Basha: Dëshmorët e 2 prillit, frymëzimi ynë. Do çlirojmë vendin nga oligarkia Rama-Meta

Apr 2, 2016 | 11:30
SHPËRNDAJE

U përkujtua sot në 25 vjetori i protestës masive të 2 prillit në Shkodër, që çoi në ekzekutimin e 4 personave të pafajshëm dhe dhjetëra të plagosurve të tjerë.

Katër viktimat e masakrës së 2 prillit, Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka dhe Bujar Bishanaku
Katër viktimat e masakrës së 2 prillit, Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka dhe Bujar Bishanaku

Në Shkodër janë bërë bashkë sot qytetarë, të afërm të viktimave, pushtetarë vendorë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deputetë demokratë etj.

protestaCeremonia shoqëruar me tinguj funebër nisi me vendosje kurorash me lule, në nderim të katër të rinjve Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu.

Ata janë nderuar “Dëshmorë të Demokracisë”, ndërsa me një vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit, 2 Prilli do të ishte dita e “Dëshmorëve të Shkodrës”.

Gjatë fjalës para qindra të pranishmëve, Basha nderoi kujtimin e të vrarëve, si pasojë e regjimit, duke i quajtur dëshmorët frymëzim për lirinë dhe demokracinë.

“Jemi më të bashkuar se dje, më të mbështetur se kurrë për të çliruar vendin nga kthetrat e oligarkisë Rama-Meta, për të rivendosur një orë e më parë sundimin e demokracisë, zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, reformën në drejtësi, që jep drejtësi e nuk mbron kriminelë e të korruptuar, për të garantuar me mbështetjen e miqve tanë amerikane e evropianë zgjedhje të lira e të ndershme”- tha Basha.

Para të pranishmëve Basha shpalosi projektin e demokratëve për Shqipërinë. “Projekti ynë  i zhvillimit të sigurtë për më shumë punë e punësim, rroga e pensione më të larta, siguri të nivelit të lartë për të gjithë qytetarët. Ky është modeli ynë, i vlerave, punës, qëndresës e vendosmërisë, frymëzimi ynë është Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka dhe Bujar Bishanaku, Pjetër Arbnori, Azem Hajdari, Sali Berisha, të rinjtë e të rejat, burrat e gratë që sollën lirinë e demokracinë, për këto vlera qëndrojmë, luftojmë dhe do të fitojmë”- tha Basha.

Sipas tij, ashtu si 25 vite më parë, Shkodra është besimi dhe optimizmi, profecia dhe paralajmërimi, pararoja dhe siguria se dita e lirisë është më afër se dje dhe po ndriçon horizontin e shpresës, dëshmorët e 2 prillit janë besimi dhe frymëzimi ynë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura