Masakra e Selitës, zbardhet dëshmia e Ymerit: Hynë me maska, i vunë gruas armën në kokë

Jul 5, 2015 | 15:12
SHPËRNDAJE

Zbardhet dëshmia e dhënë për Prokurorinë nga biznesmeni Flamur Ymeri, i cili pak ditë më parë u dërgua në gjyq për pengim të zbulimit të së vërtetës në lidhje me ngjarjen ku dy të rinj u vranë në banesën e tij në Selitë. Në dëshminë e parë, Flamur Ymeri ka dhënë një version më të shkurtër të ngjarjes, por më pas ka dhënë një dëshmi të dytë duke sqaruar më tepër detaje. Në dosjen e akuzës thuhet se Flamur Ymeri pa praninë e avokatit pranoi të japë shpjegime duke sqaruar se në datë 17.01.2014, rreth orës 08:30, ka qenë duke fjetur gjumë dhe në një moment ka dëgjuar se ka pasur zhurma në katin e parë të banesës së tij.

FLAMUR YMERI NE GJYKATE (MAJTAS) VIKTIMAT ADNAND LULI DHE ERVIN SHABA

Ai ka menduar se ishte nëna e tij, por më pas kur është afruar te dera që të çon në katin e parë, ka dëgjuar bashkëshorten e tij që po rënkonte me fjalët “mos më bëj keq të lutem” dhe dikë tjetër që i është përgjigjur “na trego ku është kasaforta”. Më pas, njëri nga personat është ngjitur në katin e dytë dhe ka filluar të kontrollojë në dhomën e gjumit. Pas tij lart është ngjitur dhe personi tjetër, duke kërcënuar me armë bashkëshorten e tij që t’i tregonte vendin se ku i mbanin lekët.

Flamur Ymeri sqaron se ka tentuar t’i dërgojë sms numrit 129, pasi në telefon nuk fliste dot, por nuk ka arritur ta dërgojë. Më pas e ka shkruar prapë një sms dhe ia ka dërguar shokut të tij me pseudonimin “Bicak”, që duhet të lajmëronte Policinë. Në një moment, Flamur Ymeri ka dalë nga dhoma dhe është përleshur me shtetasin, i cili i kishte drejtuar armen bashkëshortes se tij dhe pasi i ka marrë armën këtij ia ka drejtuar duke i thënë që të mos lëvizë, por arma është shkrepur dhe ky shtetas është rrëzuar në tokë.

DËSHMIA E DYTË
Mes të tjerash, në dosjen e vrasjes së shtetasve Adnan Luli dhe Ervin Shaba, thuhet se është ripyetur në cilësinë e personit nën hetim shtetasi Flamur Ymeri në praninë e avokatit. Ymeri ndër të tjera ka deklaruar se: “… personi me armë ka shtyrë gruan brenda dhomës dhe vetë qëndronte i mbështetur te dera me kurriz nga Flamuri. Në njërën dorë mbante një pistoletë nga ato me karikator. Flamuri e ka kapur në befasi nga mbrapa duke i marrë pistoletën, të cilën e kishte në dorën e djathtë që e mbante lart të mbështetur te korniza e derës. Pasi i ka marrë pistoletën e ka kapur me dorën tjetër nga ana e majtë duke ia drejtuar atë në qafë nga pas kokës.

Në këtë moment, ai ka tentuar të kthehet dhe ka futur dorën nga mbrapa për të marrë diçka. Në këtë moment i është shkrepur arma që i kishte drejtuar dhe personi ishte shembur përtokë duke i rënë edhe një revole me mulli nga pas. Aty ka parë që personi që ishte brenda në dhomë po i drejtonte një armë pistolete dhe duke menduar se do ta qëllonte Flamuri e ka qëlluar me pistoletën që kishte në dorë, por edhe me atë tjetrën me mulli që kishte rënë në tokë. Ai nuk është i sigurt me cilën nga të dyja ka realizuar qitje, por ai ka kërkuar të qëllojë me të dyja. Pasi është shembur në tokë edhe ky personi tjetër, Flamuri ka hedhur pistoletat që kishte në dorë dhe i është afruar personit të dytë, duke i marrë pistoletën që kishte në dorë. Pasi ia ka marrë, ka tentuar t’i qëllojë edhe me këtë armë, por ajo nuk qëllonte. Ia ka drejtuar edhe personit të parë që ishte shtrirë në tokë, por përsëri pistoleta nuk ka qëlluar.

Në këto kushte e ka kapur pistoletën nga tyta dhe duke e përdorur si çekan ka goditur në kokë personin që ishte brenda në dhomë, pasi donte të ishte i sigurt që ky të mos lëvizte (fakt që është evidentuar edhe në aktin e ekspertimit mjekoligjor). Në çantën që mbante në shpinë personi në dhomë, Flamuri ka parë një gyp si silenciator është afruar dhe ka nxjerrë nga çanta këtë armë dhe i ka qëlluar përsëri dy personat pasi i janë dukur sikur po lëviznin. Arma nuk bënte zhurmë. Të parin ka qëlluar personin brenda në dhomë që kishte çantën në kurriz, ndërsa më pas i ka qëlluar edhe personit të shtrirë te dera. Ai me sa mban mend i ka qëlluar disa herë me armën e dytë personit në dhomë, pastaj ka qëlluar edhe atë te dera, por nuk mban mend sa herë”.

TABULATET TELEFONIKE Prokuroria bën me dije se janë kërkuar tabulatet telefonike të numrave të viktimave Adnan Luli dhe Ervin Shaba, si dhe personave që kanë komunikuar me ta ditën para ngjarjes. Nga përgjigja e marrë rezulton se ka numra me interes, të cilët kanë pasur komunikim me viktimat në orët e para të mëngjesit të ditës se ngjarjes. Prokuroria ka kërkuar informacion lidhur me identifikimin e këtyre abonentëve dhe janë identifikuar si përdorues të numrave 06984xxxx shtetasja XH.K., ndërsa për numrin 06973xxxx shtetasja F.R.

DËSHMITË E TË DASHURAVE Është pyetur shtetasja XH.K., e cila ndër të tjera ka deklaruar se ka qenë e dashura e shtetasit Adnan Luli dhe ditën e ngjarjes më 17.12.2014, rreth orës 00.54, i ka dërguar sms të dashurit të saj, por nuk ka marrë përgjigje prej tij. Në këto kushte ajo ka telefonuar shtetasin Ervin Shaba, i cili ishte shoku i Adnanit dhe ka dëgjuar Ervinin që i është përgjigjur, por ajo nuk ka folur duke ia mbyllur telefonin. Të nesërmen pas ngjarjes rreth orës 10.00 ka komunikuar në numrin e shtetasit Ervin Shaba me nënën e këtij të fundit, e cila rezulton të ketë pasur në shtëpi telefonin Ervinit.

Është pyetur shtetasja F.R., e cila ndër të tjera ka deklaruar se ka pasur komunikime të shpeshta me shtetasin Ervin Shaba, pasi ky i fundit e ngacmonte shpesh në telefon dhe në Facebook-un e saj, duke i kërkuar të kishte një lidhje dashurie me të. Dëshmitarja thekson se nuk kanë pasur ndonjë lidhje me njëritjetrin. Ajo shton se i ka dërguar disa mesazhe në datën 17.12.2014, pra, ditën e ngjarjes, pasi e kishin lënë të sqaroheshin për t’i kërkuar atij të mos e shqetësonte më, por ai nuk i është përgjigjur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura