Marsel Lupi: Prapaskenat e realizimit të personazhit të Erion Veliajt në “Portokalli”

Oct 13, 2015 | 14:36
SHPËRNDAJE

Marsel Rupi 12081422_10205327785699697_444607538_n
Është një dekadë më i ri se Erion Veliaj, shumë centimnetra më i shkurtër se ai, durrsak e jo nga Tirana, por aq esencial në imitim, sa që miqtë e kanë quajtur sozinë e munguar të kryebashkiakut aktual të Tiranës. Marsel Rupi është aktori më i ri i “Portokallisë” që sjell në variant humoristik një tjetër politikan, në galerinë e këtij shou humori. Për teknikën që ka përdorur për ta përvetësuar si personazh në vetëm dy javë, si ndihet brenda karakterit, dhe si e komenton prezencën e tij në publik, flet për “Panoramën” aktori dhe regjisori 25-vjeçar:

Të mjaftoi vetëm një natë për të marrë vëmendjen e publikut pasi imitove kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Kush je ti në jetë?

Unë quhem Marsel Rupi, dhe vitin e kaluar jam diplomuar pranë Universitetit të Arteve për regji teatri. Jam 25 vjeç, dhe jam nga Durrësi.

E kujt ishte ideja për të imituar kryebashkiakun e Tiranës?

Regjisori i “Portokallisë” Altin Basha, ma komunikoi këtë propozim. Pra dhe ideja ishte e tij dhe e stafit të këtij spektakli humori.

Pse Basha të zgjodhi pikërisht ty, çfarë ngjashmërie gjeti mes teje dhe Veliajt?

Isha më i përafërti në tiparet e fytyrës dhe mimikë, plotësuar dhe me grimin profesional që aplikohet në këto raste.

Dhe sa mund t’u desh për të përgatitur karakterin, shpenzove shumë kohë në YouTube për ta perfeksionuar?

Roli m’u propozua rreth dy javë e gjysmë përpara premierës. E përgjatë këtyre dy javëve kam ndjekur pothuajse çdo filmim të Erionit në YouTube. Dhe ende vazhdoj ta perfeksionoj, pasi roli nuk ka mbaruar.

Në njëfarë mënyre mund të konsiderohesh “studiuesi” i performancës publike të Veliajt. Çfarë të bëri përshtypje?

Vura re mënyrën e të parit, një mënyrë qëndrimi specifik. Ndërkohë që karakterizohet nga një qetësi në komunikim, qetësi që e ruan gjithnjë. Je takuar ndonjëherë me të, ke shtatlartësinë e tij? Jo, asnjëherë. Por unë jam i shkurtër përpara Erion Veliajt.

Ti vetë, çfarë sheh të përbashkët mes teje dhe atij?

Kryesoren të përafërt kam ngjashmërinë fizike. Por mund të them se këtë e kuptova kur e pashë të realizuar karakterin. As mua vetë nuk më kishte shkuar në mendje se mund t’i ngjaja.

Është krijuar ndër vite stereotipi se aktorët imitojnë politikanët për të cilët kanë antipati. Ti e simpatizon Erionin?

Nuk kam pasur asnjë lloj kontakti me të, dhe për rrjedhojë asnjë mendim, që mund të më bëjnë të ndiej simpati apo antipati.

Teksti është shumë i rëndësishëm. Ti e shkrove?

Jo. Tekstin për Erion Veliajn e shkruan Florian Binaj, ose ndryshe aktori që luan policin Kol Frakusha.

More shumë komente pas natës së parë të spektaklit, dhe për çfarë të komplimentuan?

Nga miqtë mora komente shumë pozitive, të cilët u habitën nga gjetja e “Portokallisë” dhe regjisorit Altin Basha. “Qenke fiks si ai! E gjetëm edhe sozinë e kryetarit, ja dhe aktori që do të luajë Erionin kur të bëhet filmi për Erion Veliajn etj.” Këto ishin çfarë më thanë miqtë në formë shakaje.

Do të jesh i përhershëm si Erion në javët në vazhdim?

Sa herë të jetë Erioni në skenar, unë do e bëj. Edhe pse nuk e di sa shpesh do të jetë ky personazh në “Portokalli”.

Si regjisor në profesion si mund ta komentosh perfomancën e tij në publik si politikan?

Si politikan, nuk mund të jap mendim për të pasi nuk mundem ta gjykoj. Sa i përket prezencës në publik, mendoj se është shumë i qetë si natyrë. Mjaft i matur në lëvizjet që bën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura