Marrëveshja ekonomike e Uashingtonit dhe njohja e Kosovës nga shteti i Izraelit

Sep 8, 2020 | 9:23
SHPËRNDAJE

DRITAN HOTI dritan hoti

Marrëveshjet, të cilat janë kryesisht gjithëpërfshirëse, përmbyllin një cikël po aq tragjik, sa edhe dramatik të një konflikti, ekzaltohen gjithnjë nga historia. Me të drejtë, ato marrëveshje nuk shihen thjesht si epilogu i një krize, por si ngritja e një sipari të ri, ose thënë më mirë një ekuilibri paqeje përbrenda një rajoni, një kontinenti etj.. Mirëpo, që rezultati i arritur i marrëveshjes, e cila si qëllim në vetvete ka ravijëzimin e një realiteti të ri, të jetë i suksesshëm, gjithçka ndërvaret nga një mori motivesh e rrethanash që inteferojnë në të. Dhe ato janë: shtrirja gjeografike e të dyja kombeve në rivalitet prej ku edhe pesha gjeopolitike e sfidës; predispozita e elitave drejtuese e shoqërive respektive për të rrokur ndryshimin, dhe mbi të gjitha përmasa e të dyja kombeve në konflikt, prej ku përcaktohet edhe ndikimi apo imponimet e fuqive të mëdha. Ja, pra, sesi ecuria e një rasti të tillë merr trajtën e një procesi historik. Nisur nga kompleksiteti i vështirësive si dhe disa papajtueshmëri të pakapërcyeshme, e tillë këmbëngulja për mosnjohjen e Kosovës nga Serbia, qasja metodike për të arritur në një zgjidhje përfundimtare të këtij rasti nëpërmjet etapave, është po aq e rëndësishme sa edhe faktorët e sipërpërmendur.

Nisur nga komuniteti i shteteve të Ballkanit Perëndimor, përmasat e tyre jo shumë të konsiderueshme si dhe nevoja për zhvillim ekonomik e industrial, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që synojnë ndërtimin e një arkitekture të re gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor, mbështetur mbi ekuilibra, favorizuan një platformë bashkëpunimi ekonomik, e sanksionuar nga marrëveshja e pak ditëve më parë në Uashington, e firmosur nga Kryeministri i Kosovës, Hoti, si dhe Presidenti i Serbisë Vuçiç. Ndryshe nga turbullirat e fundit në Mesdheun Lindor, të cilat po rihapin disa çështje historike e gjeopolitike komplekse të ngrira në dekadat e shkuara, që si rrjedhojë mund të përfshijnë në ngatërresa të rrezikshme pjesë të 3 kontinenteve, Europës, Afrikës së Veriut si dhe Lindjes së Mesme, pra, Azisë; një balancë në gjirin e Ballkanit Perëndimor është e mundshme dhe në atë pikë një diapozitiv kyç përbën zgjidhja përfundimtare e konfliktit shqiptaro-serb, i mishëruar në raportet Kosovë-Serbi, ku edhe janë investuar SHBA-të. Në marrëveshjen e fundit ekonomike të Uashingtonit janë skicuar piketat e një bashkëpunimi ekonomiko-tregtar ujor midis Kosovës e Serbisë, duke përfshirë edhe rregullimet doganore, njohjen e diplomave si dhe ngrirjen e manovrave diplomatike nga ana e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës, si dhe procedurat për t’u anëtarësuar në organizmat ndërkombëtare po nga ana e Kosovës, për një vit. Synimi i kësaj marrëveshje, në fakt, është një platformë bashkëpunimi ekonomike dypalëshe, e integruar në kooperimin rajonal nëpërmjet iniciativës së Mini-Schengenit Ballkanik, që, sipas emisarëve të Shtëpisë së Bardhë të investuar në të, pikërisht Richard Grenell, konsiston në një bashkëpunim ekonomik reciprok ndërmjet dy vendeve si pjesë kontribuuese e një tregu të përbashkët ballkanik. Duke u nisur nga këto premisa do t’i hapej kështu rruga një paqtimi politik midis Kosovës e Serbisë në një etapë pasuese. Me qëllim që iniciativa e ndërmarrë para pak ditëve të jetë efikase, disa nga problematikat e mëposhtme kërkojnë një përgjigje në formën e një zgjidhjeje.

-A do të mundet Serbia, në emër të përfitimeve që burojnë nga bashkëpunimi ekonomik bilateral e rajonal, të shpërbëjë një mendësi kombëtare të përçuar edhe tek elitat e saj, e cila është e plazmuar dhe përmban edhe sensin e saj të historisë në dy shekujt e fundit?

-Duke mbajtur parasysh, qoftë natyrën e marrëdhënieve ndërkombëtare, tendencat gjeopolitike të kohës sonë, qoftë pozitat “specifike” të Serbisë, a do t’u rezistonte dot ajo imponimeve dhe ofertave të Kinës, me të cilat ajo kultivon raporte të veçanta, për të mos adoptuar sistemin 5G siç edhe parashikohet në një nga pikat e marrëveshjes?

Teksa te problematika e parë kushtëzohet gjithë taktika e bashkëpunimit ekonomik në funksion të normalizimit politik; e dyta ndërlidhet direkt me peshën imponuese të marrëveshjes së Uashingtonit, ndërsa prej të dyjave bashkë varen shpresat e investimit aktual amerikan për konfliktin KosovëSerbi e për më shumë, për vetë Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë që në marrëveshjen ekonomike bie në sy ndërfutja e një pike shumë interesante, që lidhet me njohjen e Kosovës nga shteti i Izraelit dhe për rrjedhojë vendosjen e ambasadës së Kosovës, si dhe mundësisht të Serbisë në Jerusalem. Nisur nga përmbajtja e konflikteve, si dhe përmbajtja e marrëdhënieve ndërkombëtare në Lindjen e Mesme, që shëmbëllen e pandryshuar për gati 7 dekada, një pjesë thelbësore e strategjisë diplomatike të Izraelit është njohja e tij jo vetëm nga bashkësia e vendeve arabe aktualisht, por edhe vendosja e ambasadave e shteteve përbërëse të komunitetit ndërkombëtar në Jerusalem. Për shtetin e Izraelin, po ashtu si Kosovën aktuale, njohja juridike përben një ndër elementet për integrimin formal në sistemin ndërkombëtar, kurse vendosja e ambasadave të shteteve të ndryshme në Jerusalem një përligjje të së drejtës së tyre historike.

Ndërmjetësimi i administratës Trump për njohjen zyrtare të Kosovës nga Izraeli përbën një risi politike. Nuk bëhet fjalë aq shumë, nisur nga një citim empirik i këshilltarit kombëtar Robert O’brian “për një arritje vendosja e ambasadës së shtetit të Kosovës, vend me shumicë myslimane në Jerusalem”, por ndërkohë për një problematikë edhe më të thellë. Në fakt, islami shqiptar është një imponim e relike e perandorisë otomane në 3-4 shekujt e shkuar, i cili nuk ka influencuar asnjëherë normat e jetës shpirtërore si dhe të organizimit socio-politik të shqiptarëve dhe aq më pak perceptimet e orientimet në aleancat e politikes së tyre të jashtme. Qoftë në Shqipëri ku janë të pranishëm të tri religjionet, ai katolik, mysliman dhe ai ortodoks, e qoftë në Kosovë ku formalisht mbizotëron një shumicë myslimane, si dhe një komunitet i shqiptarëve katolikë, me një fjalë shumica dërrmuese e popullsive shqiptare në Europën Juglindore shënjohet ekskluzivisht nga pro-amerikanizmi dhe qëndrojnë të paprekura nga format e ndryshme të antisemitizmit.

Nga njëra anë, rëndësia e ndërmjetësimit të SHBA-ve në njohjen e Kosovës nga Izraeli konsiston pikërisht në bindjen amerikane se statusi aktual i Kosovës nuk mund të zhbëhet, ndërkohë që pranimi nga Izraeli i Kosovës si shteti pavarur e përforcon këtë pozitë. Nga ana tjetër, elitat politike drejtuese të shtetit hebre, të cilët mund të influencohen deri në njëfarë mase nga SHBA-të, duke preferuar të ruajnë një mëvetësi në vendimmarrjen e çështjeve jetike të sigurisë kombëtare të vendit të tyre, me shumë gjasa e kanë peshuar momentin aktual si atë të duhurin për njohjen e shtetit të Kosovës, pra, duke qenë kësodore më i pranishëm në Europën Juglindore, si dhe dinamikën e çështjes shqiptare.

Platforma e një bashkëpunimi ekonomik është një premisë frymëzuese, por jo një garanci për pajtimin politik në Ballkan, ndërsa njohja e Kosovës nga shteti i Izraelit është shumë kuptimplote për statusin e Kosovës, atë të një shteti të pavarur. Në fund të fundit, Kosova, në çdo rrethanë, del e favorizuar nga kjo marrëveshje.

*Pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura