“Martirët e komunizmit po përdoren kundër dëshmorëve”- Paskal Milo: Lajthitjet e Qeverisë te “Partizanët në bulevard”

SHPËRNDAJE

milo

Historiani i njohur, Paskal Milo, ka komentuar çështjen më të përfolur të ditëve të fundit, që ka të bëjë me ekspozimin e fotove të heronjve të Luftës së Dytë Botërore në bulevardin qendror të Tiranës.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Paskal Milo shprehet se nderimi i heronjve të Luftës Antifashiste në 75-Vjetorin e Çlirimit të vendit është gjëja më e duhur. Sipas Milos, duhet bërë një ndarje e qartë mes atyre që luftuan dhe dhanë jetën dhe asaj që ndodhi pas Luftës. Ai thotë se Lufta e Dytë Botërore është suksesi më i madh i një ushtrie shqiptare në histori, pasi në fundin e saj u shpallëm fitues.

Milo e konsideron si një “lajthitje e historianëve të qeverisë” vendosjen e fotove të disa figurave që kanë prodhuar debat dhe që për më tepër nuk kanë ndërruar jetë gjatë periudhës së Luftës. Ai thotë se nuk ka vend për ndarje edhe në diskutimin se këto foto vendosen në vendin ku para disa vitesh u nderuan martirët e komunizmit, duke theksuar se dëshmorët e vendit sjellin më shumë bashkim te shqiptarët.

Qeveria dhe Kuvendi kanë vendosur që në kuadër të festimeve për 75-Vjetorin e Çlirimit të vendit, të vendosen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” fotot e disa prej heronjve të popullit, të cilët kanë rënë në Luftën e Dytë Botërore. Cili është vlerësimi juaj për këtë veprim?

Akti i vendosjes së fotografive të heronjve të popullit dhe dëshmorëve të rënë në luftën për lirinë e atdheut kundër pushtuesve nazifashistë është plotësisht i drejtë, legjitim dhe i merituar. Përse? E para, se ata dhanë jetën për lirinë, gjënë më të shtrenjtë njerëzore, e dhanë si atdhetarë të devotshëm dhe idealistë, e dhanë pa u menduar dy herë që të rrinin kafeneve e në sallonet mondane të aristokracisë pushtuese fashiste e në dopolavorot e tyre, së bashku me kolaboracionistët zvarranikë e servilë ndaj pushtuesit të radhës. E dhanë jetën në lulen e moshës, për të vendosur veten përjetësisht në altarin e lirisë e në panteonin e dëshmorëve të kombit. E dhanë jetën e tyre të çmuar për ta rreshtuar Shqipërinë në anën e Kombeve të Bashkuara Antifashiste, në anën e së drejtës, në anën e antifashizmit e të moralit të lartë, në anën në të cilën u rreshtua populli amerikan i Franklin Ruzveltit, britanikët e Uinston Curcillit, rusët luftëtarë antinazistë, francezët e lirisë e të De Golit. Ata e dhanë jetën për të rreshtuar Shqipërinë në anën e fitimtarëve dhe që ajo të shkonte me kokën lart e plot dinjitet në gjyqin e madh të historisë, që u zhvillua në Paris në verën e vitit 1946. Për të gjitha këto arsye, bulevardi që mban edhe emrin e tyre për gjithë këtë muaj, duhet të jetë një vend pelegrinazhi në ndër dhe në kujtim të të gjithë këtyre heronjve, për të gjithë shqiptarët pa dallim. Shqiptarët janë në borxh të madh ndaj tyre. Dhe ata nuk kërkojnë asgjë nga mbretëria e tyre e heshtur, veç përulje e respekt e një tufë me lule. Nga ana tjetër, e quaj jo të plotë nderimin që iu bëhet atyre dhe gjithë luftëtarëve të lirisë. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër nazifashizmit ishte dhe mbetet lufta më e organizuar, më e madhe për nga numri dhe më e strukturuar nga ana programore. Ajo e realizoi objektivin e vet themelor, çlirimin e atdheut me forcat e veta, në dallim nga të gjitha luftërat që kanë zhvilluar shqiptarët në historinë e tyre, që megjithë fitoret dhe rezistencën epike, kanë përfunduar me humbjen e lirisë.

A ka provokim në faktin që po në të njëjtin vend, para disa vitesh, kur në Shqipëri erdhi Papa Françesku, u ekspozuan fotot e martirëve të komunizmit?

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është bulevard i të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, bindjeje e krahine. Nuk është pronë private e askujt dhe as nuk është dhënë me PPP, të paktën deri tani. Si i tillë, ai u takon edhe të gjithë martirëve, si atyre për lirinë e atdheut, edhe atyre që u bënë viktima të komunizmit. Është e turpshme që për qëllime spekulative politike e morale, të luhet me kujtimin e tyre. Kjo dëshmon se sa larg kulturës dhe tolerancës europiane janë ata, të cilët për përfitime arriviste të ditës, keqpërdorin martirët e komunizmit kundër dëshmorëve të lirisë.

Për disa nga heronjtë e ekspozuar në bulevard, ka pasur akuza se nuk kanë rënë në luftime me nazifashistët, por në përplasjet me kundërshtaret politikë brenda vendit. Cili është qëndrimi juaj për këtë? (Debati është ngritur më së shumti për Nuri Luçin, Fejzi Micollin, Xhemal Kodrën).

Këta janë akuzuar si pjesëtarë të strukturave të sistemit komunist, që luftuan kundër atyre që u shpallën armiq. Jam plotësisht dakord në parim dhe pa iu referuar emrave konkretë, që në këtë rast është bërë një gabim. Nuk jam në gjendje të them se është bërë me qëllim ose jo. Këtë e dinë organizatorët dhe “historianët” kompetentë të qeverisë, që ajo i ka me bollëk. Vendosja e tyre duhet të respektonte kriterin bazë metodologjik, historicizmin, pra, vendosjen e emrave të heronjve e të dëshmorëve brenda viteve që përfshin Lufta në Shqipëri dhe që dihet nga të gjithë shqiptarët me një arsim minimum, që janë vitet 1939-1944. Nuk bashkohem në substancë me profesionistët e antikomunizmit në komentet e tyre, që morën shkas nga kjo “lajthitje” e “historianëve” të qeverisë. Por nuk ka si të jetë gabim i rastit. Gjithsesi, nuk është shkas për të shpallur kryqëzatën e re antikomuniste, që ka shpërthyer nga ish-trashëgimtarët biologjikë e ideologjikë të kolaboracionizmit shqiptar dhe të puthadorëve të fashizmit.

Një veprim i tillë, ku bashkë me heronj të nderuar të Luftës Antifashiste, janë futur edhe këto figura të diskutuara, mendoni se mund të nxisë ndarje në shoqëri edhe pas kaq vitesh?

Është pretendim i madh ky. Një ngjarje e tillë duhet të shërbejë si reflektim në radhë të parë për ata që ende vijojnë kolaboracionizmin në kushtet e paqes. Bota i ka ndarë me kohë vlerat e antifashizmit nga antivlerat e kolaboracionizmit. Për fat të keq, në Shqipëri, si për shumë gjëra të tjera, vlerat dhe standardet europiane në gjykimin e këtyre dy kategorive historike nuk respektohen, por keqinterpretohen qëllimisht. Dhe, për më tepër, nxiten për përfitime politike. Shembullin që frymëzoi këtë përshkallëzim agresiv të antikomunizmit bashkëkohor shqiptar e dha vetë Kryeministri dhe Kryetari i PS-së kur u kërkoi veteranëve të ulin kokën para kujtimit e veprës së Mit’hat Frasherit. Tragjikja dhe komikja bashkëjetojnë shpeshherë në harmoni të plotë në Shqipërinë e sotme. Mos kini frikë, se shoqëria shqiptare mund të përçahet me tej nga sa është përçarë nga vendosja në bulevard e fotografive të heronjve e dëshmorëve. Heronjtë vetëm bashkojnë, puthadorët e servilët e pushteteve përçajnë.

PANORAMA

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.