Masakra e 4 shkurtit ’44 në Tiranë, zbulohet dosja hetimore: Në spitalin civil u çel dhoma e destinueme për të vdekunit, u panë …

Feb 5, 2020 | 10:40
SHPËRNDAJE

pjimage

Dashnor Kaloçi/ Publikohen disa dokumente të panjohura arkivore që bëjnë fjalë për ngjarjen e shumpërfolur të 4 shkurtit të vitit 1944, e njohur ndryshe si “Masakra e 4 shkurtit”, me proces-verbalet e grupit hetimor që u ngarkua nga qeveria e asaj kohe për zbardhjen e asaj ngjarje, të kryesuar nga Prokurori i Shtetit, Tod Gjini, nga Durrësi, Sekretari  i Prokurorisë së Durrësit, Tofik Kazanilla, (u caktua aty në mungesë të Sekretarit të kësaj Prokurorie, Pandeli Kosova), zv/kryetarit të Bashkisë Nikolla Kotte, të cilët u shoqëruan nga toger Dik Cami, i ngarkuar prej Qarkomandantit të Xhandarmërisë, major Sybi Topallit, për të siguruar grupin hetimor.  Nga proces-verbalet që janë mbajtur prej këtij grupi hetimor që nga data 5 shkurt e deri më datën 16 shkurt 1944, rezultojnë gjithsej vetëm 14 persona të vrarë, ku 10 prej tyre ndodheshin në morgun e Spitalit Civil të Tiranës që në datën 5 shkurt, kurse katër të tjerë u gjetën disa ditë më pas, të vrarë në rrugët e Tiranës, apo dhe të groposur në periferi të kryeqytetit në afërsi të rrugës nacionale Tiranë Elbasan.

Ngjarja e datës 4 shkurt e vitit 1944, ku në rrugët e Tiranës u gjetën të vrarë nga të shtëna armësh disa persona (për numrin e tyre ende nuk ka një shifër të saktë), e cila njihet ndryshe dhe me të drejtë si “Masakra e 4 shkurtit 1944”, është një ndër ngjarjet që prej vitesh ka ngjallur apo më saktë ka ndezur debate, si për arsyet se: kush dhe përse e urdhëroi vrasjen e atyre personave, dhe gjithashtu edhe për numrin e saktë të të vrarëve ato dy tre ditë në qytetin e Tiranës. Sa mësipër, lidhur me këtë ngjarje e cila i ka hapur dhe ndezur debatet vetëm pas viteve ’90-të, janë botuar aq shumë shkrime, saqë po t’i rikthehesh prap asaj, zor që do të ndryshonte gjë. Pasi studjuesit, historianët, gazetarët, publicistët, veteranët, shoqatat dhe individë të ndryshëm që janë marrë me atë ngjarje që njihet si “Maskarën e 4 shkurtit 1944”, nuk do të lëviznin kurrë nga “istikamet” e tyre. Por ajo që mund të thuhet me siguri, ka qenë dhe mbetet numri jo i saktë i të vrarëve, i cili gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës, është thënë zyrtarisht 84, shifër e cila pas viteve ’90-të nuk u konfirmua dhe nuk u vërtetua kurrë, megjithëse arkivat kanë qenë dhe mbeten të hapura për këdo. Që shifra 84 është tejet e ekzagjeruar dhe është e fryrë disa herë, (ashtu si dhe numri i 28 mijë dëshmorëve), konfirmohet edhe me faktin që lista me emrat e të vrarëve nuk i kalojnë 40 vetat, duke futur aty edhe emra dëshmorësh, që në atë kohë kanë qenë në burgje dhe janë ekzekutuar disa muaj më vonë! Gjë për të cilat ka dokumente tepër të sakta në arkivat e shtetit shqiptar. Pa dashur që të futemi në një debat që nuk sjell asgjë të re lidhur me atë që janë thënë dhe shkruar deri më sot për këtë ngjarje, por me qëllimin e vetëm për të hedhur sadopak dritë për këtë ngjarje, duke filluar nga ky shkrim, Memorie.al po publikon disa dokumente arkivore me proces-verbalet e Prokurorit të Shtetit të asaj kohe, që u ngarkua për hetimet dhe zbardhjen e asaj ngjarje. Proces-verbalet në fjalë janë mbajtur nga data 5 shkurt 1944, pra një ditë pas vrasjeve që u kryen në Tiranë dhe përfundojnë në datën 16 shkurt. Dhe nga këto hetime rezultojnë gjithsej vetëm 14 persona të vrarë, ku nga këta, 10 kufoma ndodheshin në morgun e Spitalit Civil të Tiranës që më datën 5 shkurt, dhe vetëm dy prej tyre ishin të paidentifikuar. Kurse trupat e pajetë të 4 personave të tjerëve, u gjendën disa ditë më pas në vënde të ndryshme, si në lumin e Tiranës apo dhe të groposur në periferi të qytetit në afërsi të Rrugës së Elbasanit, ku nga këto dokumente nuk rezulton të jenë identifikuar se kush kanë qenë, por i paqartë mbetet dhe numri i tyre.

Dosja hetimore me proces-verbalet e Prokurorit të Shtetit, Tod Gjini për ngjarjen e 4 shkurtit 1944

Proces–verbal

Mbi lajmërimin që na është bërë nga ana e autoriteteve të S.P. (sipërpërmëndura) se në spitalin civil të këtushëm janë transportuar disa kufoma personash të vrarë ditën e datës 3 dhe ditën e datës 4 të muejit Fruer 944 në rrugët e kryeqytetit prej personave të padiktuem: sod me datën 5/2/944 ditën e shtunë paradreke, i nënshkruemi Prokuror i Shtetit Tod Gjini, asistuem prej Sekretarit të Prokurorisë së Durrësit, Zotit Tofik Kazanilla, në mungesë të Sekretarit të kësaj Prokurorie, z. Pandeli Kosova, që është provizorisht me shërbim pune gjyqit të posaçëm për Mbrojtjen e Atdheut, i shoqnum dhe prej togerit të Gjindarmërisë, zotit, Sadik Camit, i delegum prej Qarkomandantit, z. major Sybi Topalli, për të shoqnu titullarin e kësaj Prokurorie me kryemjen e hetimevet rreth vrasjeve të kryera më datën e tregueme më sipër, dhe prej zv/kryetarit të Bashkisë z. Nikolla Kotte u drejtova për në Spitalin e vëndit ku prej personelit t’atij spitali na ka njoftuar se disa kufoma janë përcjellë n’atë spital dhe vendosën në dhomën e të vdekunve, vizitimi i të cilëvet është bamë prej mjekut z. Suljemanit nga Dibra, prej të cilit na u çel dhoma e destinume për të vdekunit dhe u panë të shtrirë dhjetë kufoma personash me veshje të ndryshme civile nga të cilat u identifikuen me anë të personave të interesuem.

  1. Vangjel Capo, i biri i Andonit dhe i Valës nga Fieri, vjeç 22
  2. Tod Shkurti, nga Fieri vjeç 25
  3. Hasan Rexhep Çeliku, vjeç 34, Kryepunëtor pranë Ministrisë P. Botore nga katundi Mullet i Tiranës.
  4. Sokrat Vangjel Tako, i biri i Aleksandrës vjeç 43 nga katundi Novosel i Përmetit dhe banues në Tiranë rruga Mihal Grameno.
  5. Mihal Jani Koço, i biri i Margës vjeç 23 nga Dhuvjani i Gjinokastrës, banues në Rrugën e Kavajës në Tiranë.
  6. Vinçenzo Apel, i biri i Feliksit dhe i Kleopatrës lindun në Sarandë dhe banues në Tiranë,rruga e Dibrës nr.6 vjeç 20, komisjoner
  7. Reveni Ludoviko Carlo, i biri i Marijes nga Italija, banues në Tiranë vjeç 26
  8. Gjergj Legisi, i biri i Frrokut dhe i Diles lindun në Katundin Kthjellë të Mirditës vjeç 45 banues në Tiranën e Re, Lagjen Llagami 43

               Nga kufomat mbeten dy të paidentifikuara të cilët…..(nuk kuptohet shkrimi.

9. ……………K.M. vjeç 22 ………me këpucë me syprinë të zezë ….e çorape të zeza  pantallona ushtarake, majë katrore bojë kafe……triko leshi me mëngë boj kafe, xhaketë civile kafe të mbyllur me vija pak të dukshme.

10.Mosh mesatara vjeç 34 flokë gështenjë,fytyrë pak të hjekun, i rrum pa mjekër, me një shall leshi jeshil, xhaketë civile dhe pantallona në boj të kafes i veshun nën rrobë me pixhama të bardhë e me vija të kuqe, nji triko leshi në bojë të linit e pa mëngë, jelek bojë kafe, këmishë me ngjyra dhe me vija, këpucë të zeza civile ushtarake, çorape bojë kafe të Europës.

         Dy kufomat e të paidentifikueme do të mbeten në dhomën e të vdekunvet për eventualitetin e identifikimit prej të interesuemvet që do të bahet njoftimi me mjetet e volia e të rastit dhe të gjendjes së shkaktueme nga rrethanat e tashme të turbullta për vëndin t’onë.

     Të gjitha kufomat e naltpërmënduna u kontrolluen dhe nuk u gjetën përsipër dokumenta ose shenja që të tregonin idenditetin e tyne. Kufomat që të gjitha ishin të prishuna prej plumbash t’ë armëvet zjarrit automatike (armë ushtarake), në vënde të ndryshme të trupavet të tyne.

           Nga Drejtoria e Spitalit Civil të këtueshëm u kërkue që të vijë mjeku vizitues të lëshojë raportin relative mbi vizitimin e kufomave dhe mbi konstatimin e vdekjes së tyne.

         Ju tregue N/Kryetarit të Bashkis se kufomat pasi të qëndrojnë të ekspozuara për identifikim në kohën që mundësisht të mbeten të paprishuna të jepet urdhën të varrimit të tyne.

        Për vërtetim u mbajt një proçes-verbal i cili si u lexua u pranua dhe u nënshkrua si vijon:

 Tiranë, më 5/2.944

 Sekretari i Prokurorisë Durrësit

  (T.Hoxhmilla)

 Prokurori Shtetit

 (T.Gjini)

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………….

 Proçes-verbal

Sod më datën 6/2/944 ditën e Djel prej personave të interesuem:

  1. Mentor Xhemal Sojli nga Struga banues në Tiranë, rruga e Spitalit, vjeç 24
  2. Shaqir Huta, vjeç 70 pensionist banues në Tiranë, lagjia Sulejman Pasha, Rruga e Marjanit
  3. Bajram Ramazan Shkodra, marangoz, banues lagjia Xhami Sherif, rruga Hodo Bej, nr.102 Tiranë, na bahet e ditun se natën e datës 3-4 i 2/944 prej organevet të forcave qeveritare qenë tërhequn nga shtëpitë e tyne:              

                1. Xhemal Sojlin, atë i të parit

                2. Haki e Maliq Huta, djemtë e të dytit dhe

                3. Fadil Rada, punëtor vjeç 22, të cilët nga hetimet që kanë bërë, nuk ndodhen nëpër burgjet ose                         vend tjetër të K/qytetit.

 Personat e interesuem nga informatat që kan kqyrun se në kodrinat e ndodhun pranë pyllit që ndodhet në rrugën publike Tiranë-Elbasan ku janë përqëndrue Ushtrinat Gjermane janë transportue dhe vorrosun disa kufoma të vrarë natën e datës sipër tregueme dhe mejtojmë se midis tyne kufomavet do të jenë edhe pjestarët e familjeve të tyne të zhdukuna natën e ngjarjes s’përmëndun, dhe kërkuen që të veprohen në vajtjen në vënd për konstatim të faktit nga ana e Titullarit të kësaj Prokurorije. Mbi këtë lajmëerim, tue pasun parasysh randësin e gjëndjes së krijuar nga fakti i ngjarjes dhe nga ana tjetër përqëndrimi i Ushtris Gjermane në vëndin ku do të shkohet simbas tregimit të të interesuemvet, ku u kërkua ndërmjetsimi i Prefektit të vëndit për eventualitetin e një pengimi për vajtjen në vënd nga ana e Ushtris Gjermane, që përfundoj në mos pasjen e asnjë pengimi nga ana e autoriteteve ushtarake Gjermane dhe njëkohësisht nga ana e Z. Prefektit u autorizue Komanda e Qarkut të Gjindarmërisë së Kryeqytetit që për shkak të rastit të rëndësishmëm t’shoqnohet Titullarit të Prokurorisë nji fuqi e mjaftueshme nan komandën e nji oficeri. Komandanti i Qarkut Major Z. Subi Topalli në bazë të atij autorizimi dhe mbi kërkimin t’onë na vuni në dispozicion oficerin e komandës Z. Dik Cani.

Mbasi nji veprim i vajtjes në vendin e treguem për konstatimet e rastit kërkonte përveç kohës së gjat dhe nji pregatitje njerëzish e mjetesh e u vu në dijeni Komanda Bashkis vendit e cila na njoftoj se ishte gadi për të vënë në dispozicion personelin dhe mjetet: kështu të nesërmen në mëngjes datë 7/2/1944 ditën e Hanë i nënshkruemi Prokurori i Shtetit Tod Gjini i shoqëruar prej Sekretarit të Durrësit, Z. Tofik Haxhimillës, Togerit Gjindarmërisë Z. Dik Camit me një fuqi prej 15 gjindarësh dhe dy nën Oficerash dhe të N/Kryetarit të Bashkisë z. Nikolla Kotta, u drejtuem për në vendin e përmendur me nji autoveturë e me dy autokamjona që vuna në dispozicion prej Bashkisë si dhe nji numër punëtorësh, 10-12 punëtorësh me mjetet e nevojshme, vendi i cili ndodhej në rrugën publike Tiranë-Elbasan në nji distancë prej 3-4 kilometra jashtë kryeqytetit, me të arritun në vendin e përqindrimit të ushtrisë Gjermane aty u ndaluem prej ushtarakëve të gjermanëve të shërbimit, të cilët të njoftuem për qëllimin e vajtjes lejuen kalimin dhe kështu të udhhequn prej nji ushtaraku gjerman u drejtuem në vendin ku thuhej ishin të vendosura në dhe kufomat e pretenduara. Mbi pyetjet verbale që u banë ushtarakëve Gjerman me anën e z. Mentor Sojliut i biri i Xhemalit që dinte gjuhën gjermanisht, ushtaraku deklaroj se pikërisht n’at vend, d.m.th. aprokasimativisht 4 kilometro jashtë kryeqytetit, dy ditë para janë sjell nji numër kufomash prej njerzvet që nuk mund të caktonte dot personat dhe veshjen e tyne dhe lëshuen mbi rrugën publike, ku u panë shenja gjaku pak të vjetruara, këto kufoma mandej janë futur në dhe prej puntorvet Italjan që janë në shërbim të Ushtrisë Gjermane dhe punojnë në vepra ushtarake atje pranë për të mos ngrënë prej kafshëve të egra, jashtë rrugës në një distancë 2-3 metra afër rrugës publike, vënd i cili dukej punue rishtas. Ky ushtarak me një fuqi të armatosur dhe një autoveture dhe me nji kamion ka parku natën aproksimativisht në orën 10 ose 11 dhe i ka nxjerrë kufomat dhe mandej janë largue në drejtim të qytetit ku kanë ardhur. Mbas këtyne informatave u bë dhe hapja e vendit dhe u konstatue se në kët vend pak kohë përpara se të veprohej në gërmimin e tokës deri në nji metro thellësi, nja tre metro gjerësi dhe dy metra gjatësi, pasi u hoqën dhernat u panë shenja gjaku të grumbullue dhe të trazueme dhen e njomë dhe ujët e shiut që kishte ra tan natën dhe janë gjetun dy pallto, një mushama, dy shami duersh, dy kapela republike, dy rrypa sofesh balltinash, të gjitha këto ende të zhytuna në baltën e njomë në mënyrën që janë tërhequn e nxjerrë pjesë pjesë, jashta këtij vëndi me një distancë dy tre metro janë gjetun dy letra njoftimi të vëllazënve Huta. Mbas këtij veprimi negative nuk u ba nevojë të vazhdohet në gërmimet dhe gjurmimet e tyne nga shkaku u gjëndjes baheshin të pamunduna e prandaj iu dha fund veprimit dhe u këthyem mbrenda në qytet.

Për vërtetim u mbajt proces – verbali i cili u këndue dhe u nënshkrua si vijon:

Tiranë më 7/2/944

 Sek. Prok. Durrës    Tog. Gjind   N/Krye. Bashkis Prok. Shtetit

……………………………………………………………………………………………………………………………………

 Proces-verbal

Sod më datën 16/2/944 në Zyrën e Prokuroris, para meje Prokuror i Shtetit Tod Gjini i asistuem prej Sekretarit Islam Alimehmeti, u paraqitën të quajtunit Zenel Ismail Reka, sheqerxhi banues në Tiranë, lagjia Xhami Sherif, rruga Mezini dhe Gjyle Shkalla, e veja e Selim Ferrës banuese në Tiranë pranë të parit dhe deklaruen se djali, Ali Selim Ferra i biri i Gjyles Shkallës, vjeç 18 tabelashkrues i pamartuem, asht zhdukun nga shtëpija n’orët e mëngjezit të datës 4/2/944, i marrun prej fuqinash të armatosuna dhe kufoma e tij asht gjetun në lumin e Tiranës afër Saukut (fundi i lumit) prej karrocjerrvet që nuk u dihen emnat e tynë të cilët rastësisht ku banin ranë e kanë parë kufomën e përmëndun, mbas këtij lajmërimi u urdhërua transportimi i kufomës për në banesën e vet, mbas këtij transportimi së bashku me mjekun u shkua në banesë për vizitimin e kufomës prej mjekut Nasi Kajana në përfundim të cilit u lëshua rraporti datë 16/2/944 nga i cili konstatohet se vdekja asht shkaktue prej plagëve të plumbave.

Për vërtetim u mbajt ky proces-verbal mbasi u këndue dhe u nënshkrue si vijon:

Tiranë më 16 /2/944

Sekretari i Prokuroris              Prokurori i Shtetit

………………………………………………………………………………………………………………………………………………

Proces-verbal

I mbajtun mbi pyetjen e dëshmin e Gjindarmë Hamit Januzit dhe Xhemal Preçit, efektiv i Kompanisë së Zyber Litës dhe me shërbim në Post-Komandën e Medrezes.

Viti njëmijë e nëndëqindë e dyzet e katër, ditën e xhuma, më datë 4 Fruer/1944 ora 15 në Zyrën e Zonë Komandës Gjindarmërisë rrugës së Dajtit, neve të nënshkruemit, N/toger Mero Bido, Komandant i Zonës së Parë dhe Aspirant, Mahmut Hasi, ndihmës i saj zone, verbalizojmë si vijon:

U urdhënue prej Gjindramë Hamit Januzi, i biri i Januzit dhe i Humes vjeç 20 lindun në katundin Reç të Peshkopisë dhe me shërbim efektiv i Dedashmentit të Gjindramërisë së Lumës dhe provizorisht bujtës në Postën e Medrezes të kësaj Zonet, i cilli deklaron si vijon:

Unë bashkë me shokun tim Xhemal Preçin, sonde prej orës 2-3 deri në ora 5 pa gdhi sabahi ishim me shërbim gjat Rrugës së Dibrës, aty ora 2 e 30 e sa minuta, pamë një patrullë të Gjindarmërisë së Kosovës, të përbamun prej katër vetash, me të cillët simbas parrullës që kishim u murrme veshtë dhe nevet kaluem në Rrugën Bardhyl ku mbas pak minutash dëgjuem disa krisma armësh dhe u kthyem në drejtim ku patëm ardhun, ku aty rreth shtëpisë së Ferhat Halilit pamë një person të vramë dhe patrolla e kosovarëvet ishte largue prej atij vendit. Ushtarakët e patrullës nuk i njof edhe me i pam, mbasi ishte errët, as kufoma e të vramit nuk e njoftim as që e dimë kush asht. Rrethanat se si dhe pse e kanë vramun nuk i dimë. Nuk i kemi pamun me sy kur u vranë, vetëm e dimë se qetër njeri andej parit nuk kishte përveç Ushtarakëvet në fjal. Tjetër nuk kemi me than kto me nënshkrimin tem i vërtetoj.

Aspirant       N/toger             Dekllaruesi

                                   Hamit Jonuzi

U muarr në pyetje Gjindram Xhemal Preçi, i biri i Xhemalit dhe i Sibes, vjeç 30 lindun në Katundin Reç të Dibrës dhe me shërbim si i naltpërmënduni, i cilli u pyet dhe pik për pik vërteton thanjet e të parit Gjindarmit Hamit Januzit, mbasi nuk pat tjetër me thanë këto që thash i vërtetoj me gishtin tim mbasi nuk di shkrim e këndimë.

Aspirant        N/toger              Dekllaruesi

                                Xhemal Preçi

U muerr në pyetje si dishmitar i qujtuni Mustafa Kobeci nga Dibra dhe banues në Tiranë, Furrxhi vjeç 46, i cilli dekllaron si vijonë: Mbrëmë isha në furr tue pjek bukët, dhe ndigjova disa krisma pushkësh aty pranë murit, por nga frika nuk dola jashtë. Në mëngjez pashë një të vram dhe mbasi nuk e njofta se kush ishte ky dhe as që i dij se kush ishte ky. Tjetër nuk kam me thanë, kto me nënshkrime i vërtetoj.

Aspirant          N/toger             Dishmitari

Memorie.al

20200205_020853 20200205_020923 20200205_021247 foto-Xhelal-Staravecka Kadri-Cakrani Tirane-1944.-3.bmp xhaferr-deva

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura