar sikurse e tregon 56-vjeçari.

Ky i fundit, sipas ekspertëve, mendohet të mos ketë qëlluar fare, por me versionin e tij kërkon të marrë përsipër autorësinë dhe të nxjerrë të pafajshëm tre djemtë e tij, të cilët akuzohen drejtpërdrejt si autor të masakrës.

DËSHMIA E DYTË  

Pasi është përballur me provat dhe faktet, Gurali Kora ka pranuar të ketë qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes, por nuk ka qëlluar me armë. “Së bashku me djemtë i zumë pritë Arbenit pak metra larg shtëpisë. Isha edhe unë në vendin e ngjarjes, por nuk qëllova. Me armë qëlluan dy prej djemve. Madje unë shkova mbrapa për të mos degraduar konflikti, por nuk munda ta ndalja. Pasi djemtë qëlluan në drejtim të familjes Çeku, u larguam të gjithë me shpejtësi.

Nuk di të them se ku ndodhen tre djemtë, sepse sapo dolëm nga fshati u ndamë dhe prej atij momenti nuk kemi kontaktuar”, mësohet të ketë thënë para hetuesve kryefamiljari Gurali Kora, teksa ndodhej në ambientet e Policisë së Fushë-Krujës, pak orë pasi është dorëzuar nga Policia e Kurbinit. Sakaq, vë- mendja e Policisë tashmë është fokusuar në kapjen e tre djemve të 56-vjeçarit, Besnik, Daniel e Pëllumb Kora.

Nga hetimet rezulton se Daniel e Pëllumb Kora kanë qenë ata që kanë nxjerrë edhe armët, pistoletë e kallashnikov, duke hapur zjarr mbi 4 anëtarët e familjes Çeku, duke lënë tre të vdekur dhe një të plagosur.

 LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura