“Masakra” e javës 26-të në Kategorinë Superiore, FSHF-ja pezullon tri arbitra

Mar 24, 2018 | 11:30
SHPËRNDAJE

FSHF reagon me mënyrën e vet sa u përket gjyqtarëve që gabuan në javën e 26-të. Edhe pse ishin gafa në masë në të pesta ndeshjet e Kategorisë Superiore, komisioni i vlerësimit të arbitrave në institucionin e futbollit ka pezulluar vetëm tre gjyqtarë kryesorë dhe një anësor.

Gjyqtari

Bëhet fjalë për kryesorët Emirjon Sino, Ardian Beqiri dhe Eldorian Hamiti, si dhe anësorin Ilir Tartari. Dy të fundit mbajnë edhe stemën e FIFA-s, ndërsa u bënë protagonistë me vendime të gabuara gjatë ndeshjeve Kukësi-Vllaznia 2-0 dhe Skënderbeu-Luftëtari 2-1.

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht nga burime të sigurta në FSHF se kryesorëve Sino dhe Beqiri u është thënë se janë të pezulluar për tri javët e radhës në kampionat. Nga ana tjetër, dënimi për lezhjanin Hamiti është pezullim me një afat të pacaktuar. Tri javë jashtë edhe për asistentin Tartari që katranosi gjithçka në Korçë.

Eldorian Hamiti

Fillimisht ishte kryesori Sino, që edhe pse me dhjetëra metra larg aksionit, guxoi të jepte një penallti qesharake. Më pas, Tartari vulosi gjykimin e turpshëm të asaj ndeshjeje me një penallti të mohuar për Luftëtarin, edhe pse kishte një pamje më se të qartë pas prekjes së topit me dorë nga mbrojtësi i korçarëve.

Nga ana tjetër, në Laçi-Kamza 2-0, kryesori Ardian Beqiri përveçse u mohoi nga një penallti skuadrave, shpesh u bë protagonist gjatë lojës, duke dhënë vendime të dyshimta, veçanërisht në favor të vendësve. Ndërsa, Hamiti në ndeshjen e Kukësit i mohoi një penallti neto Vllaznisë kur rezultati ishte ende 1-0 për vendësit.

Ardian Beqiri

Nga java “famëkeqe” e gjykimit dolën pa u lagur vetëm dy kryesorë, edhe pse ata gabuan në ndeshjet respektive: Lushnja-Teuta 2-3 dhe Partizani-Flamurtari 1-0. Bëhet fjalë për Klajdi Kolën dhe Andi Koçin. Në ndeshjen e “Selman Stërmasit” mbi të gjitha bëri bujë një pozicion jashtë loje i akorduar pa qenë i tillë nga anësori Herald Lisaku.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura