Marrëveshja e Vjenës ndryshon politikën ndërkombëtare

Jul 29, 2015 | 12:50
SHPËRNDAJE

qemal-lameQEMAL LAME

Marrëveshja e Vjenës për Programin Atomik të Iranit është një arritje historike për zgjidhjen diplomatike të problemeve mbi ambicien bërthamore të Iranit. Me anë të kësaj marrëveshjeje mendohet se dalin të fituar të gjitha palët e interesuara.
Miratimi i marrëveshjes merr fuqi më të gjerë edhe rezolutën e Këshillit të Sigurimit.

Marrëveshja e fuqive bërthamore me Iranin i shërben paqes në Lindjen e Mesme
Marrëveshja e arritur pas disa muajve bisedimesh intensive është një ndërmarrje e guximshme dhe me shumë përgjegjësi. Ajo arriti qëllimet e saj me përmasa të gjera të gjeopolitikës, me ndikime të drejtpërdrejta në pengimin e programit të armatimit bërthamor të Iranit dhe me krijimin e kushteve për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike të shteteve perëndimore me këtë vend. Mbi këtë bazë, ajo do të ketë ndikime pozitive për sigurinë dhe paqen në botë.

Me anë të marrëveshjes, krijohen kushtet për ndalimin e përhapjes së armëve bërthamore në Iran dhe gjithë rajonin në Lindjen e Mesme, si dhe parandalimit në kohë të konflikteve me pasoja katastrofike botërore. Ajo parashikon kritere të qarta të zbatimit, të kontrollit dhe të rivendosjes së sanksioneve ndaj Iranit në rast se nuk do të respektohet. 
Presidenti amerikan, Barack Obama, qartësoi dhe siguroi se marrëveshja e bën “këtë vend dhe botën më të sigurt.” Për Iranin është hequr çdo mundësi për prodhimin e bombës atomike dhe është “ndërprerë” zgjerimi i armëve bërthamore në Lindjen e Mesme.

Marrëveshja, theksonte Obama, qetëson dhe forcon jo vetëm besimin, por në mënyrë të veçantë kontrollin nga inspektorët ndërkombëtarë. Në rast se Teherani vepron kundër detyrimeve dhe shkel kriteret e marrëveshjes, atëherë do të “rivendosen menjëherë” sanksionet. Ai i bën thirrje Kongresit Amerikan që të miratojë marrëveshjen. Në rast të mosmiratimit nga kongresmenët, ai kërcënoi se do të përdorë të drejtën e tij të vetos.
Me këto argumente kanë përshëndetur edhe presidenti i Francës, François Hollande.
Edhe Vatikani përshëndeti dhe e shikon si pozitive Marrëveshjen për Programin Bërthamor.

Marrëveshja do të ndikojë edhe në ndryshimin e politikës ndërkombëtare
Tërheq vëmendjen mirëkuptimi i arritur midis Iranit dhe pesë shteteve me të drejtën e vetos dhe i Gjermanisë, qëndrimi rezultativ i Rusisë dhe përkushtimi i presidentit Vladimir Putin që meritojë edhe falënderimin e presidentit Barack Obama.
Analiza e këtyre rezultateve të pritura prej vitesh tregon se marrëveshja është tregues edhe i një qëndrimi të ri në marrëdhëniet midis Uashingtonit e Moskës, si dhe zgjidhjen e krizave politike. Putin zhvilloi një bisedë telefonike me Obamën para miratimit të marrëveshjes.

Pasi u arrit mirëkuptimi dhe finalizimi i saj, Obama e mori në telefon dhe e falënderoi për ndihmën e dhënë Presidentin rus, Vladimir Putin, përshëndeti marrëveshjen: “Unë jam i bindur se bota sot është lehtësuar dhe ka marrë frymë thellë”, theksonte ai në Moskë ditën e martë. Moska do të veprojë me të gjitha mundësitë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Vjenës dhe njëkohësisht kam besim se edhe partnerët e tjerë në bisedime do të përmbushin detyrimet e tyre. Iranit i krijohen mundësitë të zhvillojë Programin e tij Bërthamor nën kontrollin e Agjencisë Ndërkombëtare të Atomit (IAEA) dhe heqjen graduale të sanksioneve. “Këtë kemi kërkuar ne prej një kohe të gjatë”.

Izraeli kundërshton hapur marrëveshjen dhe e cilëson si një gabim të rëndë historik
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, menjëherë kundërshtoi hapur marrëveshjen, duke theksuar mendimin e tij se ajo i hap rrugë armatimit bërthamor të Iranit. Për këtë arsye, ai e cilëson si një gabim të rëndë historik: “Irani do të hapë me këtë marrëveshje një rrugë të sigurt për zotërimin e armëve bërthamore”, theksonte ai në Jerusalem. “Irani fiton Jackpot-in qindra miliardë dollarë, me të cilat ky vend do të mundet të zgjerojë më tej agresionet dhe terrorin në rajon dhe në botë. Ky është një gabim i madh historik”.

1. Mbreti Salman i Arabisë Saudite mbështeti qëndrimin kategorik të Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu,kundër marrëveshjes.
Për të zbutur frikën e aleatëve të ngushtë shkoi për vizitë sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, në një vizitë në Lindjen e Mesme. Ai theksoi se “Ne qëndrojmë të gatshëm që ta forcojmë sigurinë e miqve dhe aleatëve tanë, duke përfshirë edhe Izraelin. “Uashingtoni do të marrë të gjitha masat për të ndaluar dëmet që mund të lindin nga ndikimet iraniane”.

Mbreti Salman i Arabisë Saudite në takimin me sekretarin amerikan të Mbrojtjes e përshëndeti marrëveshjen bërthamore me Iranin, por ka shprehur rezerva nëse kjo marrëveshje mund të zbatohet në mënyrë të efektshme.
Mbreti saudit shprehu gjithashtu shqetësim rreth mekanizmit për rivendosjen e sanksioneve ekonomike ndërkombëtare në rast se Irani shkel marrëveshjen. Zoti Carter tha se SHBA ndajnë shqetësime të njëjta.

Arabia Saudite e sheh Iranin si armikun e tij kryesor në rajon dhe është e shqetësuar për rritjen e ndikimit iranian në Jemen dhe vende të tjera në rajonin e Gjirit Persik.
Dje, zoti Carter u takua me trupat e koalicionit në Jordaninë veriore në një bazë ajrore nga ku ndërmerren operacionet kundër objektivave në Siri: “Ne do të fitojmë. Nuk e dimë sa kohë do të kërkojë kjo, por e dimë se do të fitojmë dhe se ajo që ju bëni këtu është një pjesë e çmuar e asaj fushate”.

1. Ai shkoi në Jordani nga Izraeli, ku u takua me Kryeministrin Benjamin Netanyahu për të dhënë siguri mbi vazhdimin e mbështetjes amerikane pas marrëveshjes bërthamore me Iranin. Zoti Netanyahu e priti zotin Carter me një pamje të zymtë para se të zhvillonte një takim gati dy orësh në zyrën e tij në Jerusalem.
“Ne nuk biem dakord për çdo gjë dhe Kryeministri e bëri mjaft të qartë se nuk bie dakord me ne për marrëveshjen me Iranin, por miqtë edhe mund të mos jenë dakord. Ne do të vazhdojmë të punojmë me Izraelin dhe partnerët tanë në rajon për të luftuar rrezikun nga Irani, ashtu sikurse edhe ISIL-in,” tha sekretari Carter.

Zoti Carter është zyrtari i parë i kabinetit amerikan që viziton Izraelin, që kur Irani ra dakord javën e kaluar të reduktojë programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së pjesshme të sanksioneve ekonomike.
Analistë dhe ekspertë për Lindjen e Mesme diskutojnë se në prapaskenë të marrëveshjes qëndron skenari i mundshëm i afrimit të kujdesshëm të Amerikës me forcat e sigurisë iraniane, pas dështimit të përpjekjeve të shteteve sunite kundër IS. Kryeministri irakian, Haider al-Abadi, vinte në dukje të mërkurën, më 15 korrik 2015, se “Ideali për marrëveshjen me Iranin dëshmoi se ishte pasqyrim i vullnetit të përbashkët.” Ajo do të sjellë “lirinë dhe sigurinë në rajonin tonë”.

Presidenti sirian, Bashar al-Assad, e shikon veten si të fituar nga Marrëveshja e Vjenës. Ai përshëndeti marrëveshjen dhe e cilësoi si “fitore të madhe” për Iranin. Nënshkrimi i marrëveshjes është një pikë kthese historike në historinë e Iranit, për rajonin dhe për botën, shkruan al-Assad në përshëndetjen e dërguar udhëheqësit të Revolucionit Iranian, Ayatollah ali Khamenei dhe Kryetarit të Shtetit, Hassan Rouhani.

Njëkohësisht al-Assad pret më shumë ndihmë nga Irani. Siria është e sigurt se Irani do të qëndrojë më me forcë në ndihmën që jep “për çështjen e drejtë të popullit”. Irani është aleati më i ngushtë i regjimit të Damaskut në luftën civile që po zhvillohet në atë vend. Nga vlerësimet e vëzhguesve, regjimi i Damaskut vazhdon të mbijetojë në sajë të ndihmës nga Irani.
Opozita siriane dyshon në të kundërtën se vlerësimi i Iranit do të ndikojë që perëndimorët të konsiderojnë diktatorin në Damask si partner për ta mbështetur në luftën kundër IS – pa treguar kujdes për faktin se ai është kriminel dhe ka kryer krime kundër popullsisë civile. “Kjo është arsyeja e vërtetë përse al-Assad gëzon vetë”, vë në dukje një zëdhënës i milicëve sirianë.

Marrëveshja forcon Teheranin dhe ngacmon Riadin
Marrëveshja për programin bërthamor me Iranin mund të ndikojë që të riorganizohen edhe aleancat në botën arabe. Që nga vera e vitit të kaluar koordinojnë konkretisht Shtetet e Bashkuara me drejtuesit shinitë në Teheran në luftën kundër grupeve terroriste sunite “Shtetit Islamik” (IS), në Irak. Trupat ushtarake iraniane luftojnë kundër xhihadistëve duke mbështetur nga toka goditjet nga ajri të avionëve luftarakë amerikanë. Ky bashkëpunim indirekt mund të forcohet në të ardhmen duke dobësuar forcën e pushtetit sunit të Arabisë Saudite. Për këtë arsye, më 15 korrik 2015, Agjencia e Lajmeve SPA, citonte një zyrtar i qeverisë në Riad, i cili theksonte se “jemi të vendosur” që të luftojmë për të zvogëluar ndikimin e Teheranit.

Koha luan në të vërtetë për regjimin e udhëheqësit të lartë  Ali Khamenei. Kjo ndikon jo vetëm në gjendjen në Irak, ku milicët etnikë shitë nën udhëheqjen e gjeneralit Qazim Sulejamni, që luftojnë dhe zmbrapsin terroristët ekstremistë të ISIS. Që nga shpërthimi i Luftës në Siri, në vitin 2012, komandanti i forcave speciale Al Quds të Gardës Revolucionare me pushtet të madh ushtarak, me ndikim në drejtuesin ushtarak edhe në Levante. Forcat e përbashkëta të Sulejmanit dhe të Pasdaranit koordinojnë atje luftimet e përbashkëta të trupave qeveritare të regjimit sirian me ato të Hizbullahut libanez. Në qershor të këtij viti, Sulejmani kërcënoi për herë të parë se nuk do të lejojë një humbje të Alawiten që dominojnë provincën bregdetare Latakia dhe nuk do të lejojnë terroristët e IS që të hyjnë atje.  

Edhe në rast se në vazhdim nuk do të arrijë të legalizohet një koordinim direkt midis qendrave iraniane dhe amerikane është i mundshëm zgjerimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në luftën kundër IS në Irak. Gjithashtu, indirekte do të jetë koordinimi edhe për Sirinë. Nëpërmjet qendrave qeveritare në Bagdat, informohet udhëheqja siriane e Damaskut mbi operacionet ajrore amerikane. Në provincën Verilindore, Hasakeh, në javën e kaluar, u arrit që në disa ditë forcat siriane dhe sulmet ajrore amerikane të koordinojnë veprimet në bombardimin e terroristëve të IS, në kufirin irakian. I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Barack Obama, për luftën kundër IS, John Allen, theksonte me qetësi të mërkurën se Marrëveshja e Vjenës do të japë ndikime për “pyetjet e rëndësishme” të koalicionit kundër IS.

Partnerët e Amerikës janë në pjesën më të madhe nga etnia sunite. Edhe Jordania iu bashkua luftës kundër IS, aleancës së katër nga gjashtë shtetet e Këshillit të Kooperimit të Gjirit (GCC). Kjo është aleanca e vërtetë arabe që qëndron në krah të Uashingtonit që nga çlirimi i Kuvajtit. Janë bombarduar jo vetëm “Shteti Islamik”, por edhe Fronti Nusra, pjesë e grupit sirian të Al-Qaeda, si dhe grupe të tjera xhihadistësh. Deri në krijimin e “Kalifatit” nga udhëheqësi i IS, Abu Bakr al Bagdadi, në verën e kaluar monarkët sunitë kanë intervenuar vetëm indirekt në Siri, ku atje ata mbështesin me armë dhe me fonde milicët.

Pas marrëveshjes së suksesshme për programin atomik, udhëheqësit sunitë ndiejnë pasojat e përgjegjësinë për qëndrimet e tyre të kundërta. Udhëheqësi i Emirateve të Bashkuara Arabe, Khalifa Bin Zayed Al Nahyan, përshëndeti presidentin iranian, Hassan Rohani. Edhe në Riad u njohën zyrtarisht shanset e marrëveshjes, që do të ndikojnë në mirëkuptimin me Iranin.
Në muajin maj 2015, udhëheqësit sunitë, drejtuesit e pushtetshëm të GCC, ishin në Samitin e thirrur nga Obama, në Camp David, ku me gjithë garancitë e sigurisë nga Uashingtoni, nuk u arrti marrëveshja e nevojshme. Në rrethanat e reja pas marrëveshjes është real rreziku i një spiraleje të armatimit dhe të kërkesave të mundshme të Riadit për të zotëruar armë bërthamore.  

Fuqitë e mëdha bërthamore kërkohet të bindin për sigurinë e integritetin e Izraelit
Marrëveshja me Iranin tregon për ndryshime të rëndësishme në politikën ndërkombëtare në tërësi dhe në raport me qeverinë izraelite. “Iran-Phobie” (Fobija Iranit) do të zëvendësohet me “partneritetin” me Iranin. Problemet më të rëndësishme që shqetësojnë dhe preokupojnë botën kërkohet të zgjidhen me bisedime dhe me kritere të qarta të ndërtuara mbi bazën e barazisë dhe respektimit të interesave të përbashkëta.

Ndryshimi më i madh është në politikën e administratës së drejtuar nga Presidenti Barack Obama. Ai kërkohet të bindë kundërshtarët e marrëveshjes, si dhe politikanët izraelitë. Republikanët në Kongresin Amerikan kanë bërë të ditur me kohë qëndrimet e tyre kundër marrëveshjes. Pikëpamjet e tyre janë pothuajse të njëjta me ato të qeverisë izraelite.

Pas marrëveshjes u bë e qartë se ideali i saj ishte shumë i rëndësishëm për Iranin, Izraelin, vendet e tyre fqinjë, rajonin e Lindjes së Mesme, Lindjes Qendrore dhe në tërësi për bashkësinë ndërkombëtare. Shqetësimi kryesor izraelit është rreziku i armatimit bërthamor të Iranit. Ky rrezik duket se do të mënjanohet me marrëveshjen, e cila nuk lejon dhe kufizon mundësitë për një bombë atomike për një kohë të pacaktuar, duke u shoqëruar me kontrolle dhe sanksione.

Për të garantuar këtë qëllim është e domosdoshme që qeveria e Izraelit të bindet për mbrojtjen e sigurisë dhe integritetit të territorit të shtetit të saj. Në këtë drejtim është i domosdoshëm angazhimi i mëtejshëm amerikan dhe rus, si dhe Agjencisë Ndërkombëtare Atomike (IAEA) për kontrollin e fabrikës së pasurimit të uraniumit, të territorit ushtarak ku depozitohen dhe ruhen produktet e pasuruara, respektimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Embargon për Raketat Balistike etj.

Problem po kaq i rëndësishëm mbetet mosnjohja nga Irani e Izraelit. Është e domosdoshme vazhdimi po me intensitet i fuqive të mëdha për të bindur udhëheqësit e Iranit për njohjen e Shtetit të Izraelit dhe ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, në interes të dy vendeve dhe rajonit në tërësi. Në rast se Teherani do të arrijë të njohë zyrtarisht Tel Avivin, atëherë edhe qëndrimet izraelite do të mund të përshtaten me ndryshimet politike të fuqive të mëdha dhe me vetë Iranin.
Këta dy shtete dhe dy popuj duhet të pajtohen dhe të bashkëpunojnë për një të ardhme të përbashkët më të mirë për të gjithë.

Qytetërimi i sotëm meriton lirinë, paqen e sigurinë, që realizohen me vizionin e një bote pa armë bërthamore të shfarosjes në masë, pa terrorizëm e ekstremizëm fetar. Kjo do të realizohet me përkushtim të përbashkët për zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe mirëqenie sociale për secilin banor të globit tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura