Masakra e Selitës, Gëzim Luli: Flamur Ymeri i vrau dy djemtë dhe fshehu armët

Jul 4, 2015 | 3:00
SHPËRNDAJE

Babai i Adnan Lulit, njërit prej të rinjve të vrarë nga Flamur Ymeri në dhjetor të vitit të kaluar në Selitë, dyshon se provat janë manipuluar në favor të autorit të krimit.

FLAMUR YMERI NE GJYKATE (MAJTAS) VIKTIMAT ADNAND LULI DHE ERVIN SHABA

Sipas Lulit, dërgimi në gjyq i Flamur Ymerit vetëm për fshehje provash, duke mos mbajtur më asnjë përgjegjësi për vrasjen e dy djemve të rinj, flet për një korrupsion të madh që është bërë.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Gëzim Luli tregon se organi i akuzës ka hetuar vetëm mbi pistën e ngritur nga vetë i dyshuari dhe nuk ka marrë në konsideratë dëshmitë që ai dhe familja e tij ka dhënë. Sipas Lulit, djali i tij bashkë me shokun e vet kanë pasur njohje të mëparshme me Flamur Ymerin dhe ky fakt i është thënë prokurorisë nga e shoqja, të cilës Adnani i kishte treguar se kishin një çështje borxhi me të.

“Për mua këtu vjen era pisllëk, era korrupsion. Sepse nuk mundesh që të çosh në gjyq një person që ka vrarë dy veta, të pushosh një element kryesor të ngjarjes, akuzën kryesore dhe të merresh me një element që për mua nuk vlen fare në krahasim me atë që ka ndodhur”, shprehet babai i Adnan Lulit.

Personi që në dhjetor të vitit të kaluar u arrestua se kishte vrarë djalin tuaj dhe shokun e tij, nuk do të gjykohet për vrasje. Ju keni ndonjë koment për këtë vendim të Prokurorisë?
Unë kam një ankesë për Prokurorinë, që sipas mendimit tim nuk e shikon me drejtësi këtë çështje. Se cila është arsyeja pse Prokuroria nuk e shikon me drejtësi dhe në interes të paanshëm, unë nuk e di. Por unë shoh që Prokuroria e ka ndarë këtë çështje në dy pjesë, gjë që nuk është e mundur të ndahet. Vetëm alkimia e një pisllëku mund ta bëjë këtë gjë. Të ndajë krimin, me pasojat e krimit. Si mund të ndahet krimi me provat e krimit? Pra provat e krimit i heton më vete, i çon në gjyq, ndërsa çështjen e vrasjes e mbyll. Sipas tyre ka një vrasje, por nuk është siç e quajnë ata në kalim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme. Pra qenka një vrasje në kushtet ekstreme të kushteve të nevojshme. E pushojnë këtë çështje në një kohë që ai ka fshehur armët me të cilat është bërë krimi. Me çfarë i vrau ai? Me ato armë që fshehu i vrau. Mua më lind e drejta tani të mendoj që ato armë mund të kenë qenë të përfshira edhe në ndonjë krim tjetër. Se për këtë krim nuk kishte pse t’i fshihte, sepse e pranoi vetë që e kishte bërë. Kur ai e paska të justifikuar veprimin e tij, pse i ka fshehur armët? Madje nëse nuk do kishte vepruar ashtu, atëherë ai do ishte në rregull, sepse ata vërtet paskan dashur ta vrisnin, ta grabisnin a ku di unë se çfarë.

Keni ndonjë dyshim pse ka ndodhur kështu?
Për mua kjo tregon dhe më bën mua të mendoj se edhe skena e krimit është përgatitur. Është manipuluar skena e krimit, janë fshehur provat. Madje mendoj se edhe elementët që duhet ta zbulojnë këtë çështje kanë një lloj manipulimi. Këtu mund të jenë të përfshirë policët gjyqësorë, apo edhe ata policët që shkuan atje kur u njoftuan për ngjarjen. Ky ka pasur kohë të fshehë provat, krimin, të rregullojë gjithçka, madje edhe mund të jetë ndihmuar. Pastaj ka lajmëruar kur ka qenë gati, kur ka dashur vetë. Prokuroria heton dhe analizon vetëm pistën që ka treguar vetë Flamur Ymeri. Pra variantin e tij, kur faktikisht Prokuroria duhej të analizonte edhe një pistë tjetër, që është pista që kemi thënë ne, të cilën e kemi deklaruar.

Cilën pistë keni deklaruar?
Që këta persona janë takuar. Nuk është se nuk njiheshin me njëri-tjetrin. Madje këtë gjë e ka relatuar ime shoqe, së cilës djali i kishte thënë që kishin takuar një person që u kishte borxhe. Këtë ia kemi thënë Prokurorisë dhe e ka këtë variant. Por nuk e ka marrë fare në analizë këtë çështje. Madje ne kemi të dhëna që janë takuar edhe herë të tjera, jo vetëm një herë, por disa herë. Pra si shkuan këta rastësisht te dera e shtëpisë së tij dhe u futen brenda për ta grabitur? Pra këta kanë shkuar për të sqaruar një çështje që kishin për të sqaruar. Se për çfarë do të flisnin e dinë ata, ne nuk dimë gjë. Po ta dija unë, do ta kisha thënë. Por ai që ka bërë këtë lloj krimi, e di si ka qenë puna.

Ju keni ndonjë dyshim pse është bërë një formulim i tillë akuze për Flamur Ymerin?
Për mua këtu vjen era pisllëk, era korrupsion. Sepse nuk mundesh që të çosh në gjyq një person që ka vrarë dy veta, të pushosh një element kryesor të ngjarjes, akuzën kryesore dhe të merresh me një element që për mua nuk vlen fare në krahasim me atë që ka ndodhur. Ose të thotë që këta dy djem të rinj i ka vrarë dikush tjetër, nuk i ka vrarë Flamur Ymeri dhe të gjenden autorët e vërtetë të ngjarjes.

Pra për ju në këtë formë bie poshtë edhe versioni i tij që vrasja është bërë për grabitje?
Tani ai i ka vrarë në shtëpinë e vet, por dy djemtë kanë dalë me rroba shtëpie, prej aty nga ku kanë dalë, siç thotë familja e djalit tjetër. Pra ata të dy i bie që i paska armatosur vetë ky dhe i ka rregulluar sipas qejfit. Ne nuk kemi asnjë lloj indicie që ata të kenë dalë me rroba e aq më tepër me armë. Jam shumë i pakënaqur nga e gjithë kjo lloj analize që i ka bërë Prokuroria kësaj çështjeje. Nuk them që kjo nuk është çështje e vështirë, por që do vullnet pasi aty janë vrarë dy veta. Janë dy djem të rinj që janë vrarë. Elementi që ai ka në favor është se ata janë gjetur të vrarë në shtëpinë e tij, por kjo nuk do të thotë që edhe vrasja ka ndodhur për ato lloj motivesh që ai pohon. Këto janë krejtësisht enigmë. Prokuroria në vend që t’i sqarojë këto enigma, i shton edhe më shumë.

A i keni kërkuar Prokurorisë që të njiheni me dosjen hetimore, apo me provat?
Unë i kam kërkuar Prokurorisë një avokat, sepse si rregull prokurori duhej të ishte avokati ynë, jo i autorit të akuzuar. Para dy muajsh i kam paraqitur një prokurorë të një avokati që të analizojë çështjen me avokatin tim. Nuk i është dhënë asnjë lloj përgjigje me shkrim dhe nuk më është dhënë asgjë në lidhje me ngjarjen. Derisa kam bërë një kërkesë me shkrim, duhej të më kthenin edhe mua një përgjigje me shkrim.

 ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura