“Marrëveshje për lehtësira mes Kosovës dhe Shqipërisë”, Ministrja e Financave: Parashikohet çelja e pikës doganore në Portin e Durrësit

Jan 26, 2022 | 13:20
SHPËRNDAJE

Qeveria ka miratuar sot Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për zbatimin e lehtësirave doganore dhe mallrave.

dogana

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj u shpreh se kjo marrëveshje i hap rrugën edhe çeljen e pikës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit.

“Ne miratuam sot ratifikimin e marrëveshjes mes KM të Shqipërisë dhe Kosovës sa i takon zbatimit të lehtësirave të procedurave doganore si dhe kontrollet të hyrjeve dhe daljeve të mallrave.

Kjo marrëveshje do të lehtësojë më tutje marrëdhënien e ndërsjelltë dhe tregtinë mes vendeve tona duke njohur licencat e agjencive doganore që ndodhen në kufi. Kjo ul afatin dhe kohën e kontrollit doganor.

Marrëveshja parashikon çeljen e pikës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit dhe lehtësirat që kjo pikë do të sjellë, por edhe nënshkrimin e disa protokolle që mund ti hapin rrugën të tjerave pika doganore të Kosovës në Shqipëri”, tha Delina Ibrahimaj.

PROJEKTLIGJI

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR ZBATIMIN E LEHTËSIRAVE TË NDËRSJELLA NË PROCEDURAT DOGANORE DHE/OSE TË KONTROLLIT TË HYRJE-DALJES SË MALLRAVE”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje-daljes së mallrave”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura