Marrëveshjen e “emrit” të Maqedonisë e pret një rrugë me pengesa

Jun 14, 2018 | 14:03
SHPËRNDAJE

Nënshkrimi i shumëpritur i marrëveshjes së “emrit” midis Maqedonisë dhe Greqisë do të jetë vetëm i pari në një sërë hapash të planifikuara me kujdes në rrugën e mundshme me pengesa drejt zbatimit të saj.

Jo zyrtarisht, ceremonia e nënshkrimit midis ministrave të jashtëm maqedonas dhe grek Nikola Dimitrov dhe Nikos Kotzias, në praninë e të dy kryeministrave, pritet të ndodhë në ose rreth 16 qershorit në rajonin kufitar të Prespës.

Mes opinioneve të ndara në lidhje me marrëveshjen, sipas të cilës Maqedonia do ta ndryshojë emrin e saj në “Republika e Maqedonisë Veriore” në këmbim të hyrjes së shpejtë në NATO dhe fillimit të bisedimeve të pranimit në BE, ceremonia e nënshkrimit është vetëm fillimi i fundit të një prej mosmarrëveshjet më të vështira dypalëshe në historinë e kohëve të fundit të Europës.

Disa hapa të mëtejshëm për zbatimin e saj praktik do të vazhdojnë gjatë gjithë pjesës së mbetur të këtij viti, duke përfshirë edhe ratifikimin ende të pasigurt të marrëveshjes nga të dy parlamentet dhe një referendum akoma më të rrezikshëm për marrëveshjen në Maqedoni, i cili do të testojë qeverinë e Zoran Zaevit.

Të hënën, vetëm një ditë përpara njoftimit se marrëveshja u arrit, Zaev tha për një debat televiziv në Maqedoni se ai ishte gati të vinte në rrezik karrierën e tij për të bindur njerëzit që të mbështesin një zgjidhje të mirë në një referendum.

“Jam plotësisht i vetëdijshëm se unë dhe qeveria ime po hyjnë në një lloj reje dhe se ku do të përfundojmë pas kësaj, nuk e di. Mund të përfundojmë në majë të detit dhe të mbytemi, ose mund të përfundojmë në një fushë të gjelbër ku çdo gjë është ashtu siç dëshirojmë ne. Por një gjë e di mirë. Maqedonia do të përfundojë në autostradën drejt BE-së dhe NATO-s, drejt një të ardhmeje më të mirë,” tha Zaev.

Marrëveshja e plotë, e cila përmbante 19 faqe, u botua të mërkurën.

Burime qeveritare në Shkup thanë për BIRN se rruga përpara do të hartohet në disa hapa kyçe që të dyja palët duhet të ndërmarrin për të nënshkruar marrëveshjen.

Presidenti pritet të pengojë ratifikimin

Sipas burimeve të qeverisë maqedonase, pas nënshkrimit të marrëveshjes, lëvizja e parë do të pritet nga parlamenti, i cili duhet të votojë për miratimin e saj më vonë në qershor.

Për këtë lëvizje, qeveria e Zaevit nuk do ta ketë të vështirë të mbledhë një shumicë të thjeshtë në parlament.

Megjithatë, duke gjykuar nga përgjigjja e tij fillestare, presidenti Gjorge Ivanov ka gjasa të refuzojë të nënshkruajë ratifikimin.

Kjo do ta zgjasë procesin dhe do të kërkojë një ratifikim të dytë parlamentar, të cilin, sipas shumicës së ekspertëve ligjorë, presidenti do të duhet ta respektojë.

Megjithatë, ligji nuk thotë kur presidenti duhet të nënshkruajë ratifikimin, duke e lejuar atë të mbajë një të ashtuquajtur “veto xhepi” duke e mbajtur dokumentin të pa firmosur.

Kjo mund t’i komplikojë gjërat nga pikëpamja ligjore pasi ekspertët janë të ndarë në lidhje me faktin nëse një ratifikim i dytë do të ishte i ligjshëm pa nënshkrim të presidentit.

Të mërkurën, Ivanov tha se nuk do të mbështeste një marrëveshje të keqe që kërkon ndryshime kushtetuese.

Më herët atë ditë, ai nuk pranoi të fliste me kryeministrin Zaev dhe me ministrin e jashtëm Dimitrov, të cilët shkuan në zyrën e tyre me qëllim që të flisnin për marrëveshjen. Takimi u mbyll në vetëm dy minuta, tha qeveria.

Zhbllokimi i hyrjes në BE dhe NATO

Nëse Maqedonia gjen një mënyrë ligjore për të ratifikuar marrëveshjen, Greqia pritet të bëjë lëvizjen e ardhshme duke dërguar letra në NATO dhe BE, duke i informuar ata se nuk kundërshton më anëtarësimin e “Maqedonisë së Veriut” në këto organizata.

Pala greke këmbëngul se kjo do të vihet në fuqi vetëm pasi fqinji i tij të bëjë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, duke miratuar emrin e ri.

Nëse gjërat shkojnë mirë, pas këtij zhvillimi, Këshilli i Ministrave të BE-së, në takimin e tij më 25-26 qershor, duhet të dërgojë një rekomandim pozitiv për Maqedoninë për fillimin e bisedimeve të pranimit.

Më 11 korrik, në samitin e ardhshëm të NATO-s, Maqedonia duhet gjithashtu të marrë një ftesë për t’iu bashkuar aleancës së Atlantikut, gjithashtu me kusht që të ndryshojë kushtetutën e saj.

Rezultati i votimit popullor vështirë të mendohet

Ndoshta prova më e vështirë për marrëveshjen dhe për qeverinë e Maqedonisë pas saj, do të jetë referendumi që Zaev njoftoi për në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit.

Që të ketë sukses, më shumë se gjysma e votuesve të regjistruar në Maqedoni do të duhet të votojnë dhe më shumë se gjysma e tyre do të duhet ta mbështesin marrëveshjen.

Një nga pikat kryesore të rezultatit do të jetë nëse partia kryesore opozitare VMRO DPMNE, e cila e ka quajtur marrëveshjen “një mposhtje të maskuar”, do t’i kërkojë mbështetësve të saj të votojnë apo do t’i nxisë ata ta bojkotojnë referendumin.

Një tjetër pikë kyçe do të jetë nëse mbështetja popullore për qeverinë e re të Zaevit, e cila erdhi në pushtet vitin e kaluar pas një krize zgjatë politike, përkthehet gjithashtu në mbështetje të marrëveshjes.

Zaev nuk dha një përgjigje të saktë se çfarë do të ndodhte nëse referendumi dështon.

Megjithatë, mediat në Maqedoni dhe Greqi përmendin mundësinë e një plani B, i cili mund të përfshijë organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, të cilat gjithashtu do të kishin karakterin e një plebishiti në marrëveshjen e emrit.

Hapat përfundimtarë që priten para fundit të vitit

Duke supozuar një rezultat të suksesshëm të referendumit, qeveria e Maqedonisë në fund të vitit do të ketë një dritë jeshile për të bërë më në fund lëshimin më ndarës të parashikuar në marrëveshje.

Kjo është ndryshimi i kushtetutës në mënyrë që të përvetësohet emri “Republika e Maqedonisë Veriore” dhe të informohen për ndryshimin vendet e tjera që tashmë e kanë njohur emrin “Republika e Maqedonisë”.

Sipas ligjit maqedonas, një ndryshim kushtetues kërkon një shumicë prej dy të tretash në parlamentin me 120 vende, të cilat qeveria nuk i ka.

“Ne jemi të bindur se nëse vullneti i popullit për marrëveshjen tregohet qartë në referendum, opozita nuk do të ketë më argumente për të bllokuar procesin,” tha i njëjti burim i qeverisë për BIRN nën kushte anonimiteti.

Nëse Maqedonia i kapërcen me sukses të gjitha këto pengesa, çështja e fundit që do të mbetet para përfundimit të vitit do të jetë që parlamenti grek të ratifikojë gjithashtu marrëveshjen – dhe që NATO të zbatojë ofertën e saj për anëtarësimin e Shkupit.

Që kjo të ndodhë, kryeministri Alexis Tsipras ka nevojë për një shumicë në parlamentin grek, ku ai do të duhet të ketë mbështetjen e disa partive më të vogla që nuk janë pjesë e qeverisë së tij./Reporter.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura