Masakra e Elbasanit/ Si u ekzekutua në Itali i akuzuari për vrasjen e Sokol Çapjes

Feb 4, 2016 | 9:52
SHPËRNDAJE

“E dimë kush e ka porositur atentatin ndaj tim eti. Janë po të njëjtët që e plagosën në vitin 2006 në Elbasan. Tani mjaft më!”. Elton Mema, djali i madh i ish-shefit të Policisë Rrugore, Fadil Mema, vrarë në orët e para të 13 marsit në Torino të Italisë, deklaron se porositësit i njohin.

Vendi ku i ekzekutua ish polici Mema

Mediat italiane kanë cituar fjalët e djalit të viktimës, të cilin e kanë takuar poshtë pallatit ku jeton familja e tij, në rrugën “Pavese” të Torinos. Aty pranë iu qëllua i ati tri ditë më parë, nga persona ende të paidentifikuar. Por djali i Fadil Memës ka thënë për gazetarët atë që ka treguar dhe për Policinë.

“Porositësit e vrasjes i dimë. Policia të gjejë autorët, sepse ata nuk i njohim. Kush qëlloi mbi babain tim duhet të jetë shqiptar, i punësuar nga organizatorët e krimit”, ka shtuar Eltoni.

Gjithmonë sipas mediave të huaja në shtetin fqinj, familjarët e ish-policit shqiptar dyshojnë se ka dëshmitarë për këtë ngjarje. “Kemi të dhëna që dikush ka parë vrasjen. Ky person duhet të tregojë për autorët që të arrestohen sa më parë”, mësohet të kenë thënë ata.

Lajmi i ekzekutimit të ish-shefit të Policisë Rrugore të Elbasanit ka pasur jehonë në shtetin italian, për shkak të historisë së krimeve që janë shënuar më parë në Shqipëri.

“Ishpolici kishte ndërtuar jetën e re në Itali, larg vendit të tij, ku u shënuan 5 viktima. Ai kishte emigruar pas atentatit të vitit 2006 në Itali dhe kishte nisur punë si shpërndarës gazetash. Mëngjesin e 13 marsit, ai u qëllua për vdekje, pak kohë pasi kishte dalë nga pallati ku jetonte”, citon “Reppublica”.

Nga hetimet e kryera të policisë italiane rezulton se autori që ka qëlluar me pistoletë ndaj 54-vjeçarit Mema ka qenë një. Bazuar në gëzhojat në vendngjarje, viktima u qëllua vetëm nga një armë, por hetuesit nuk përjashtojnë faktin se ai të jetë ndihmuar nga më shumë se një person.

Një detaj që zbulohet nga policia italiane është se gruaja e Fadil Memës ka parë vrasësin të largohej me një makinë të errët. Ajo ka dalë në dritare kur ka dëgjuar krismat, por ka kuptuar brenda pak çastesh se viktima ishte bashkëshorti i saj. Në rrugë janë dalluar lëvizje, të cilat do të verifikohen dhe nga filmimet e kamerave të sigurisë, për të çuar në zbulimin e autorëve të krimit. Një prej tyre mund të jetë dëshmitari kyç.

“Dëshmitari ende nuk është prezantuar në polici, por është dikush, i cili ka parë të largohet personin që ekzekutoi babanë tim,” ka thënë Elton Mema. Fadil Mema u ekzekutua me 7 plumba të kalibrit 9, sapo kishte hyrë data 13 mars. Hetimet janë të lidhura me të kaluarën e Fadil Memës në Shqipëri, për të cilën duke ikur për të jetuar në Itali kishte menduar se i kishte lënë pas, por që në të vërtetë e kishte ndjekur pas deri në Torino, ku dhe u vra.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura