Marubët, ekspozitë në Berlin, imazhi tjetër i Shqipërisë

Apr 21, 2016 | 18:15
SHPËRNDAJE

Ato janë dëshmia se shqiptarët ishin njerëz me sqimë. Udhëtarët e shek. XVIII-XIX në kujtimet e tyre tregojnë se ata ishin të kujdesshëm për pamjen e jashtme.

Fotografitë e Dinastisë Marubi tregojnë për petka të shtrenjta, armë të lara në ar, por mbi të gjitha për faktin që ky art po zhvillohej thuajse në të njëjtat nivele si në Europë. Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Departamenti Kulturor i Ambasadës Shqiptare në Berlin hapi ekspozitën “499 965”- Familja Marubi, Pionierët e Fotografisë Shqiptare.

berlin1

Në një ceremoni ku merrte pjesë ambasadori shqiptar në Berlin, fotografja Jutta Bezenberg dhe dashamirës të fotografisë e Shqipërisë, u hap ekspozita me 35 foto të rralla. Janë fotografi që tregojnë për një Shqipëri të panjohur nga të huajt, një vend traditash, me një jetë të fortë zakonore, por me sytë nga Europa.

Në fotografitë e zgjedhura për këtë ekspozitë, një vend të rëndësishëm zë portreti. Janë portrete zotërinjsh e zonjash të kuruara, herë të veshura me veshje popullore të shtrenjta, e herë “alla franga”, banda muzikore shkodrane, vogëlushë duke pozuar, por edhe luftëtarë (jo kaçakë). Nuk është një përzgjedhje e rastit, duke ditur se galeria e personazheve të fiksuar nga aparati i Marubëve është e larmishme e përmban në të që nga lypësit te malësoret e malësorët e varfër.

marubi foto

Organizatorët janë kujdesur të qëmtojnë nga fondi i pasur i Marubëve ato fotografi që përcjellin vlera historike, social-kulturore dhe antropologjike, por më së shumti me një frymë të theksuar europiane. Madje, mund të quhet edhe si një përpjekje për të dhënë një tjetër imazh të shqiptarëve, nga ai i krijuar së fundmi për shkak të fluksit të refugjatëve, gjatë dy viteve të fundit.

marubi berlin

“499 965”, e para ekspozitë e këtij lloji, në Berlin, u realizua në kuadër të marrëveshjes ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunimin kulturor. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 25 prill (Galerie Irrgang, Friedrichstrasse 232, 10960 Berlin, nga e hëna në të premte).

DINASTIA

marubi berlin1

Do të ishte italiani Pietro Marubbi, i cili, i larguar nga vendi i tij për arsye politike, u vendos në Shkodër, për të vijuar atje profesionin e tij të fotografit. Tashmë në një terren thuajse të virgjër, ai do të kishte jo pak sukses dhe, ende pa e ditur edhe vetë, do të ndërtonte një dinasti fotografësh. Janë rreth 500 mijë imazhe të Shqipërisë së vjetër që janë shkrepur gjatë disa dekadash, nga breza të tërë fotografësh, duke na lënë sot një trashëgimi të jashtëzakonshme. Shqipëria e viteve 1858-1940 vjen e gjallë përmes fotografish. Veshje, tradita, peizazhe, ndërtesa, personalitete historike…

Pas vdekjes së Pietro Marubbit, punën e tij e vijuan Kel dhe Gegë Marubi, të cilët arkivuan në studio mbi tre breza të Shqipërisë, në shekullin e XIX-XX. Këto ishin fotot e para në qytetin verior shqiptar të Shkodrës. Sot ajo studio fotografike është një muze që përmban një koleksion prej gjysmë milion fotosh. Tanimë, muzeu i ri i fotografisë në Shkodër është në punë e sipër.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura