Masakra e Selitës, flet babi i Gëzim Lulit: Djalin e kërcënuan para se ta vrisnin

Jul 10, 2015 | 15:30
SHPËRNDAJE

Babai i Adnan Lulit, 22-vjeçarit që u vra mëngjesin e 17 dhjetorit të vitit të kaluar nga Flamur Ymeri, ka dyshime të forta rreth ngjarjes. Sipas Gëzim Lulit, ajo që ka ndodhur është një inskenim, i cili është marrë si i besuar edhe nga organet e hetimit. Gëzim Luli shprehet se organi i akuzës nuk ka marrë parasysh pretendimet e tij se i biri ishte kërcënuar para ngjarjes, duke marrë si të mirëqenë versionin e paraqitur nga autori i ngjarjes, Flamur Ymeri.

FLAMUR YMERI NE GJYKATE (MAJTAS) VIKTIMAT ADNAND LULI DHE ERVIN SHABA

Sipas Gëzim Lulit, ngjarja ka shumë pikëpyetje, të cilat janë lënë pa përgjigje dhe, ashtu siç është pranuar dhe shpjeguar edhe në konkluzionet e Prokurorisë, të ngjan më shumë me një skenar filmash. Një javë më parë, Prokuroria dërgoi në gjyq Flamur Ymerin me akuzën e pengimit në zbulimin e të vërtetës për humbjen e dy armëve të përdorura në ngjarje.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Luli rendit pikëpyetjet e tij rreth kësaj ngjarjeje, enigma që sipas tij duhen zgjidhur nga organet kompetente.

Jeni njohur me konkluzionet e Prokurorisë në lidhje me akuzën për Flamur Ymerin?
Vetëm nëpërmjet mediave. Unë nuk besoj se kjo është një paraqitje normale e konkluzioneve nga ana e institucionit të organit të akuzës, por besoj se nëpërmjet këtyre konkluzioneve kërkohet të krijohet një opinion i favorshëm në lidhje me vrasjen. Opinioni i favorshëm do të thotë që ky person, që do të shkojë në gjyq tani, pra Flamur Ymeri, të lirohet sa më shpejt që të mos ketë asnjë lloj problemi. Por unë nuk besoj se duke dashur të krijohet një opinion pozitiv në lidhje me vrasjen, mund të krijojë patjetër një besueshmëri në opinionin publik. Unë besoj që opinioni është i bindur që aty janë paraqitur skena ose janë inskenuar ngjarje dhe rrethana, të cilat vetëm në një film western mund të besohen.

Besoni që është e inskenuar?
Plotësisht. Është e pamundur që një person, siç është rasti i Flamur Ymerit, të çarmatosë dy djem të rinj, të cilët sipas tij kanë shkuar për ta vrarë, apo për t’i grabitur pasurinë dhe ata të dy janë si manekinë aty. Nuk lëvizin fare, nuk kanë asnjë lloj reagimi apo refleksi. Rrinë siç do ai, të shkujdesur, madje duke i mbajtur edhe duart e pistoletat të gatshme për t’ua marrë ai nga dora. Ky ia merr nga dora pistoletën e mbushur dhe qëllon njërin, ai tjetri që ndodhet në dhomë, në të njëjtën shtëpi, edhe ai e ka pistoletën, por e ka të pambushur, por nuk reagon fare kur qëllon ky, kur dëgjon të shtënat. Nuk ka përleshje fare, nuk ka asgjë. Pra, ky të vret siç ka qejf vetë, pa hasur asnjë lloj rezistence, edhe pse sipas tij të dy djemtë ishin të armatosur. Kjo është e para. E dyta, çfarë bën ky zotëria? Pasi i vret, bën edhe prova me armët e tjera. Merr një armë e qëllon, merr një tjetër e qëllon, pra, edhe pasi i kishte vrarë të dy, i qëllon edhe për së vdekuri me të gjitha llojet e armëve që ishin aty. Pra, atij nuk i mjaftoi një pistoletë që i vrau të dy, por bën edhe eksperimente, provon armët e tjera në trupat e dy viktimave. Prapë këtu ndodh një paraqitje faktesh e skenash, që Prokuroria i ka konsideruar si të vërteta, pa e marrë mundimin të hetojë me seriozitet. Duket sikur Flamur Ymeri është një “superman”, ndërsa këta të dy që kanë shkuar për të vjedhur, sipas Prokurorisë me një lloj eksperience, këta rrinë e shohin se çfarë po bën ai dhe presin atë që t’i vrasë.

Keni ngritur ndonjë pretendim në Prokurori rreth skenës së krimit?
Nuk e merr parasysh askush, as nga Policia, as nga Prokuroria, që gjithë këto armë që janë përdorur aty, mund të mos ishte ky i vetëm që i ka përdorur, por të ketë pasur edhe persona të tjerë. Këtë gjë Prokuroria duhej ta kishte hetuar ose ta hetojë. Pse ky njeri qëlluaka me kaq shumë armë? Për çfarë arsyeje i merr armët e këtyre djemve, qëllon me to, pastaj del në oborr e i hedh sipas qejfit? Nga e gjithë kjo, Prokuroria tani heton vetëm fshehjen e provave. Nuk merret fare me vrasjen, sepse vrasja na qenka në kushtet e masave për mbrojtjen e nevojshme dhe merret vetëm me fshehjen e provave. Për mendimin tim, kjo është hera e parë që unë dëgjoj të ndodhë një gjë e tillë. Mbase nuk kam eksperienca në këtë drejtim, por mua më duket se kjo është hera e parë që një person, i cili ka vrarë dy veta dhe e pranon se i ka vrarë, të mos mbajë asnjë përgjegjësi se u mori jetën dy të rinjve, por vetëm pse fshehu provat. Nuk ma merr mendja të ketë ndonjë precedent të mëparshëm të këtij lloji.

Ju keni thënë edhe më parë se keni orientuar Prokurorinë edhe drejt një piste tjetër. Cilat janë dyshimet tuaja?
Ne djali na kishte thënë se është kërcënuar. Por ne nuk kemi prova dhe nuk na ka thënë se kush e ka kërcënuar, kush është ky person. Nuk na e ka shpjeguar. Vetëm se na ka thënë që po kërcënohej dhe ishte nën presion bashkë me shokun e vet, për një çështje borxhi që ai kishte. Pra shoku, djali tjetër, Ervini, jo djali im. Unë ia kam thënë këtë Policisë e Prokurorisë, duke këmbëngulur, por ata nuk e hetojnë fare këtë pistë, por pistën që u ka servirur Flamur Ymeri, që, me sa di unë dhe më kanë thënë, ai qenka mjeshtër për të tilla gjëra. Por jo vetëm këtë, Prokuroria duhet të zgjidhë edhe dy enigma të tjera të kësaj ngjarjeje.

Cilat janë këto enigma?
E para, Prokuroria duhet të zbulojë telefonatat anonime, me anë të të cilave këta dy djem kanë dalë jashtë. Pra, ka një person të tretë që u ka telefonuar djemve dhe i ka thirrur jashtë. Dhe e dyta, ku kanë shkuar këta dy djem, nga ora 02:00 e natës deri në orë 08:30 të mëngjesit, që thotë ai se ka ndodhur ngjarja? Ku kanë shkuar dhe ku kanë qëndruar gjatë kësaj kohe që nga momenti kur kanë dalë nga shtëpia e Ervin Shabës, sepse kanë qenë aty kur i kanë telefonuar? Ata kanë dalë me pizhame, pa çantë, pa armë, pa xhupa, pa asgjë, edhe pse ka qenë dimër dhe ishte ftohtë. Ata i ka thirrur dikush, njerëzve të shtëpisë aty u kanë thënë se do kthehen tani e nuk vonohen dhe nuk janë kthyer më. Ndërsa pastaj figurojnë që janë veshur me maska, me tuta, me nga dy palë tuta, të armatosur, etj., etj., dhe Prokurorisë këto i duken normale dhe nuk i zgjidh. Por i bie shkurt sipas interesit që ka, për ta lënë ashtu siç e ka paraqitur pala e interesuar, që e ka zbukuruar ngjarjen në një mënyrë të atillë, sa tani akuzohet vetëm për fshehje provash.

Po në lidhje me telefonatat anonime që ju i keni përmendur edhe më parë?
Asgjë nuk është bërë. Ngatërrojnë me qëllim edhe dy të dashurat e djemve, të djalit tim dhe të djalit tjetër, sikur i paskan bërë ato të dyja telefonatat anonime. Por kjo nuk është e vërtetë. Vajzat, të dyja, pas orës 01:00 të natës, nuk kanë pasur asnjë lloj kontakti me dy djemtë. Dhe nuk kishin pse t’i merrnin me anonim, sepse i kanë marrë me numër atëherë kur i kanë marrë. Telefonatat me numër privat janë bërë në orën 01:35, që e ka djali im në telefon, ndërsa shoku i tij e ka 5 minuta më pas. Pas këtyre telefonatave, ata kanë dalë jashtë.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura