Marrëveshja me Greqinë dhe roli i Forcave Detare

Mar 22, 2015 | 11:50
SHPËRNDAJE

ARTUR MEÇOLLARI*

                     Marrëveshja Detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, e firmosur nga dy qeveritë në Tiranë më 27 prill 2009 dhe rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me vendimin nr. 15, datë 15 prill 2010, për shkak të përfshirjes së kundëradmiral Kristaq Gerveni në…negocimin e saj, mund të ketë lënë një shije jo të mirë për rolin e Forcave Detare. Do të dëshiroja të sqaroja qysh në fillim se qëndrimi i kundëradmiral Gervenit për Marrëveshjen Detare me Greqinë është individual dhe nuk përfaqëson qëndrimin e Forcave Detare.

Personeli dhe institucioni i Forcave Detare ka mbajtur një qëndrim profesional dhe patriotik lidhur me këtë çështje. Kur Marrëveshja Detare me Greqinë nisi të negociohet, drejtuesit e lartë të Forcave Detare, përveç komandantit dhe zëvendësit të tij, nuk ishin në dijeni se Shqipëria ishte duke negociuar një marrëveshje të këtij karakteri. Zyrtarisht, në bazë të urdhrit të Kryeministrit 135, datë. 23.08.2007, në grupin e punës për negocimin e marrëveshjes nga Forcat Detare bënin pjesë Komandanti i Forcës Detare, kapiten i rangut të parë Kristaq Gerveni, dhe zëvendësi i tij, kapiten i rangut të parë Bektash Patoshati.

Personeli drejtues në Forcat Detare është vënë në dijeni mbi Marrëveshjen Detare me Greqinë mbasi çështja u bë publike nga “Gazeta Shqiptare” në prill 2009. Por fakti më interesant është se kapiten i rangut të parë Bektash Patoshati është i vetmi anëtar i grupit të punës së marrëveshjes, i cili nuk ka qenë dakord me Marrëveshjen Detare të arritur me Greqinë dhe nuk ka firmosur relacionin që ky grup formuloi në përfundim të procesit.

Forcat Detare u përfshinë në procesin e vlerësimit të legjitimitetit të Marrëveshjes Detare me Greqinë mbas mesit të shtatorit të vitit 2009, kur në krye të tyre u riemërua kundëradmiral Kudret Çelaj. Në fillim të muajit tetor u hartua raporti i parë vlerësues, i cili iu dërgua Ministrisë së Mbrojtjes. Deri në këtë kohë, jo vetëm Forca Detare, por edhe Forca e Bashkuar si komandë eprore, nuk ishte në dijeni të marrëveshjes së arritur.

Periudha shtator-tetor 2009 ishte e vështirë për negociatorët. Media, opinioni publik dhe ekspertët e fushës publikisht kishin dënuar marrëveshjen dhe kuptohej se qëndrimi i ekspertëve, të përfshirë në negocimin e kësaj marrëveshjeje, ishte qëndrim personal dhe jo domosdoshmërisht i institucioneve që ata përfaqësonin. Për të krijuar një klimë institucionale të përfshirjes, ish-anë- tari i grupit negociator, tashmë Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm, kundëradmiral Kristaq Gerveni, organizon në Ministrinë e Mbrojtjes një takim konsultimi me gjashtë ekspertë të Forcave Detare, të cilët ishin arsimuar në SHBA.

Formati u zgjodh i tillë që në takim të shmangej prezenca e komandantit të Forcës Detare, kundëradmiral Kudret Çelaj, pozicioni i të cilit tashmë ishte i deklaruar. Gjatë këtij takimi nuk mori pjesë as anëtari i grupit negociator, kapiten i rangut të parë Bektash Patoshati. Takimi i grupit të ekspertëve me kundëradmiral Gervenin i datës 14 tetor 2009, u bë në prezencë të ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Maksim Malaj dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami.

Konsulta ishte e vështirë, por grupi i ekspertëve në përgjithësi pati një qëndrim të qartë dhe pothuajse unanim se marrëveshja ishte në kapërcim të kompetencave të deleguara nga Kryeministri, në kundërshtim me parimet e së drejtës ndërkombëtare, kishte krijuar një kundërshti ndërkombëtare të panevojshme dhe duhej domosdoshmërisht të shfuqizohej. Këto konkluzione përkonin në kohë me qëndrimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Qëndrimi i grupit të ekspertëve ishte i qartë dhe nuk linte vend për ekuivok. Ai përfaqë- sonte opinionin dhe pozicionin zyrtar të Forcave Detare dhe personelit të tyre.

Ky pozicion ishte plotësisht i mbështetur në njohuritë dhe kulturën profesionale të trupës së oficerëve të Forcave Detare. Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2011, Forcat Detare u përfshinë zyrtarisht në një proces tjetër vlerësimi për të parë mundësitë e rinegocimit të Marrëveshjes Detare me Greqinë, proces i administruar nga Ministria e Jashtme. Në këtë grup pune fillimisht mori pjesë komandanti i Forcave Detare, kundëradmiral Kudret Çelaj dhe mbas lirimit të tij, unë si zëvendëskomandant. Gjatë kësaj periudhe, Forcat Detare përgatitën një dokument të plotë vlerësues për marrëveshjen duke prezantuar edhe mundësitë e rinegocimit të saj.

Një nga propozimet që Forca Detare bëri në atë periudhë ishte rikthimi në fuqi i ligjit për kufirin (Nr. 8771), të shfuqizuar gjatë negocimit të Marrëveshjes Detare me Greqinë me ligjin 9861, datë 24 janar 2008. Po ashtu, Forcat Detare propozuan që rikthimi i ligjit të realizohej nëpërmjet hartimit të një ligji të ri nga pikëpamja formale, ligj i cili duhet të ishte në përputhje me kërkesat e UNCLOS 1982, interesat kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe po ashtu në përputhje me kërkesën e bërë nga OKB qysh në vitin 2003. Ligji nr. 60/2012, datë 25 prill 2012 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9861”, datë 24 janar 2008 ‘Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror’” rivendosi mbas Marrëveshjes Detare me Greqinë vijën e drejtë bazë të Shqipërisë dhe gjerësinë e detit territorial prej 12 miljesh detare.

Ky rregullim u bë nëpërmjet rikthimit në fuqi të nenit 3 të ligjit nr. 8771, datë 19 prill 2001 “Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë” të shfuqizuar me ligjin nr. 9861, datë 24 janar 2008. Forcat Detare qysh në fund të vitit 2011 kishin kërkuar bashkë me rikthimin e ligjit për kufirin, edhe hartimin e një ligji të plotë dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Për këtë Forcat Detare kishin prezantuar edhe një draft-ligj “për kufirin shtetëror në Republikën e Shqipërisë”.

Të gjitha palët e interesuara, si institucionet shtetërore, edhe palët në Komisionin e Sigurisë dhe Mbrojtjes, kishin marrë propozimin e Forcave Detare. Gjatë vitit 2012, unë personalisht jam thirrur për konsultime për këtë çështje nga anëtarë të veçantë të komisionit. Por, çuditërisht, Komisioni dhe më pas Parlamenti nuk hartoi një ligj të ri për kufirin, por riktheu në fuqi vetëm nenin 3 të ligjit nr. 8771, datë 19 prill 2001 “Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë”.

Ashtu si media, opinioni publik, ekspertë të pavarur të së drejtës ndërkombëtare të detit, edhe Forcat Detare, institucionalisht kanë dhënë kontributin e tyre profesional dhe atdhetar në vlerësimin e Marrëveshjes Detare me Greqinë. Ky qëndrim i Forcës Detare, për fat të keq u kërkua jo në fazën e negocimit të marrëveshjes, fakt i cili do të rezultonte me shfuqizimin e saj nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me vendimin nr. 15, datë 15 prill 2010.

Forcat Detare, ashtu si edhe në të kaluarën, vazhdojnë të kenë kapacitete intelektuale dhe institucionale për të kontribuar në të gjitha iniciativat kombëtare që lidhen me legjislacionin kombëtar të detit dhe marrëveshje të mundshme me fqinjët tanë detarë për delimitimin e hapësirave detare.
*Kapiten i Rangut të Parë 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura